FB

July 25, 2023 | 8:28

Nga Edmond Tupja / Pushimet, burim stresesh…

Dihet se, ende pa ardhur mirë stina e verës, njerëzit nisin të bëjnë projekte pushimesh: T’i kalojnë ato buzë detit apo në malësi, brenda vendit apo jashtë shtetit, me familjarë, me miq, me shokë apo me kolegë ose edhe vetëm fare?”.

 

Nga Edmond Tupja 

 

Mirëpo, shpesh, përcaktues, madje kufizues, shfaqet faktori ekonomik: Sa do t’u kushtojë po të zgjedhin këtë apo atë variant pushimesh? Me sa duket, ky faktor përbën burimin kryesor të një stresi të pashmangshëm veçanërisht në kushtet aktuale të jetesës jo vetëm në Shqipëri, por edhe në kontinentin tonë tani që çmimet nuk reshtin së ngrituri si pasojë, ndër të tjera, edhe të luftës në Ukrainë.

 

Sigurisht që ky stres nuk shfaqet tek ata që kanë të ardhura tejet modeste apo që vuajnë për bukën e gojës sepse janë të papunë dhe për këtë kategori shoqërore pushimet janë një ëndërr e parealizueshme që përjashton edhe vetë zilinë. Njerëzit e kësaj kategorie ndiejnë vërtet dhimbje kur shohin që fëmijët do t’ua kalojnë muajt e nxehtë të verës në shtëpi, do të enden apo do të luajnë rrugëve e shesheve me pluhur duke rrezikuar ndoshta të marrin lloj-lloj vesesh, kështu që e gjitha kjo do t’u sëmbojë në zemër dhe do t’u pikojë dhimbje në shpirt. Ndërkohë, duhet pranuar se pjesëtarët e kategorive të tjera shoqërore, bashkë me fëmijët e tyre, të cilët kanë mundësinë dhe fatin t’i shijojnë pushimet e verës, nuk janë pa strese ose, të paktën, pa dilema kur vjen kjo stinë: për shembull, në një familje gjyshërit e moshuar do të kishin dëshirë të pushonin në malësi, larg rrëmujës, larg zallamahisë së qyteteve bregdetare, ndërsa çiftet e reja do të parapëlqenin bregdetin me gjallërinë e plazheve dhe jetën by night, pa harruar adoleshentët me tekat e tyre të paparashikueshme.

Nga ana tjetër, ata që kanë poste të rëndësishme në qendra apo institucione – qoftë publike, qoftë private –, me t’u larguar me pushime qoftë edhe brenda vendit, e ndiejnë veten të stresuar kur mendojnë se orë e çast shefi i madh mund t’i thërrasë të kthehen në punë me ngut, qoftë dhe për disa orë, për ndonjë problem të papritur që kërkon zgjidhje të menjëhershme.

Së fundi, por jo më së paku, strese u rezervojnë disave edhe pushimet jashtë shtetit, sidomos atyre që lënë në shtëpi prindërit me ndonjë sëmundje të moshës së madhe, të cilëve u besojnë si detyra të mirëmbajnë qenin ose macen, të ujisin lulet apo edhe të mos harrojnë të paguajnë ndonjë faturë energjie elektrike, uji, telefoni sipas rastit, shtoju këtyre edhe shqetësimin se mos u ndodhë largqoftë diçka e pashmangshme, pikërisht në mungesë të tyre, prindërve të moshuar që i kanë larg, ndonëse për pak kohë, nën kujdesin e ndonjë të afërmi apo të ndonjë fqinji, çka i shtyn t’u telefonojnë atyre çdo ditë me dorë e me shpirt të dridhur.

Nisur nga sa më sipër, ndoshta ka njerëz të cilët, për të mos rrezikuar të paparashikueshmen, parapëlqejnë të mos e përjetojnë fare stresin e pushimeve të verës! Në ç’mënyrë? Në mënyrën më të thjeshtë, pra, duke mos shkuar me pushime, madje ata që nuk kanë asnjë mundësi për të pushuar larg shtëpisë, ndoshta diku thellë në shpirtin e tyre, ngushëllohen me idenë që, sidoqoftë, kanë kështu një stres më pak.

 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.182, muaji Gusht 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top