Psikofakt

October 4, 2018 | 9:05

Nga Edmond Tupja / Një sajesë diskriminuese

Për një kohë të gjatë diskriminimi gjinor, që në fakt është një diskriminim social, tipik për gjithë rendet shoqërore që ka njohur deri më sot njerëzimi, është mbështetur edhe mbi baza të ashtuquajtura shkencore, pra, të rreme.

Edmond Tupja

Edmond Tupja

Që kur isha ende gjimnazist i ndrojtur, në maturë, para se të përcaktoja degën që do të ndiqja në universitet, qarkullonte ideja se djemtë janë më të prirur për shkencat e sakta – matematikë, fizikë, kimi, inxhinieri etj., etj., – kurse vajzat për fusha të tilla si farmaceutika, mësimdhënia, gjuha e letërsia, stomatologjia e infermieria. Para dy-tre vjetësh, pra më se gjysmë shekulli më vonë, shkenca, ajo e vërteta, seriozja, arriti në disa përfundime që e tronditën dhe e hodhën poshtë idenë e diferencimit gjinor për sa u përket prirjeve të “lindura”.

Ç’është e vërteta, përvoja tashmë tregonte, prej vitesh të tëra, sidomos në vendet e zhvilluara e me emancipim shoqëror më të theksuar se vendet në zhvillim e sipër, se kishte vajza që shkëlqenin në fushat e “rezervuara” për djemtë, pra, edhe në matematikë, fizikë, kimi, inxhinieri etj., etj., ndonëse kjo dukuri ende konsiderohej nga opinion gjoja shkencor si një përjashtim. 

Mirëpo, pikërisht para dy-tre vjetësh, lajmi u bë botërisht i ditur: prej shekujsh vajzave u ishte krijuar në tru një vatër dominonte frenuese nga trysnia e sajesës diskriminuese sipas së cilës ato paskeshin më pak prirje se djemtë për shkencat e sakta. Por çfarë kishte qenë në zanafillë të kësaj sajese? Opinioni me ngjyrim mashkullist i përhapur jo vetëm në vetë rrethet shkencore, por edhe në gjirin e familjes e të shoqërisë.

Studimet psikologjike të viteve të fundit kanë treguar se edhe vetë vajzat ia ushqenin vetes këtë mendësi, duke vazhduar kështu, në njëfarë mënyre, dashur padashur, sidomos në shoqëritë e paemancipuara, traditën mesjetare obskurantiste të përkushtimit të femrës vetëm ndaj familjes nëpërmjet punëve të shtëpisë si të afta kryesisht për të larë e shpëlarë, për të gatuar, për të lindur e për të rritur fëmijë të shëndetshëm.

Nga ana tjetër, edhe në fushën e sporteve, ushtronte ndikimin e saj e njëjta sajesë diskriminuese. Kur isha maturant, nuk kishte ekipe femërore futbolli, peshëngritjeje apo mundjeje, këto sporte konsideroheshin si veprimtari mashkullore sui generis. Sot, në botën e emancipuar, përvoja tregon se femrat janë të afta të praktikojnë të njëjtat sporte si meshkujt. Së fundi, kush mund të imagjinonte se një ditë femrat do të dëshmonin, siç është rasti në ditët tona, se janë tërësisht të afta të drejtojnë shtetin duke u bërë edhe presidente, deputete, kryeministre, ministre, prokurore e gjykatëse.

Në kuadrin e emancipimit të shoqërisë, suksese të pamohueshme janë arritur falë zbatimit të parimit universal të barazisë gjinore, por, sigurisht mbetet ende për të bërë që sajesat diskriminuese të trashëguara nga e kaluara e largët dhe ajo e afërt të mos i frenojnë më vajzat e gratë në pjesëmarrjen e tyre aktive e të garantuar në të tëra fushat e veprimtarisë shoqërore.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top