Dikur çështja shtrohej me terma humoristike: Hamë për të jetuar apo jetojmë për të ngrënë, ndërsa sot, sidomos kur vjen fundi i pushimeve të verës, për ata që, sigurisht, shkojnë të pushojnë brenda apo jashtë shtetit, çështja shtrohet me terma sociale: Punojmë për të shkuar me pushime apo pushojmë që të marrim fuqi për punë?
Kjo dialektikë punë/pushime mund të shpjegohet më thjesht me parimin e enëve komunikuese: kur njëra enë mbushet, tjetra detyrimisht zbrazet. Kështu, shumëkush e di fort mirë nga përvoja e tij se kur punojmë mbi njëmbëdhjetë muaj rresht (sepse, të paktën deri tani, viti ka rrumbullak dymbëdhjetë muaj), kemi nevojë për pushime në mënyrë që të çlodhemi e të këndellemi, pra që ta marrim veten për të qenë të gatshëm të punojmë sërish dhe në këtë mënyrë të jetojmë deri vitin pasardhës, kur do të përsërisim të njëjtën gjë në emër të dialektikës punë/pushime e kështu deri ditën kur do të pushojmë përfundimisht në gjirin bujar të tokës që na mban e na ushqen, në thellësi të së cilës prehen eshtrat e paraardhësve tanë që kur njeriu u shfaq për herë të parë.
Njeriu ndërgjegjësohet për këtë dialektikë kur del në jetë, pra, kur detyrohet të punojë që të ushqejë e të mirëmbajë veten dhe familjen e tij. Fëmijët, adoleshentët, madje edhe gjimnazistët e studentët, priren të privilegjojnë njërin pol, pushimet, zbavitjen, qejfin, pra atë që italianët, popull po aq mesdhetar sa ne, shqiptarët, e quajnë il dolce farniente, çka, e përshtatur në gjuhën shqipe, jep “e ëmbla dembeli” (Vëreni sa këndshëm tingëllojnë këto dy fjalë).
Të shumtë janë ata – e kam fjalën për të rriturit – që ende e mbajnë mend se sa mërziteshin në fëmijërinë e tyre kur vinte fundi i pushimeve, madje aq sa, kur në fillim të shtatorit, pra, në ditët e para të shkollës, po të mungonte ndonjë mësues, nxënësit e atëhershëm gëzoheshim, sepse atë orë mund të luanin me top ose me diçka tjetër; e njëjta gjë u ndodhte edhe në gjimnaz ose në fakultet: gëzoheshin kur, për një arsye çfarëdo, anulohej mësimi dhe ata shkonin, në përgjithësi, në kinema ose në kafene dhe jo të lexonin në bibliotekë.
Ndryshe ndodh tani me ne, të rriturit – e kam fjalën për ata, të cilët janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë – familjare, profesionale e shoqërore – që mbajnë mbi supe. E thënë ndryshe, e kemi kuptuar që pa punë nuk mund të ketë pushime as për ne personalisht, as për familjet tona. Për këtë arsye, edhe kur jemi me pushime, në ndërgjegjen tonë vigjëlon vëmendja ndaj enëve komunikuese në mënyrë që dy polet e dialektikës punë/pushime të jenë në ekuilibër të plotë.
Së fundi, të mos harrojmë se dialektika në fjalë ka të bëjë, sigurisht, me ata që punojnë dhe kanë mundësi të shkojnë me pushime, të tjerët – të papunët, të skamurit, një numër jo i paktë pensionistësh, si edhe të sëmurët rëndë e handikapatët – nuk mund t’i gëzojnë frytet e saj. Në këtë pikë, shoqërisë sonë, shtetit tonë, ne të gjithëve na mbetet ende shumë për të menduar e për të bërë.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.