Psikofakt

February 24, 2020 | 8:06

Nga Edona Marku: Feminizmi dhe dikotomia sociale, do vijë ndonjëherë dita kur s’do duhet më të flasim për feminizëm, maskilizëm, grarizëm, seksizëm …

 

Feminizmi, përdorur fillimisht si term i zhargonit social, është përfolur dhe vazhdon të përflitet aq shumë saqë është bërë klishe edhe në dimensionin kulturor familjar, dimensionin spiritual filozofik si dhe atë ekonomiko-politik. Nxitur nga një nevojë e barazisë ose njëvlefshmërisë së dy gjinive, feminizmi u shfaq si lëvizje për përmbushjen e kësaj nevoje, por a po e arrijmë vërtet këtë përmbushje? Në fakt pyetja rrënjësore do ishte: A duhet vërtet dy gjinitë të shikohen si të barabarta?

Edona Marku, studente arkitekture në Tiranë, dashamirëse e psikologjisë

Edona Marku, studente arkitekture në Tiranë, dashamirëse e psikologjisë

Shoqëria jonë është futur në një dikotomi, njëra kategori e së cilës kësaj pyetjeje do i përgjigjej me Po, ndërsa tjetra me Jo. Megjithatë, kompleksiteti i vërtetë i kësaj përgjigjeje dikotomike qëndron në mënyrën se si i përqasemi feminizmit në dimensionet e ndryshme sociale. Prandaj edhe është e nevojshme të bëjmë një analizë ndarëse në trajtë të këtyre dimensioneve.

Le ta fillojmë nga dimensioni kulturor i familjes, që është qeliza themelore sociale. Në shumicën e pikturave tona familjare, shikojmë në epiqendër një baba krenar dhe bashkëshort autoritar, ndërsa në sfond të saj qëndron një nënë e përkushtuar dhe bashkëshorte e nënshtruar. Familjet tona janë rritur me një frymë maskiliste, me idenë që burri është gjithmonë ai më i afti, më i zoti, ai që ka detyrën e kryefamiljarit, ai që gëzon të drejtën e fjalës, ndërsa gruaja – ajo që dëgjon e nuk flet, ajo që pranon e nuk kundërshton, ajo që duhet të punojë në shtëpi e të japë llogari. Kush e mendoi vallë kështu këtë pikturë? Mos është dikush i shenjtë meqë e kemi kaq të vështirë të pranojmë një pikturë të re?

Nuk kemi faj ne. Këto janë rolet patriarkale të shoqërisë të cilat janë rrënjosur në ADN-në tonë kolektive ballkanike dhe janë trashëguar ndër shekuj. Faji i vetëm që kemi ne është nëse nuk përpiqemi ta ndryshojmë këtë kulturë historike. Mënyra se si i edukojmë fëmijët tanë është gjithashtu një tregues për një mendësi pak primitive. Që të vegjël i mësojmë vajzat të luajnë me kukulla dhe djemtë me armë. Vendet nordike, si Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, sot ia kanë dalë që ta zbehin këtë kontrast duke prodhuar lodra neutrale në mënyrë që fëmijët të luajnë paanshmërisht, ndërsa ne u mësojmë akoma se ngjyra rozë është për vajzat dhe bluja për djemtë. Gjithashtu, sipas zyrës kërkimore të Unicefit, po këto vende janë të parat kur bëhet fjalë për baballarë që marrin pushimin e maternitetit.

