Psikofakt

May 2, 2018 | 14:30

Nga Edmond Tupja / Gruaja, rrufepritëse?

Po, dhuna e ushtruar sistematikisht kundër gruas në të dy trajtat e saj – fizike dhe psikologjike – është e vjetër sa nuk mbahet mend, me shumë gjasë sa vetë njerëzimi. Madje, sot e kësaj ditë, edhe në shoqëritë më të zhvilluara nga pikëpamja ekonomike dhe më të emancipuara nga ajo kulturore, gruaja ende është viktimë e dhunës në familje e në shoqëri, qoftë edhe në format e saj më të stërholluara.

E dëshmon qartë këtë realitet të hidhur, ndër të tjera, vetë fakti se, edhe në vendet e Bashkimit Europian, ka dhunë në familje, ka gra që vriten ose dhunohen egërsisht nga burrat e tyre; atje ka gra që, për punë të barabartë me burrat, paguhen më pak ose që, edhe kur e meritojnë më shumë se burrat të punësohen, mbeten jashtë tregut të punës për arsyen e vetme se janë femra etj., etj.

Edhe në vendin tonë, historikisht, për arsye socialkulturore, gruaja ka qenë e, mjerisht, mbetet objekt i një dhune të egër, siç e tregoi edhe vrasja e gjyqtares Hafizi nga bashkëshorti i saj. Ajo është rrufepritësja e një dhune që rezulton si pasojë e edukimit patriarkal të mashkullit që ka marrë dhe ende merr fëmija në gjirin edhe të familjes, edhe të vetë shoqërisë.

Sigurisht, zanafilla e kësaj dhune te burrat duhet kërkuar edhe te frustrimet e këtyre që në fëmijërinë e hershme, sidomos te dhuna e ushtruar ndaj nënës nga babai në prani të atyre. Nga ana tjetër, djemtë e dhunuar nga babai ose vëllai i madh që kur janë fëmijë, por, ndonëse në një shkallë shumë më të ulët, edhe nga nëna ose motra e madhe, do të kenë prirje, me të dalë nga adoleshenca, të ushtrojnë edhe ata dhunë mbi të tjerët qoftë në gjirin e familjes, qoftë edhe jashtë asaj.

Kjo dhunë, e ushtruar sistematikisht, e kthen medoemos femrën, që është më e brishtë, pra më e pambrojtur fizikisht e psikologjikisht, në viktimë, në pikë shkarkimi edhe të streseve të jetës së përditshme. Më e keqja është se nënat e dhunuara nga baballarët e fëmijëve, do ta shkarkojnë mbi fëmijët e tyre – sigurisht pa dashje, por të shtyra nga rrethanat – frikën, ankthin dhe rraskapitjen nervore ose psikologjike që u ka përcjellë dhuna në fjalë.

Zakonisht, pretendohet që emancipimi i shoqërisë do të shpjerë në emancipimin e gruas, kjo është e vërtetë, por po aq e vërtetë është e anasjella, pra, emancipimi i gruas do të shpjerë në emancipimin e shoqërisë në përgjithësi dhe të meshkujve në veçanti. Këtë e dëshmon edhe rasti i vrasjes së gjyqtares Hafizi, nënës së dy vajzave, nga dora e babait të tyre: shoqëria shqiptare u trondit nga themelet, disa mijëra gra shqiptare guxuan më në fund të kallëzonin në organet e policisë autorët e dhunës së ushtruar kundër atyre në gjirin e familjes, me mijëra burra gjithashtu e dënuan këtë vrasje, reaguan shoqëria civile, qeveria e veçanërisht mediat.

Gjithsesi, jo vetëm grave shqiptare, por edhe bijve e bijave, të afërmve e fqinjëve të tyre u mbetet të reagojnë publikisht ndaj formave më tinëzare të ushtrimit të dhunës kundër atyre jo vetëm në familje, por edhe në vendet e tyre të punës e në hallka të tjera të shoqërisë et të shtetit shqiptar.

Sepse nënat, bashkëshortet e motrat tona nuk duhet të presin më rrufe dhune, përkundrazi, ato meritojnë plotësisht të presin vetëm mirëkuptim e dashuri.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top