FB

June 7, 2022 | 10:01

Nga Edmond Tupja / Përtej klisheve

Që në moshë të vogël, në familjet punëtore, fshatare dhe intelektuale, si edhe në shkollë, na është thënë e na është ngulitur në kokë se puna e shndërroi primatin, një lloj majmuni, në njeri, se njeriu i ndershëm jeton në sajë të punës që bën, se përtacia është burimi i tërë të këqijave, se Zoti apo Perëndia, që krijoi njeriun, e dënon këtë kur tregohet përtac, se nuk duhet përbuzur asnjë lloj pune, se puna është nder, madje edhe lavdi, se kush punon, gëzon etj. etj…

Nga Edmond Tupja

Nga ana tjetër, një numër i konsiderueshëm intelektualësh filozofë, moralistë e shkrimtarë, ndër të tjerë, kanë nënvizuar se “Puna është diçka e bukur dhe fisnike. Ajo të bën të ndihesh krenar dhe të kesh besim te vetja, një besim që nuk mund të ta japë pasuria që ke trashëguar” (Alfred de Vigny) dhe se “Puna është e vlefshme për njeriun. Ajo e ndihmon t’i harrojë hallet e jetës së tij” (Anatole France). Pra, puna prej shekujsh është konsideruar si burim i sigurt të mirash jo vetëm materiale, por edhe shpirtërore, sidomos në fushën e arteve dhe të kulturës. Megjithatë, që në fillimet e jetës së njeriut në planetin tonë, puna është konsideruar edhe si mundim, lodhje, rraskapitje; në frëngjisht, për shembull, fjalës “travail” pra “punë”, e ka zanafillën tek fjala “trepalium”e latinishtes së vonë, variant i fjalës gjithashtu latine “tripalium” d.m.th. “vegël, instrument torture”, e cila vjen nga fjala “tripalis” e latinishtes klasike, që do të thotë “me tre hunj”, çka na sjell në kujtesë, si shembull fort domethënës, punën rraskapitëse të skllevërve në kohën e faraonëve ose atë të bujkrobërve në kohën e feudalizmit.

Nga ana tjetër, në veprën e tij “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2017), gjuhëtari Kolec Topalli na mëson se fjala shqipe “punë” vjen nga fondi indoeuropian dhe lidhet me rrënjën “ponda”në kuptimin “peshë, rëndesë”, ku bën pjesë fjala latine “pondus” po në kuptimin “peshë”, si edhe fjala përkuese në greqishten e vjetër me kuptimin “punë e rëndë, mundim”, siç na mëson gjuhëtari Hahn.

Sidoqoftë, sot çdo punë, e cila i sjell njeriut të ardhura të mjaftueshme për të jetuar denjësisht, konsiderohet, pavarësisht vështirësive që paraqet, si diçka e domosdoshme që e mban gjallë atë dhe familjen e tij.

Përtej kësaj, psikologët na mësojnë se puna mund të shërbejë gjithashtu si terapi, çka e konfirmon edhe vetë termi “ergoterapi”, një degë e mjekësisë kjo, që merret me trajtimin riedukues të të gjymtuarve, të invalidëve dhe të sëmurëve mendorë përmes punës fizike, me dorë, në përshtatje me mundësitë e tyre, çka u jep shanse të gjejnë një vend pune sado modest, duke forcuar kështu marrëdhëniet e tyre shoqërore, çka i bën ata të harrojnë deri diku handikapin e tyre aq privues. Së fundi, psikologët u ofrojnë sot mundësi njerëzve të lodhur nga jeta dhe streset e saj që të gjejnë lehtësim e shtendosje si në punë, ashtu edhe në shtëpi. Në këtë drejtim, një rëndësi të veçantë marrin sot disa lloje jogash të bazuara tek frymëmarrja dhe tek meditimi, çka pakëson ndjeshëm efektet e stresit dhe madje e bëjnë njeriun ta shohë pikërisht punën me një sy tjetër dhe ta përjetojë rëndësinë e saj përtej klisheve të lartpërmendura.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 167

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Drejtor Marketingu - Geart Shehu: 0682097486
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
Boana Shenjtolli: 0694767053
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top