Përtej nënshtrimit të pavullnetshëm ndaj figurës mashkullore, është një keqardhje që disa femra nënshtrohen me vetë dëshirën e tyre. Madje në vend që t’i shtrijnë dorën njëra-tjetrës për të ndërmarrë iniciativa të reja për jetën e tyre, zgjedhin të konkurrojnë me njëra-tjetrën. Konkurrencë kjo e cila drejtohet nga një ego gjykuese femërore që shpesh nxit konfliktin se cila do të merret nga një bashkëshort më i mirë. Kjo jo vetëm tregon se kjo femër e ka pranuar të qenit pronë e dikujt por ndonjëherë edhe që pret t’i gjejë gjërat gati prej tij. Edhe këtu kemi dikotomi: me një anë – grupin e femrave që u shërbejnë meshkujve me një respekt madhështor deri ne vetëmohim, kurse në anën tjetër kemi grupin e princeshave që nën zë mendojnë “ky më ka marrë, tani le të kujdeset për mua.” Për këtë kategorinë e fundit kemi një shprehje mjaft emancipuese nga Marlo Thomas: “Nëse flasim për barazi nuk do të thotë që të të trajtojnë njësoj si meshkujt, do të thotë që të trajtosh veten njësoj siç trajton mashkullin.”

Ndonëse jo rrallëherë disa vajza të reja plot energji dhe vizion marrin guximin të dalin nga horizontet e ngushta të prindërve, dëgjojmë se si ato vështrohen me kërcënim sepse zgjedhin të mos shtypen nga dora e vendimeve që i ka zgjatur i ati ose i shoqi dhe të mos i përulen planit që komuniteti ka projektuar për to. Kohëve të fundit madje kemi dhe raste që arrijnë deri në pasoja fatale.

Dikotomia ndjehet edhe kur këndohet kënga “Kush ka vajza botën ka” dhe megjithatë fëmija vajzë vjen në jetë e shoqëruar me një mendim pexhorativ. Nuk është e rastësishme që dy të tretat e emrave të ndaluar me ligj në Shqipëri janë emra vajzash (shembuj: Mbarime, Mjaftime, Gabime, Vajtime, Pafate, Sherre, Zehere). Si përfundim, përderisa shikojmë rezultate negative tek njëra gjini, mund të konstatojmë qartë se në dimensionin kulturor familjar është e nevojshme një ndërhyrje imediate e feminizmit në mënyrë që dy gjinitë të jenë të barazvlefshme.

Duhet ngritur zëri, duhet mjekuar kjo lloj kulture dhe duhet mbrojtur liria e fjalës dhe e të menduarit. Ndërsa ata që mendojnë se liria e fjalës nuk i përket gjinisë femërore, le ta dinë se në korpusin e të drejtave dhe lirive të njeriut kjo është një e drejtë absolute pa të cilën ekzistenca njerëzore do të ishte e pamundur në sferën intelektuale dhe spirituale. Pra, kjo liri është universale dhe nuk lë vend për diferencime, aq më pak gjinore.

Le të vazhdojmë ta shtrijmë më gjerë analizën tonë në dimensionin filozofik dhe spiritual. Në kohët e lashta egjiptiane gruaja nderohej si më e lartë se burri sepse shikohej si një nënë e të gjithëve, bartëse e jetës dhe e të mësuarit. Kur një burrë arrinte një sasi diturie, spiritualiteti dhe fuqie, atëherë ai lejohej të vishte parukë me flokë të gjatë për të simbolizuar që kishte arritur një nivel të barabartë me gruan. Në këtë botëkuptim, edhe sot femra konsiderohet si një qenie më hyjnore me natyrë krijuese, dhënëse e një jete të re dhe simbol i dashurisë. Sipas kësaj, kur një femër bëhet nënë figura e saj merr një kuptim të ri dhe të lartësuar.

Ndërkohë mashkulli është ai që tërhiqet drejt femrës nga instinkti shtazor me qëllim për ta arritur hyjnoren. Është mësuar se mashkullit i duhet të arrijë të 40-tat për ta zbuluar natyrën e pastër spirituale të njeriut, ndërsa femra lind bashkë me të. Për nga natyra, mashkulli është ai që eksploron, femra – ajo që kërkon të eksplorohet. Femra është misterioze, mashkulli – kurioz. Femra do fëmijën, mashkulli – pasardhësin. Megjithatë kjo lojë tërheqëse mes mashkullit dhe femrës është loja më e bukur e universit dhe asnjëra nga gjinitë nuk lëndohet. Nuk e kemi vetëm tek njerëzit, e kemi edhe në botën shtazore, ashtu edhe në botën bimore.

