FB

April 4, 2023 | 9:00

Nga Edmond Tupja / E përditshmja në rrezik!

Njeriu, cilatdo qofshin rrethanat, ka vetinë, si çdo qenie e gjallë, të përshtatet me gjithçka në emër të mbijetesës; këtë e thotë fare thjesht filozofi dhe shkrimtari francez Albert Camus që në krye të romanit të tij “I huaji” (shqipëruar nga Rajmonda Vuçini), kur pohon se “njeriu më në fund mësohet me gjithçka”.

 

Nga Edmond Tupja / Publicist,përkthyes

Realiteti ynë edhe këto vitet e fundit e dëshmon më së miri këtë fakt: u mësuam me pasojat e tërmeteve, u mësuam me pasojat e kovidit, u mësuam me pasojat e varfërisë, u mësuam me pasojat e keqqeverisjes dhe të krizës ekonomike por ja, tani, teksa ka plasur lufta midis Ukrainës dhe Rusisë së Putinit, që ka tronditur mbarë botën, pasiguria ka përfshirë edhe shoqërinë shqiptare! Kjo është e kuptueshme: gjithçka po shtrenjtohet për arsye objektive, sepse çmimi i naftës dhe i gazit është rritur, rrjedhimisht janë rritur edhe çmimet e gjithë artikujve ushqimorë, por në vendin tonë gjithçka po shtrenjtohet edhe për arsye të keqadministrimit të situatës nga strukturat qeveritare përgjegjëse. Ndjenja e pasigurisë ekzistenciale për të tashmen konkretizohet me ndjenjën e frikës për të përditshmen, sepse ndihemi të kërcënuar nga lufta në vendin, qytetin apo fshatin, rrugën e shtëpinë tonë!

Ky kërcënim i të përditshmes sonë bëhet më i pranishëm kur dëgjojmë lajme ose shohim imazhe të luftës në Ukrainë dhe, për rrjedhojë, imagjinata na përcjell idenë se nesër viktima të luftës mund të na bien familjarët – prindër e fëmijë –, të afërmit, miqtë e shokët, madje edhe vetë ne! Nga ana tjetër, nga frika e së tashmes, e shohim veten tek i afrohemi greminës së ankthit, i cili, siç na mësojnë psikologët, është një shqetësim psikik e fizik, që lind nga një rrezik i afërt e i pashmangshëm; ankthi mund të na tejngopë me një frikë të përgjithshme që kalon nga gulçi tek paniku duke na përcjellë ndijime të dhimbshme e të padurueshme shtrëngese në lukth apo në laring, shpesh të shoqëruara me prerje oreksi ose me pagjumësi. Si pasojë, ankthi mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet tona familjare, profesionale e shoqërore.

Gjendjet e ankthshme bëhen edhe më problematike kur projektohen drejt së ardhmes në formë pyetjesh që mbeten detyrimisht pa përgjigje si, për shembull: Ç’do të bëhet me ne po të vijë lufta deri në Shqipëri? Po sikur të na prishet shtëpia? Ku do t’i strehojmë fëmijët e traumatizuar? Po prindërit e moshuar? Si do t’ia bëjmë për të ngrënë?

Urtësia popullore dhe shkenca psikologjike, pa harruar edhe përvojën e njerëzimit në këtë drejtim, na mësojnë se lidhur me pasigurinë, frikën e ankthin, duhet të dialogojmë me njëri-tjetrin, me njerëz të afërm, madje, pse jo, edhe me psikologun apo psikiatrin në rast nevoje, duke vënë theksin – për aq sa kjo është e mundur – te relativizimi i përjetimit patologjik të situatave të ngjashme me dramat njerëzore, pra, duhet zhdramatizuar çdo situatë sado e vështirë qoftë ajo, zhdramatizim që, si në terapitë individuale, ashtu edhe në terapitë e çiftit apo të grupit, duhet të mbështetet te dashuria për njeriun sepse, duam apo s’duam, siç e thekson Albert Camus-ja te libri “Miti i Sizifit”, mit simbol i fatit të njeriut (shqipëruar nga Petrit Sinani), “Sizifin duhet ta përfytyrojmë të lumtur”.

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.178, muaji Prill

 

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top