Sipas një proverbi të vjetër, “gjuha kocka s’ka dhe kocka thyen”. Rrjedhimisht, duhet të kemi kujdes kur i përdorim disa fjalë dhe sidomos disa mënyra të shprehuri, se ashtu siç mund ta miklojmë tjetrin, po ashtu mund edhe ta lëndojmë përmes asaj që i themi, kjo edhe në vartësi jo vetëm të marrëdhënieve që kemi me atë, por gjithashtu të rrethanave në të cilat ndodhemi.
Pra, kujdes me fjalët, veçanërisht kur u drejtohemi fëmijëve. Kështu, jo rrallëherë dëgjojmë nëna dhe gjyshe që i përkëdhelin fëmijët e vegjël duke u thënë, për shembull, “Vdektë nëna për ty sa i zgjuar që je!” ose “Oh, të keqen nëna sa bukur e the!”. Nocionet e vdekjes dhe të së keqes fëmijët i kanë ende të turbullta dhe, sado që t’ua shpjegojmë thjesht e qartë, ne, prindër apo të afërm, rrezikojmë t’i mbingarkojmë psikologjikisht kur termat që u referohen dy nocioneve në fjalë i përdorim për t’i përgëzuar ose për t’i lavdëruar ata.
Ja çfarë ndodhi një ditë, vite më parë, në familjen e dikujt, komshiut të vjetër të të cilit sapo i kishte vdekur bashkëshortja. E intriguar nga kjo ngjarje, vajza e vogël e kishte pyetur gjyshen se ç’kuptim kishte shprehja “fut në dhè” dhe gjyshja i kishte shpjeguar se kur dikush vdes, pra pushon së jetuari, atë e lajnë, e veshin bukur, e vendosin në një kuti të madhe dhe e fusin në dhè, d.m.th. në një gropë të thellë të quajtur varr, që të flerë përgjithmonë atje; pastaj, sa herë që të afërmit i shkojnë te varri, i çojnë lule të freskëta e të bukura.
Pas pak kohësh, vajza e vogël kishte dalë me të ëmën për të blerë diçka dhe një shoqe e kësaj i kishte thënë: “Oh, të hëngsha sytë e bukur! Oh, të futsha në dhè sa e mirë që qenke!” Mandej, i kishte përkëdhelur flokët dhe e kishte puthur në të dyja faqet para se ta qeraste me një akullore. Pasi u kthyen në shtëpi dhe e ëma nisi të merrej me përgatitjen e drekës, vajza e vogël, kishte shkuar te dhoma e gjyshes që po bënte triko, dhe e kishte pyetur: “O nëna, po kur të më shtien mua në dhè, a do të vish ti të më sjellësh lule?”.
Problemi i vërtetë në këtë histori qëndron te fakti se, shpesh, në mënyrë të pavetëdijshme, ne, të rriturit, përdorim fjalë e shprehje me ngarkesë dhune edhe në formë shakaje si, për shembull, kur i themi dikujt fort të zgjuar: “Ah, ti je për t’u vrarë!”, “Ah sa i poshtër je ti!” etj., ose kur i dashuri i thotë së dashurës: “Sa më ka marrë malli për ty! Sonte do të të ha të gjallë!”. Këto fjalë e shprehje, të rriturit dinë t’i interpretojnë e t’i kuptojnë siç duhet kur ia thonë njëri-tjetrit, përdorimi i tyre nuk krijon asnjë keqkuptim midis tyre, çka nuk është rasti kur një i rritur ia thotë ato një fëmije të vogël.
Gjithsesi, duke u rritur, fëmija do të ftillohet psikologjikisht dhe, me shumë gjasë, përshtypja që mund t’i ketë lënë përdorimi i kësaj apo asaj fjale a shprehjeje të dhunshme, në trajtë përkëdhelie, do t’i fshihet nga kujtesa, por kush na siguron që, në rrethana e nën trysni të paparashikuara, përshtypja në fjalë nuk do të rishfaqet më vonë e shumëfishuar duke sjellë pasoja të pakëndshme?
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.