Përveç këtyre dallimeve gjinore të kësaj sfere, kemi dhe teorinë androgjinore e cila thotë se njeriu i ka të dyja gjinitë brenda. Kur arrijnë të ekuilibrohen mashkulli dhe femra brenda vetes, atëherë arrihet harmonia. Sipas kësaj teorie, nuk ka rëndësi gjinia fizike sepse njeriu si krijesë metafizike është androgjinor – nuk ka gjini, ose i ka të dyja, varet cilën nxjerr në pah më shumë. Si në mbështetje të kësaj, humanitari dhe mistiku i njohur Saddhguru thotë: “Pse duhet të ketë vlerë për mua nëse je burrë apo grua? Mund të jesh thjesht një person. Të qenit burrë apo grua ka vlerë vetëm në krevat dhe në banjo.”

Përkrah kësaj, mos të harrojmë që kemi edhe individë në shoqëri që nuk mund të bëhen ose zgjedhin të mos bëhen prindër. Kjo nuk do të thotë që këta individë vlejnë më pak, qoftë në aspektin e mëmësisë apo të atësisë. Të gjithë duhen pranuar njësoj, me ose pa fëmijë, sepse në radhë të parë përbëhemi nga materie metafizike, e pastaj nga materie fizike.

Që nga konstrukti fizik ndoshta vërtet femra dhe mashkulli mund të mos jenë të barabartë, por si qenie metafizike pa dyshim që janë të barazvlefshëm. Në një botëkuptim pak më mitologjik, vetë emri femër ka një kuptim negativ. “Femina” vjen nga latinishtja “a fe et minus” që do të thotë “i pa fe.” Kjo mund të interpretohet në shumë mënyra, njëra ndër to: femra në thelb është një qenie pa fe, jo sepse është e ligë, por sepse nuk ka nevojë për fe. Jo sepse mohon Hyjnoren, por sepse për nga natyra ajo është vetë hyjnore. Gjinia femërore nuk ka qenë pothuajse kurrë e lirë nga gjykimi i burrave. Ky fakt ilustrohet më së miri me ngjarjet e vitit 1692 në Salem, Boston, ndryshe i njohur si Qyteti i Shtrigave. Këtu filloi praktikimi i shtrigërisë. Në atë kohë konsiderohej një krim satanik dhe adhurim i së ligës. 200 vetë u akuzuan dhe 20 u varën me vdekje. Mirëpo më vonë shteti i Massachusetts kërkoi zyrtarisht falje për tragjedinë e Salemit, Gjykata e Përgjithshme urdhëroi një ditë agjërimi dhe familjet e të ekzekutuarve u kompensuan në vlera monetare. Në ditët e sotme shtrigëria vazhdon në formën e fesë pagane bashkëkohore të njohur me emrin “Wicca” dhe praktikohet nga të dyja gjinitë. Përfundimisht, në sferën e botëkuptimeve të ndryshme të dimensionit filozofik dhe spiritual kemi një mbarëvajtje tek të dyja gjinitë dhe nuk kemi nevojë ta prekim temën e feminizmit.

Tani le ta analizojmë feminizmin në dimensionin ekonomiko-politik. Ish-presidenti amerikan Obama ka thënë: “Shumica e problemeve në botë janë shkaktuar nga burrat në moshë, të cilët kanë ngecur në rrugën e përparimit dhe nuk lirojnë vendin. Jam i sigurt që mjaftojnë dy vite ku çdo komb në tokë do drejtohej nga gratë dhe bota do shihte përmirësim domethënës në çdo fushë, që nga standardet e jetës.” Ndoshta mund të duken pak të tepërta këto fjalë sepse kemi dhe burra mjaft të aftë si udhëheqës, megjithatë rasti bashkëkohor i Finlandës dëshmon se mund të ketë diçka të vërtetë në to.

