Në fokus

September 9, 2017 | 14:28

Nga Hysen Kica: Doni të jetoni apo doni të vdisni?

Nga Hysen Kica, shkrimtar

Ndoshta bëra një pyetje pak të frikshme, por besoj se njerëzit dinë të kuptojnë drejt pse shtrohet kaq hapur pyetja kur bëhet fjalë për drogën. Për mendimin tim është plotësisht e vërtetë se droga të shkatërron jetën dhe të vret. Këtë të vërtetë kriminale droga e ka vërtetuar me fakte të shumta. Na vjen shumë keq kur dëgjojmë se vdiq një figurë e njohur publike apo një i ri në lagjen tonë, por duket se e harrojmë shpejt.

Nga ana tjetër është tragjike kur të vdes fëmija, vëllai, motra, një anëtar familje dhe… nuk shpëtojmë dot as një tjetër njeriun tonë të dashur që po i afrohet vdekjes.

Qajmë, ankohemi, lutemi dhe kërkojmë ndihmë, duke dashur të mos i humbim shpresat për të shpëtuar njerëzit tanë të dashur, por vdekja e pamëshirshme nuk e njeh mëshirën. Ajo afrohet çdo ditë e më tepër drejt viktimës ku është mbjellë, i shtrëngon zemrën, i shkatërron qelizat e jetës, i paralizon rrjedhën e gjakut dhe… Fundi është fatal. Një ditë ja këput shpresat, ja këput ëndërrat, ja këput dëshirat dhe ia merr jetën.

Ky vrasës i pamëshirshëm ka një emër të tmerrshëm! Quhet DROGË.

1

Të dhënat e përafërta thonë se në vendin tonë përdoruesit e drogës arrijnë në shifrat 30-40 mijë, ndërsa ato që trajtohen klinikisht janë vetëm rreth njëqind pacientë. Përdoruesit janë përgjithësisht nxënës shkollash dhe adoleshentë. Tregtarët që e mbjellin, e përgatisin dhe e shesin barin e vdekjes janë të pamëshirshëm ndaj shoqërisë. Interesi për para ua ka atrofizuar plotësisht ndërgjegjen dhe janë gati të shkelin mbi kufomat e fëmijëve tanë të pafajshëm. Fëmijët janë jo vetëm shumë kuriozë, por edhe të papërgjegjshëm për jetën e tyre. Ata nuk besojnë kurrë se po shkatërrojnë jetën e tyre. Përgjithësisht nxënësit e sotëm janë dembelë, u shmangen detyrave shkollore apo kërkesave të prindërve dhe mashtrohen me sloganet se droga të heq mërzitjen, se droga të jep kurajë dhe plot mashtrime të tjera, por të gjitha këto janë vetëm gënjeshtra.

Përdorimi i drogës ka pasoja të rënda ekonomike e sociale për gjithë shoqërinë, por pesha kryesore bie mbi individët që e marrin atë. Përdorimi i drogës ka efektin kryesor të prishjes së ekuilibrit të mendimeve dhe veprimeve.

Si pasojë e efektit të drogës një shofer e humbet vetëkontrollin dhe mund të shkaktojë aksidente deri me pasoja vdekjeprurëse.

Përdoruesit e drogës janë problematikë në prishjen e rregullit dhe disiplinës kolektive, krijojnë zhurma e incidente dhe shpeshherë arrijnë në zënka të rrezikshme që mund të degjenerojnë në tragjedi.

Përdoruesit e drogës kur kryejnë marrëdhënie seksuale janë të papërgjegjshëm për mbrojtje dhe mund të transmetojnë sëmundjet infektive të pashërueshme dhe të rrezikshme për jetën e tyre e të partnerit.

Përdoruesit e drogës janë të pavëmendshëm në punë dhe në marrëdhëniet me njerëzit kështu që mund të krijojnë problem që të humbasin vendin e punës apo të përjashtohen nga rrethet miqësore e shoqërore.

Përdorimi i drogës është edhe me pasoja të rënda ekonomike dhe i çon përdoruesit në humbjen e shumë vlerave monetare. Si pasojë e shpenzimeve të mëdha krijohen edhe probleme deri në krimin e vjedhjeve apo shkatërrimin e familjeve.

Përdorimi i drogës krijon varësinë biologjikë dhe psikologjike të individit ndaj saj me një përndjekje të rrezikshme që është shumë e vështirë ta shmangësh. Droga të pushton e të skllavëron dhe nuk të ndahet deri sa të merr edhe jetën.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top