Prej vitesh, në shoqërinë tonë është bërë tashmë traditë që 2 Prilli të përjetohet si dita jo thjesht e sensibilizimit të opinioni publik lidhur me autizmin, por edhe e një beteje që mbarë njerëzimi po zhvillon kundër kësaj sindrome të frikshme; le të përmendim, sa për kujtesë, se në shtetin e Dakotës (SHBA), një ndër 85 të porsalindur shfaq shenjat e autizmit.
Para gati 15 vitesh në Shqipëri, sipas hamendësimit të disa psikologëve e psikopediatrëve, numëroheshin rreth pesë a gjashtëmijë fëmijë autikë, po aktualisht sa? Nga ana tjetër, janë hapur disa qendra trajtimi fëmijësh autikë jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, ndër të cilat Qendra Rajonale e Autizmit, që drejtohet nga zonja Liri Berisha.
Me gjithë përpjekjet e lavdërueshme të qendrave në fjalë ku punohet me fëmijët autikë, por në disa syresh edhe me prindërit e tyre, kushtet e jetesës së familjeve me subjekte autike, të ardhurat e tyre të pamjaftueshme, streset e vështirësitë me të cilat ato hasen përherë e më shumë, bëjnë që jeta me një fëmijë autik të jetë një kalvar i vërtetë, pa harruar që shteti ynë është treguar thuajse i pandjeshëm ndaj familjeve të sapopërmendura, ngaqë shumica e pushtetarëve tanë nuk e njohin empatinë, madje as nuk e dinë ç’është empatia, rrjedhimisht nuk e njohin dhembshurinë njerëzore, nuk e njohin dashurinë e vërtetë për njeriun.
Në këtë kuadër, nisur nga përvoja vetjake, por edhe nga ajo e disa prindërve të tjerë fëmijësh autikë, jam i mendimit se ajo për çka kanë më shumë nevojë këta fëmijë është, së pari e para së gjithash, vëmendja dashamirëse dhe sidomos dashuria, sepse, sidoqoftë, edhe ata dinë të falin dashuri, pavarësisht mënyrës si e shfaqin këtë. E di që hallet, telashet e andrallat e ekzistencës së tyre, i bëjnë bashkëvuajtësit e mi të humbasin durimin, të nervozohen, madje, jo rrallëherë, të tregohen të vrazhdë e, madje, të dhunshëm, ndërkohë që u takon pareshtur të kalitin durimin, cilësi kjo që iu duhet bërë jo vetëm shprehi por edhe virtyt, sepse, sipas një filozofi të lashtësisë, “durimi është hapi i parë drejt përsosurisë”.
Po, po, o bashkëvuajtësit e mi, na duhet të tregohemi të duruar në çdo minutë, t’u buzëqeshim e t’u flasim me butësi fëmijëve tanë autikë, të tregohemi të vëmendshëm orë e çast me ata, madje edhe kur na gërvishtin, nga kafshojnë e na godasin në momente krize të dhunshme. Vëmendja jonë dashamirëse ndaj atyre do të na ndihmojë të zbulojmë arsyet e vërteta të shqetësimeve, të reagimeve, të dhimbjeve që ndiejnë, por që nuk dinë t’i rrëfejnë me fjalë.
Fëmijët tanë autikë, kur ne u kushtojmë vëmendje dhe u falim më shumë dashuri, na bëjnë më të vëmendshëm edhe ndaj të tjerëve – qofshin këta familjarë, të afërm, shokë e miq apo kolegë, fqinj, madje edhe të panjohur. Pra – mos u habitni për këtë – ata na bëjnë më të mirë, më të njerëzishëm!
Së fundi, por jo më së paku, unë e di, o bashkëvuajtësit e mi, sa i tmerrshëm është ankthi që na kaplon kur vrasim mendjen se ç’fat mund t’i presë fëmijët tanë të brishtë pas vdekjes sonë dhe ky mendim na trondit deri në rrënjët më të thella të shpirtit. Megjithatë, le të bëjmë çmos që t’ia zgjatim jetën vetes për t’u qëndruar atyre pranë sa më gjatë pikërisht në emër të dashurisë që ata na falin aq dëlirësisht!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 166
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.