Sanna Marin, kryeministrja e Finlandës, gjithashtu kryeministrja më e re në botë, drejton një qeveri ku fuqinë e kanë gratë. Ajo e përshkruan veten si të prejardhur nga një familje ylber, meqenëse është rritur nga prindër të së njëjtës gjini, të dyja femra, njëra – nëna biologjike, tjetra – partnerja femër e së ëmës. Nuk mund të jetë thjesht një rastësi që Finlanda është shpallur shteti më i lumtur në botë dhe gjithashtu është shteti i parë që ia dha edhe femrave të drejtën për të votuar. Normalisht se përveç vendeve perëndimore dhe atyre skandinave ku te dy gjinitë vlejnë njëlloj, kemi dhe vende të tilla ku ndjehet akoma misogjinia, shtypja e gjinisë femërore. Përkundrejt kësaj, kemi dhe kundërreagime nga kjo e fundit. Një nga heroinat e botës së sotme është edhe vajza anonime iraniane që doli gjatë protestës kundër regjimit në Iran në janar të vitit 2018. Ajo protestoi kundër veshjes islamike që bota mashkullore e shtetit të saj e detyron me ligj. U ngrit mbi një bazament betoni, hoqi mbulesën e saj, e vuri në majë të shkopit dhe e valëviti. Me këtë i tha botës “Unë nuk pajtohem me këtë! Kjo nuk është e imja! Kjo nuk është zgjedhja ime! Këtë ma kanë zgjedhur burrat që sundojnë këtë vend!”

Gjithashtu kemi dhe ekstremitetin tjetër në Itali, ku gjatë një proteste në mars të vitit 2018, aktivistja me origjinë franceze u ngjit mbi tavolinën e zgjedhjeve dhe protestoi gjysmë e zhveshur para Berlusconit. Natyra e protestës ishte anti-seksiste, ndërsa mesazhi i saj se seksizmi dhe misogjinia tashmë janë tejkaluar. Sigurisht që neve nuk na intereson që një femër të vishet ose të zhvishet, neve thjesht na intereson që ajo të sfidojë disa norma që janë kundër saj! Një femër, ashtu si një mashkull, ka të drejtë të plotë mbi trupin e saj dhe mund të zgjedhë atë kod veshjeje me të cilin ajo ndjehet më mirë, për aq kohë sa nuk i bën dëm askujt. Një formë revolte nga gratë mund të shihet edhe në Gjykatat Shqiptare.

Sipas përllogaritjeve nga të dhënat e INSTAT numri i divorceve gjatë dy dekadave të fundit pothuajse është dyfishuar dhe rreth 80% e kërkesave janë regjistruar nga gratë. Sociologët e konsideruan këtë si një shenjë emancipimi. Kjo lë të kuptohet se një pjesë e mirë e femrave të sotme nuk janë më femrat e djeshme. Nuk janë ato që janë të vendosura brenda kuadratit të shtëpisë nën kujdestarinë dhe pushtetin e burrit. Arsyeja kryesore për divorc është natyrisht konflikti dhe rivaliteti brenda martesës për shkak se nuk është ndërtuar në mënyrë partneriale të barabartë.

Ndërkohë, në familjet tona shqiptare ku kemi akoma gra të margjinalizuara, ndjehet mungesa e pavarësisë ekonomike të tyre. Më shumë se 50% e grave të afta për punë janë të papuna, e po aq gra vuajnë nga dhuna në familje. Rrjedhimisht, gratë e papuna janë më të rrezikuara ndaj depresionit, vetëizolimit dhe sëmundjeve të ndryshme kronike. Për më tepër, gratë dhe vajzat e mbuluara, të cilat nuk u ekspozohen mjaftueshëm rrezeve të diellit, rrezikohen nga mungesa e theksuar e vitaminës D dhe kjo lidhet me sëmundjet kardiake, diabetin, kancerin dhe depresionin.

