Editorial

February 3, 2024 | 7:13

Nga Edmond Tupja: Dy fotografi të çastit

Pak a shumë të gjithë, dy-tri ditët e para të vitit që sapo shkoi, kanë kaluar sadopak kohë në sheshin Skënderbe mes një atmosfere të zhurmshme gëzimi për të gjitha moshat: karuzelë marramendës vertikalë e horizontalë, pista minimakinash që përplasen me njëra-tjetrën, kioska e dyqane të ndryshme dhe, sigurisht, thirrje njerëzish, britma fëmijësh, këngë e këngë pa pushim.

edmond-tupja

Diku, fare pranë monumentit të Skënderbeut mospërfillës ndaj gjithçkaje rreth e rrotull tij, ulur në shpinë të kalit po aq mospërfillës sa vetë kalorësi, sytë më ndaluan tek një çift të moshuarish fare pranë meje, të cilët, me gjasë, e kishin lënë të takoheshin me dikë: ajo flokëthinjur, që rrinte si e ngrirë, kurse ai, po aq flokëthinjur, që, ndërkohë, tek kthente kokën sa majtas, djathtas, se ç’i thoshte asaj herë pas here; ja që, vërtet, ata prisnin dikë: një burrë plak, po aq i vjetër sa edhe ata, iu afrua, i shtrëngoi përzemërsisht dorën zotërisë, mandej ia zgjati edhe zonjës teksa mua më zuri veshi këto fjalë: “Gëzuar Vitin e Ri, shëndet e jetë, mbarësi e bereqet!” dhe, fill pas këtij urimi, i tha asaj: “Kemi qenë bashkë në Shkollën e Kuqe, në klasën e parë me mësuese Hajrien… Me siguri që më mban mend”.

Në çast vërejta që zonjës i ngriu buzëqeshja në fytyrë, ajo belbëzoi disa fjalë, u gëlltit dhe një tis i hollë trishtimi apo, më saktë, dëshpërimi iu nde në fytyrë: “Më fal, – iu përgjigj tjetrit, – por… por s’më kujtohet, nuk jam mirë me kujtesë….” Mirëpo, bashkëbiseduesi, nguli këmbë: “Unë jam Shaqiri, ti rrije në bankën e parë ngjitur me tavolinën e zyshë Hajries, kurse unë prapa teje në bankën e dytë, a të kujtohet tani?”. Zonja ia nguli sytë, tundi ngadalë kokën dhe e uli atë si e kapur me presh në dorë teksa bën diçka të pahijshme.

Befas, ndërhyri i shoqi dhe nga goja e tij dolën këto fjalë: “Si, moj grua, nuk t’u kujtuaka Shaqiri, e kemi pasur komshi, po e kemi takuar dy a tri herë para se të na lindte djali i madh!.. Na turpërove, ha, ha, ha!”. Ajo nuk foli më, kurse dy burrat vazhduan pak si mënjanë bisedën e tyre, pyetën njëri-tjetrin se si ishin me shëndet, përmendën diçka për kohën e shërbimit ushtarak, sa e kishin pensionin, para se të kalonin në një tjetër temë pa i hedhur asaj as vështrimin më të përciptë…

Ndërkohë, pa i rënë në sy, unë vështrova zonjën e heshtur dhe ndjeva një keqardhje të thellë. Dashur padashur, dy zotërinjtë e kishin lënduar atë pikërisht tek pika e saj më e dobët, aq sa për pak do t’u isha afruar që t’u thosha nja dy fjalë lidhur me sjelljen e tyre ndaj zonjës së dëshpëruar, por ata mund të më tregonin rrugën duke më këshilluar – në rastin më të mirë –të mos përzihesha me punët e tyre.

Mirëpo, në atë çast, më tërhoqi vëmendjen një klithmë e fortë ose, më saktë, një ulërimë fëmije, ndaj ktheva kokën dhe pashë një çift të ri, i cili kërkonte me ngulm ta hipte fëmijën e tij katër a pesë vjeç në karuzelin që, nën tingujt shurdhues të një muzike trullosëse, po rrotullohej me aq vërtik, saqë edhe unë do të mendohesha mirë para se të hipja atje një fëmijë të trembur, madje edhe sikur ta shoqëroja vetë atë fëmijë.

Si përfundim, u largova nga sheshi Skënderbe duke bluar me mendje dhunën që pësojnë pareshtur dy nga kategoritë më të brishta të shoqërisë sonë, dhunë ushtrimi i së cilës shpesh kalon pa u vënë re edhe në rrethana gati të papërfillshme, por gjithsesi domethënëse, siç e ilustrojnë dy fotografitë e çastit që bëra më 1 apo 2 janar në sheshin Skënderbe.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top