FB

December 2, 2023 | 6:08

Nga Edmond Tupja: Ura më e bukur…!

“Pak nga pak u trash ajo miqësi, dhe ja tek u kthye në dashuri!”; këto vargje të një kënge dashurie i përkasin kohës kur ende isha gjimnazist, për të cilat më kujtohet që i diskutuam edhe në klasë me mësuesen e letërsisë.

Nga biseda që patëm, mbaj mend se ajo u mjaftua të na shpjegonte ndryshimin midis miqësisë dhe dashurisë si vijon: miqësia qenkësh një ndjenjë dashamirëse midis njerëzish pa lidhje gjaku, por që kanë besim tek njëri-tjetri dhe respekt të ndërsjellë, ndërsa dashuria qenkësh një ndjenjë e zjarrtë dhe e pastër, mbështetur tek dashamirësia, pëlqimi dhe adhurimi për dikë të gjinisë tjetër; mirëpo pasi pohoi me gjysmë-zëri se miqësia mund të kthehet në dashuri, ajo na këshilloi që t’u përkushtoheshim mësimeve duke ruajtur të çiltër miqësinë që na lidhte si nxënës-nxënëse të së njëjtës klasë, të së njëjtës shkollë; asokohe unë nuk e dija që Cocteau, shkrimtar francez, kishte thënë se “miqësia midis një burri dhe një gruaje është e brishtë, se gjithsesi ajo është në njëfarë mënyre dashuri”.

Sot, besoj se mësueset dhe mësuesit janë emancipuar dhe të aftë për t’iu përgjigjur pa ndrojë pyetjeve të nxënëseve dhe të nxënësve. Sipas mendimit tim, është diçka e bukur kur miqësia e vërtetë dhe e sinqertë midis dy të rinjve shndërrohet gradualisht, si pa rënë në sy, në dashuri. Është diçka e bukur, thuajse e magjishme, kur një i ri apo një e re befas e kupton se ka rënë pikërisht në… në… dashuri! Sidoqoftë, kjo do kohën e vet, sepse, siç thotë një proverb latin “Festina lente!”, domethënë “Nxitohu ngadalë!”. Për mendimin tonë, “nxitimi i ngadalshëm” bëhet përmes disa fazash:

Faza e parë, ajo e një kënaqësie të pashpjegueshme që ndiejnë qoftë djali, qoftë vajza, në momentin kur, ende pa e kuptuar, vërejnë se, në mënyrë krejt të dëlirë, u pëlqen të rrinë bashkë, të flasin, madje edhe të heshtin.

Faza e dytë, ajo e turbullimit, fillon në momentin kur, në mënyrë krejt të pafajshme, që të dy ndiejnë një emocion të paprovuar më parë, veçanërisht kur lidhen me anë vështrimesh të zgjatura, çka provokon tek ata një skuqje të lehtë të fytyrës, pra një vërshim adrenaline. Faza e tretë, ajo e të prekurit jo më me vështrime ashtu si pa dashje, si rastë – sisht, por me dorë, me krah apo edhe me trup tek vallëzojnë në disko apo në një party me raste ditëlindjesh.

Faza e katërt, ajo e ndërgjegjësimit, pra përfundimtare, është kur që të dy i poho – jnë së pari vetes, mandej edhe njëri-tjetrit, me gojë apo me shkrim, pak rëndësi ka, se kanë rënë në dashuri. Në vitin 1822, Stendhal-i botonte sprovën e tij “De l’amour” (Për dashurinë) në kapitujt e parë të së cilës, pasi përshkruante etapat e ndryshme të dashurisë, trajtonte edhe teorinë e tij të “kristalizimit”, d.m.th. të idealizimit që, në zanafillë të lindjes së dashurisë, të dashuruarit i bëjnë njëri-tjetrit; rrjedhimisht dhe si përfundim, mund të pohojmë se kur kalojnë nga miqësia në dashuri, dy të rinj nuk duhet të harrojnë se kanë kaluar në urën më të bukur të jetës së tyre. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top