FB

November 24, 2026 | 10:45

Freddie Mercury, zëri që sfidoi kohën dhe u bë i pavdekshëm

Freddie Mercury, i lindur me emrin Farrokh Bulsara, më 5 shtator 1946, ishte një nga figurat më të jashtëzakonshme të historisë së muzikës botërore. Një artist që nuk u mjaftua vetëm të këndonte, por arriti të krijonte një identitet unik skenik, duke u kthyer në simbol të muzikës rock dhe të lirisë artistike.

Fredi Merkuri3

I lindur në Zanzibar, në një familje me origjinë parsi dhe i rritur pjesërisht në Indi, Mercury u vendos në Britaninë e Madhe, ku nisi rrugëtimin që do ta çonte drejt famës ndërkombëtare. Në vitin 1970, së bashku me Brian May, Roger Taylor dhe më vonë John Deacon, u bë pjesë e grupit legjendar Queen.

Me një zë të fuqishëm, një diapazon vokal të jashtëzakonshëm dhe një prani skenike që rrallë është përsëritur, Mercury e shndërroi Queen në një nga grupet më të suksesshme të të gjitha kohërave. Këngë si Bohemian Rhapsody, We Are the Champions, Somebody to Love, Don’t Stop Me Now dhe The Show Must Go On mbeten edhe sot pjesë e kujtesës muzikore botërore.

Fredi Merkuri2

Ai ishte një artist që thyente rregullat, sfidonte konvencionet dhe e trajtonte skenën si një hapësirë ku mund të ishte plotësisht vetvetja. Performanca e tij në koncertin Live Aid, në vitin 1985, konsiderohet edhe sot një nga momentet më të mëdha në historinë e muzikës live.

Fredi Merkuri1

Një jetë e jashtëzakonshme, një betejë e heshtur
Pas shkëlqimit të skenës fshihej një betejë personale, të cilën Mercury e mbajti larg vëmendjes publike për një kohë të gjatë. Në vitet e fundit të jetës, ai vuante nga SIDA, sëmundja e shkaktuar nga virusi HIV.
Më 23 nëntor 1991, përmes një deklarate publike, ai konfirmoi se ishte diagnostikuar me sëmundjen e shekullit. Vetëm një ditë më vonë, më 24 nëntor 1991, Freddie Mercury ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Londër, në moshën 45-vjeçare. Shkaku i menjëhershëm i vdekjes ishte bronkopneumonia, e lidhur me SIDA-n, në kushtet e një sistemi imunitar të dobësuar rëndë.
Largimi i tij tronditi botën e muzikës, por nuk e mbylli historinë e tij. Përkundrazi, ai u kthye në një simbol të fuqisë së artit, të guximit për të qenë ndryshe dhe të ndërgjegjësimit për HIV/SIDA.

Fredi Merkuri

Përtej muzikës, Mercury la pas edhe shprehje që pasqyrojnë karakterin e tij: ironik, rebel, emocional dhe thellësisht artistik. Disa prej thënieve më të njohura të tij janë:
“Nuk do të jem një yll rock-u. Do të jem një legjendë”.
“Gjëja më e rëndësishme është të jetosh një jetë të jashtëzakonshme. Për sa kohë është e tillë, nuk ka rëndësi sa zgjat”.
“Më pëlqen fakti që mund t’i bëj njerëzit të lumtur”.
“Kur të kem vdekur, dua të kujtohem si një muzikant me vlera dhe përmbajtje”.
“Nëse vdes nesër, nuk do të kem pendesa. Kam bërë vërtet gjithçka që kam mundur”.

Fredi Merkuri4

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top