FB

March 1, 2023 | 9:05

Nga Edlira Çepani / Sfidat e pathëna dhe barazia e papërmbushur!

Vera është një grua që jeton shumë afër kryeqytetit në vijë ajrore, por e ka shtëpinë majë disa kodrave ku për të shkuar duhet afërsisht 1 orë me makinë, nëpër rrugë me shumë gropa e pengesa, të cilat në dimër e në shi bëhen thuajse të pakalueshme. Vera është nënë e 3 fëmijëve të veckël që jetojnë bashkë më të në një shtëpi të ngritur vetë tullë pas tulle, muret e së cilës janë të shtrembra, plot lagështirë, por janë streha, ku bashkë me fëmijët mblidhen në orët e gjata të mbrëmjes. Bashkëshorti i Verës nuk punon, ka probleme të shëndetit mendor që asaj ia kishin fshehur kur e martuan me mblesëri para shumë vitesh!

Juriste, Aktiviste për të Drejtat e Njeriut

Ajo është ende shumë e re, përtej duarve të rreshkura nga punët e rënda, fytyrës së rrudhur nga hallet, është në fakt vetëm 29 vjeç. Për të mbajtur familjen punon në një fasoneri, ngrihet në orën 5 të mëngjesit dhe rrugën e bën zakonisht në këmbë, rreth 1 orë e gjysmën ecje deri atje. Kthehet në shtëpi pasdite vonë, kujdeset për fëmijët, gatuan, lan dhe pastron (pasi ka sjellë në kurriz ujin me kova nga pusi që ka ca metra larg, se ujë në shtëpi nuk ka), pastaj dita tjetër po njësoj. Thotë se nëse dita e saj do të ishte kaq, do të ishte e lumtur, por nuk është. Mes gjithë këtyre vuajtjeve e përpjekjeve për të rritur fëmijët, bashkëshorti e dhunon sa herë kthehet në shtëpi me krizat e tij, dhunon edhe fëmijët… Ka frikë se mos një ditë kthehet edhe më i egërsuar dhe e vret fare, siç ka dëgjuar nëpër media që ndodh shpesh…

Vajtëm me shpejtësi të njoftonim të gjithë institucionet kompetente për çështjen e Verës sapo e njohëm atë dhe për çudinë tonë të gjithë e dinin, nuk ishte histori e panjohur as për mjeken e zonës, as për shërbimet sociale të Bashkisë, as të organizmave që funksionojnë në zonë. Institucionet e dinin, komuniteti e dinte, familja e dinte, të gjithë e dinin, por Vera dhe fëmijët e saj vazhdonin të përballeshin të vetëm me këtë situatë. Nuk ka ndihmë për Verën, as për bashkëshortin e saj, as për fëmijët e saj që e kanë shkollën 1 orë larg në këmbë… Në po të njëjtën situatë është Sania një fshat më tej, Mira në qytetin e afërt, Maria që është shtatzënë me fëmijën e saj të katërt. Asnjëra prej tyre nuk ka një mbështetje të mirëfilltë, përveç ca ndihmave ushqimore që u vijnë me raste festash… I prekim historitë e tyre dhe kur i tregojmë na duket vetja shumë larg, nuk jetojmë në fshat, kemi një punë, disa kushte më shumë, por nëse e mendojmë thellë-thellë, ne jemi po aq vetëm sa ato, në shërbimet dhe mbështetjen që duhet të na ofrohet, si gra, si nëna, si qytetare.

Përtej parukerive dhe lokaleve të mbushura me gra e vajza të krehura dhe të veshura bukur, rrjeteve sociale ku të gjithë dalim të lumtur e të bukur, edhe aty gjejmë një realitet të fshehur plot sfida dhe me shumë pak mbështetje. Kemi ende sot në vitin 2022, paragjykime për gratë në karrierë, pa u njohur përpjekjet titanike për të mbajtur dhe punën, dhe fëmijët, dhe familjen. Pa mbështetje, vetëm! Kemi ende sot gra e vajza me kancer gjiri e me lloj-lloj problemesh shëndetësore që përplasen dyerve të institucioneve pa gjetur ndihmë, vetëm. Kemi ende sot gra dhe vajza të dhunuara të cilat luten dyerve të bashkive për strehim, pa mbështetje, vetëm! Një grua humbi jetën nga i ftohti, sepse i prenë energjinë elektrike në pamundësi për të paguar, sepse skemat e mbështetjes sociale nuk funksionuan për të dhe vdiq e vetme, ndonëse institucionet dhe komuniteti e dinin në ç’situatë ndodhej.

Kemi vajza e gra me një jetë të mirë në dukje, por që vuajnë rëndë nga shëndeti mendor, sepse nuk kanë mbështetje, sepse askush nuk i sheh me kujdes përtej fasadës së tyre. Kemi vajza dhe gra që përballen me gjëra që nuk i meritojnë, vetëm se janë gra, në një shoqëri që ku përveç buqetave për 8 mars, asnjë mbështetje tjetër nuk ka për gratë! Është arritur shumë për të drejtat e grave, janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, por ende sot në 2022, mbështetja, barazia dhe të drejtat e vërteta janë të papërmbushura në vendin tonë!

Nuk duhet heshtur për gratë si Vera, por as për të tjerat, nuk duhet heshtur për asnjë padrejtësi të dukshme apo të fshehur ndaj grave dhe vajzave! Familja, shoqëria e mbi të gjitha institucionet, janë në borxh me gratë e u detyrohen realisht shumë! Gratë kanë ende sot nevojë të bashkohen më shumë dhe të kërkojnë më shumë, sepse meritojnë më shumë!

 

 

 

 

 

 

Botuar Tek Revista Psikologjia, Nr.177, muaji Mars

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top