FB

November 2, 2023 | 7:13

Nga Edlira Çepani / Pse t’i fuqizojmë ekonomikisht gratë?

Para një shekulli, kur gratë dhe vajzat nuk kishin të drejtë të punonin, të drejtë vote apo të drejta të barabarta, ishte krejtësisht normale që një vajzë të varej nga familja e saj e më pas nga bashkëshorti për mbijetesë financiare. Familja apo martesa ishin thuajse gjithmonë e vetmja rrugë për të garantuar siguri financiare.

 

Nga Edlira Çepani

Ndërkohë, falë punës së pandalshme të lëvizjeve për të drejtat e grave dhe për të drejtat e njeriut shumë gjëra kanë ndryshuar dhe tashmë duket sikur të gjithë e kanë një mundësi për të qenë të pavarur financiarisht. Vajzat dhe gratë tashmë duket se mund të punojnë normalisht dhe të kenë fuqinë për të marrë në dorë jetët e tyre, por ka ende shumë pabarazi dhe zakone të prapambetura përsa i përket zhvillimit financiar të grave dhe vajzave. Në radhë të parë familjet ende synojnë të ndërtohen me stereotipin se janë burrat ata që duhet të sjellin më shumë të ardhura dhe gratë ato që duhet të kontribuojnë më shumë në punën e papaguar (përkujdesin për shtëpinë, gatimin, etj). Në radhë të dytë, ende edhe sot, tregu vijon të jetë i ndërtuar mbi stereotipet gjinore të profesioneve të ndryshme të cilat janë të ndara sipas gjinisë (të tipit – inxhinier mekanik është punë për burra, kurse infermeria është punë për gra). Nga ana tjetër ka ende një disbalancë të theksuar përsa i përket shpërblimit në tregun e punës, ajo që quhet hendeku gjinor i pagave, për shkak të së cilit për të njëjtën punë paguhen më pak gratë se sa burrat (dhe ky është një fenomen global).

Pastaj për të ardhur te një nga pjesët e rëndësishme, është edhe vendimmarrja, sepse sot ka ende një pabarazi të theksuar përsa i përket pjesëmarrjes së grave në strukturat vendimmarrëse edhe në sektorin privat dhe në sipërmarrje. Nga ana tjetër nëse të gjitha këto probleme zgjidhen, mbetet edhe një që është më kryesori, balancimi i punës me jetën familjare dhe me përgjegjësitë në të. Edhe nëse ua largojmë të gjitha barrierat e mësipërme grave dhe vajzave, por nuk i asistojmë në balancimin karrierë – prindërim – familje, atëherë sërish nuk kemi arritur aty ku duhet. Këto problematika thuajse të padukshme, por ekzistente në ditët e sotme, krijojnë barriera për shkak të së cilave gratë dhe vajzat kanë ende vështirësi të krijojnë pavarësinë e tyre ekonomike dhe të jenë të fuqi – zuara financiarisht.

Mund të themi se në vendin tonë pjesa më e madhe e grave dhe vajzave kanë mundësi të punojnë, por mungesa e kushteve për përkujdes – in e fëmijëve, siguria në transport, ngacmimet në vendin e punës, shkelja e të drejtave bazë (në disa sektorë), janë problematika që shoqërojnë diskriminimin, i cili sjell një dobësim të kësaj force punëtore, konsumatore dhe ekonomisë në përgjithësi. Që nga fuqizimi i shtresave të mar – gjinalizuara, dhuna në familje e gratë dhe vajzat në karrierë politike, kanë të gjitha një problem të përbashkët – mungesa e aksesit të barabartë në resurse dhe financa.

Një grua e mbijetuar nga dhuna sot, e ka të drejtën me ligj për të marrë strehim madje dhe mbështetje nga institucionet, por ka shumë raste kur nuk e gjen dot një shtëpi me qira, sepse nuk ia japin pronarët.

Një grua sot e ka të gjithë mundësinë për të punuar diku, por nuk ka mundësi të transportit të sigurt, ndaj e ka të pamundur të shkojë.

Një grua sot mund të dojë të largohet nga familja e saj dhunuese, por tregu i punës dhe politikat publike mbështetëse ofrojnë shumë pak për të. Shpesh, kur flasim për këto gjëra, na thuhet se, sidomos tregu privat nuk mund të ndikohet nga politika të barazisë gjinore, sepse është një treg që funksionon me mekanizmat e veta, por ajo që harrojmë shpesh kur e bëjmë këtë diskutim është se, më shumë gra aktive në tregun e punës, do të thotë më shumë krah pune dhe më shumë konsumatore. Më shumë gra që kontribuojnë financiarisht në familje, përkthehet në një mirëqenie më të lartë. Më shumë mbështetje për gratë, do të thotë një ekonomi që nuk ecën me gjysmën e fuqisë së saj, por me të gjithën.

Ndaj kryefjala për fuqizim real, sot është fuqizimi ekonomik, nga politikat, tek informimi e deri tek shanset e barabarta (reale) për të kontribuar siç duhet në tregun e punës dhe në ekonomi.

 

 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.185, muaji Nëntor

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top