Psikofakt

February 14, 2017 | 8:41

Nga Edmond Tupja / Paragjykimi më i lashtë në botë

Të shumta janë ende sot paragjykimet në botën tonë moderne, të shumta kanë qenë ato edhe në të kaluarën, por jo pak prej atyre do të mbeten edhe për mjaft kohë, sidomos në vendin tonë. Siç dihet, paragjykimet prekin një numër të konsiderueshëm sferash të veprimtarive njerëzore. Gjithsesi, njëri prej paragjykimeve më të lashta, në mos më i lashti, është ai i epërsisë së mashkullit ndaj femrës, paragjykim ky i nxitur e i mirëmbajtur nga regjimet obskurantiste dhe/ose diktatoriale e dikurshme, por edhe sot nga një tendencë seksiste kryeneçe. Kështu, femrat ende konsiderohen, në mjaft vende, si më të zonja në fusha të tilla si  arsimi parashkollor, ai fillor dhe ai i mesëm,  si mësimdhënia e gjuhëve të huaja, si shkencat njerëzore (antropologji, psikologji, sociologji e gjuhësi), farmakologjia dhe infermieristika, kurse meshkujt si më të aftë në shkencat e sakta dhe disa të tjera, në art e letërsi, si edhe, veçanërisht, në qeverisje.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Meqë ra fjala te shkencat e sakta, është pikërisht  dhuntia për matematikë që, për shekuj të tërë, është konsideruar si tipike mashkullore, paragjykim ky që mbështetej te një teori, sipas së cilës truri femëror është ndërtuar në mënyrë të tillë që i privon femrat nga kjo dhunti, ndërsa truri i mashkullit, sipas së një njëjtës teori, na qenka më i predispozuar për matematikë se ai i femrës. Mirëpo, këto kohët e fundit, shkencëtarët që studiojnë funksionet e trurit njerëzor, kanë zbuluar se e ashtuquajtura mungesë e dhuntisë për matematikë te femrat shpjegohet me faktorë socialë: Meqë ndër shekuj, shoqëria, e drejtuar dhe e kontrolluar nga meshkujt, ka menduar dhe këmbëngulur se femrat nuk janë të afta për matematikë, vetë femrat, duke iu nënshtruar këtij paragjykimi, kanë bërë që në trurin e tyre të krijohet një vatër e fuqishme frenimi lidhur me aftësinë e tyre në fushën e matematikës, sidomos të matematikës së lartë.

Ka plot shembuj të tjerë si ky i matematikës që dëshmojnë për këtë vetëfrenim me origjinë psikosociale te femra, por paragjykimi tjetër që të bën po aq përshtypje është se për fushat ku mendohet se femra është më e talentuar se mashkulli, pretendohet se kjo epërsi na qenka thjesht sasiore dhe jo cilësore, për shembull, në fushën e artit të kuzhinës sigurisht që ka më shumë femra që gatuajnë, por kuzhinierët më të mirë na qenkan meshkuj!

Mobbing

Një paragjykim tjetër, i këtyre dy-tri dekadave të fundit, vihet re në kuadrin e barazisë gjinore në nivelet e qeverisjes së një vendi: Sot kërkohet me të madhe që, si në strukturat e pushtetit qendror, ashtu edhe në ato të pushtetit vendor, të kemi realisht barazi gjinore, mirëpo kjo barazi gjinore jo rrallëherë konsiderohet thjesht si fryt i diskriminimit pozitiv, pra, i futjes në strukturat e lartpërmendura i një numri femrash “paçka se, tani për tani, ato nuk qenkan aq të afta sa kolegët e tyre për të qeverisur”!

Sigurisht, do të duhet njëfarë periudhe që, në vendin tonë, femrat të fitojnë besim e siguri në aftësitë e tyre kudo që punojnë përkrah meshkujve, por këta të fundit duhet t’i flakin tutje paragjykimet e tyre dhe të pranojnë që kudo, në familje, punë e shoqëri, femrat janë të zonjat të ecin me të njëjtin hap si ata, madje, pse jo, të jenë po aq, në mos më shumë, të suksesshme në tërë veprimtaritë që organizojnë dhe drejtojnë pa komplekse inferioriteti.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top