Psikofakt

January 30, 2017 | 10:05

Nga Edmond Tupja/ Vulëhumburit

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Dikur, asokohe isha gjimnazist, nuk e di se si më kishte rënë në dorë një libër që, në faqen e parë, kishte gjurmën e një vule ku shkruhej “Biblioteka personale e…”, por emrin dhe mbiemri i pronarit të librit ishin të palexueshëm thjesht për faktin se ishte grisur cepi i faqes ku ata figuronin. I ri siç isha, nuk u interesova të mësoja se cili ishte zotëria në fjalë.

Tani që kam hyrë prej vitesh në moshën e tretë (e treta, e vërteta?), nuk e di sesi m’u zgjua ky kujtim dhe, rrjedhimisht, më lindi ideja që, të paktën librave më të çmuar që kam në bibliotekën time, t’u vë në faqen e parë apo të fundit, pak rëndësi ka, një vulë të tillë, të shoqëruar me firmën time jo aq për modesti të rreme të tipit “unë rroj te lexuesi”, sesa për të lënë një gjurmë ngacmuese për ata që do ta trashëgojnë apo do ta gëzojnë në një mënyrë tjetër këtë pasuri sado të vogël, me shpresë se mund t’u shërbejë edhe pas vdekjes sime.

Kjo ide m’u rizgjua sërish parmbrëmë, kur, pas një dite të ngarkuar me strese, po përpiqesha të ndiqja me vëmendje në televizor intervistën e një shkrimtari fort të dëgjuar. Në dhomë ishte ngrohtë, unë isha rehatuar në divan dhe kishte çaste ku e ndieja që gjumi po m’i sulmonte pabesisht sytë. Në një moment të caktuar, intervistuesja e pyeti shkrimtarin se sa libra kishte në bibliotekën e tij në shtëpi. Ky i fundi tha diçka si pesëqind apo tetë- qind, nuk e mora vesh mirë, dhe se të gjithë i kishte të shënjuar me vulën e vet, ashtu si Biblioteka Kombëtare, por dikush, një admirues apo një admiruese e tij, ia kishte vjedhur vulën.

Oh, mendova, sa keq, i kishte humbur vula. “Qenke vulëhumbur”, i thashë duke përfituar heshtja e tij për disa çaste, mirëpo ai ma ktheu aty për aty: “Ne, shqiptaret e shqiptarët jemi të gjitha e të gjithë vulëhumbur, edhe ti vetë, more profesor, vulëhumbur je!”. Aty për aty, brofa, u vesha e u mbatha, dhe dola në rrugë. Me të mbërritur në sheshin “Skënderbej” pashë një turmë njerëzish që, para dyerve të Bashkisë, thërrisnin pareshtur njëzëri: “Duam vulat tona!”.

Përballë atyre, por nga një dritare e katit të dytë, kryetari i Bashkisë orvatej, me tërë gojëtarinë e tij të pakundërshtueshme, t’i qetësonte duke u thënë e stërthënë: “Do t’i gjejmë patjetër vulat tona, se edhe mua ma kanë marrë timen”. Menjëherë, dikush nga turma, me megafon në dorë, ulëriti: “Atëherë, o vulëhumbur si ne, bashkohu me bashkëvuajtësit e tu!”. Çuditërisht, dalë një gjesti të rrallë kalorësiak kryetari i Bashkisë u hodh në çast nga kati i dytë, turma e priti me dashuri dhe, bashkë me atë, mori në drejtim të Ministrisë së Brendshme, ku përsëriti e ripërsëriti në kor: “Duam vulat tona!”.

Menjëherë, para asaj se nga mbiu ministri përkatës që, me tërë gojarinë e tij modeste, por në përmirësim e sipër, pranoi botërisht se edhe atij ia kishin vjedhur vulën, pastaj u rrek t’i siguronte protestuesit se vulat e humbura do të gjendshin brenda njëzet e katër orëve, ndër të tjera, edhe me ndihmën e Interpolit e të CIA-s. Edhe atij, nga megafoni i turmës, i erdhi e njëjta ftesë: “Atëherë, o vulëhumbur si ne, bashkohu me bashkëvuajtësit e tu!”.

Ministri, krejt spontanisht, ndoqi shembullin e rrallë kalorësiak të kryetarit të Bashkisë dhe, kështu, turma, bashkë me atë, u nis me hap të vendosur në drejtim të ministrive të tjera, titullarët e të cilave, vulëhumbur edhe ata, iu bashkuan asaj në shenjë solidariteti të vulosur pa pikë ngurrimi. Mandej, e përforcuar në këtë mënyrë, ajo përfundoi para Kryeministrisë ku, në një dritare të katit të dytë, po i priste, sypatrembur e kreshnik i vërtetë, kryeministri dora vetë, i cili, si strateg i sprovuar e gojëtar i papërballueshëm në raste të tilla, i la protestuesit të çirreshin një copë herë duke ulëritur deri në ngjirje: “Duam vulat tona!”, para se t’u jepte një lajm sensacional që, në çast, i qetësoi mrekullisht ata: “O vulëhumbur e mi pa dallim feje, krahine, ideje, gjinie e orientimi seksual, mos u shqetësoni, vulat tuaja janë vend të sigurt, falë vulës sime dhe asaj të President Trump, ato do të ruhen të paprekura dhe do t’ju kthehen bujarisht pas zgjedhjeve ngadhënjimtare të qershorit të ardhshëm!”.

Unë, diku, në mes të turmës së kthyer në kope vulëhumbur, s’po u besoja veshëve dhe zgurdullova sytë. Po, po, zgurdullova sytë: sapo më kishte dalë gjumi atje, në divan, ndërsa intervista me shkrimtarin kishte përfunduar, çka i kishte vënë vulën ëndrrës sime fort të çuditshme, por mbresëlënëse dhe, ndoshta, domethënëse.

Burimi: http://www.panorama.com.al/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top