Është e dukshme pra dikotomia shoqërore: në një anë kemi gratë që kanë forcën të divorcohen dhe të jetojnë të pavarura, ndërsa në anën tjetër – ato gra që nuk e kanë përfituar akoma këtë forcë dhe vazhdojnë të privohen nga puna, liria dhe siguria. Megjithatë, në përgjithësi mund të themi se kemi zhvillime pozitive për sa i përket feminizmit në dimensionin politiko-ekonomik, edhe pse duhet treguar kujdes të veçantë me grupe të caktuara. Lavdet për gratë e urta dhe të durueshme duhet të marrin fund për t’i hapur rrugën një reflektimi më real që do tregojë se edhe femrat janë po aq të afta për çdo sferë dhe meritojnë një rol po aq të rëndësishëm në vendimmarrje.

Kur flasim për feminizmin, dashje-padashje mund të krijohet një përçarje nga gjinia tjetër. Por kjo edhe na stimulon që të mendojmë… Pse akoma po rikujtojmë që femrat u dashkan të luftojnë për të drejtat e tyre? A mos kanë luftuar ndonjëherë meshkujt për këtë? Kemi dhe nga ato që presin 8 marsin për t’u ndier “të vlerësuara” nga një tufë mimozash a trëndafilash.

Femër e dashur shqiptare! Ti e kupton çfarë pozicioni të rezervon komuniteti: Kur shkon të blesh bukë tek furra e lagjes dhe shitësi që nuk të njeh nuk të pyet si quhesh, por e kujt je. Kur për një sukses tëndin komuniteti e ngre në piedestal tët atë ose tët shoq e jo ty vetë që e gëzon meritën e atij suksesi. Kur vendos të mos martohesh ose të ndahesh sepse ndoshta ke plane të tjera për jetën tënde dhe mendjet e liga fantazojnë se me kë vallë do jesh “prishur” që s’të dashka njeri “për shpi.”

Kur zgjedh të dalësh në shtëpi më vete sepse tashmë ndjehesh e rritur si individ dhe njerëzit vrasin mendjen se kushedi ç’turp do kesh sjellë në familje që të paskan “përzënë nga shtëpia.”

“Kam një ëndërr” thoshte Marthin Luther King. Edhe unë bashkë me shumë të tjerë kam një ëndërr. Jo domosdoshmërish një ëndërr me femra presidente, lidere dhe udhëheqëse. Thjesht një ëndërr ku në vendin tonë zënë vend më shumë femra taksiste e shofere autobusi, më shumë femra muratore e salduese, më shumë femra elektriciste e hidraulike, por edhe më shumë femra DJ apo kameriere dasmash… Në këtë periudhë bashkëkohore është turp që punë si këto të quhen akoma tabu. Një ëndërr ku pushimin e lindjes mund ta marrë edhe burri, siç e bëjnë tashmë në shumë vende të tjera.

Sepse fundja ku qëndron e keqja e të ndjerit baba? Një ëndërr ku babai është prezent në jetën e fëmijës së tij, jo vetëm në sferën materiale por edhe në atë emocionale. Dhe pastaj ëndrra mbaron. Dhe ne duhet të vazhdojmë të rikujtojmë që femrat janë të njëvlefshme me meshkujt në aspektin social, të ngremë akoma zërin për barazvlefshmëri gjinore dhe të punojmë për një mendësi më të shëndetshme dhe më të arsyeshme.

Deri kur do kemi nevojë për t’i bërë këto? A do i vijë fundi një herë kësaj dikotomie në shoqërinë tonë? A do vijë ndonjëherë dita kur s’do duhet më të flasim për feminizëm, maskilizëm, grarizëm, seksizëm … dhe të kemi një shoqëri kompakte e homogjene që punon bashkë për një të ardhme pa -izma?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top