Pika referimi

September 10, 2017 | 13:56

Nga Armand Bajrami: Në s’di të hekurosësh, ç’e do gruan?!

E keni parasysh çfarë, atë vragën e kafejtë që lë hekuri i rrobave kur prek në mish? Unë po. Pati ndodhur ndonjëherë. Isha vëllai i vetëm i dy motrave më të mëdha. Ai “i pikuari”, që zakonisht mbahet me ledha. Prindërit e mi s’menduan kurrë kështu. Duhet të hekurosja vetë rrobat e mia (ndonjë këmishë të rrallë që kisha). Mall që kisha tri femra në shtëpi.

Armand Bajrami, gazetar media "Panorama"

Armand Bajrami, gazetar media “Panorama”

Përballesha me një refren, atëkohë tërësisht alogjik për mua: “Mëso, se do të duhet kur të jesh student”. Mundësia që një 12-13 apo 15 vjeçar të projektojë nevojat e tij si student është e barabartë me mundësinë që ka Shqipëria për të fituar botërorin, po nejse. Hekuri ishte një. Më qe bërë ferr edhe një leckë pluhurash.
***
Ca vite të mira pas 2005-ës ndava hapësirën e banimit me djem. Zoti deshi të ishin të mirë dhe nga familje të mbara. Na bashkonte statusi i studentit, ndonjë gotë alkool i lirë, moskokëçarja në përgjithësi dhe një lloj shkatarraqësie elegante në orvatjet e pasmesnatës rrugëve të Tiranës. Shfaqnim aftësi të ndryshme, përveç dëgjimit pa hesap të “heavy metal”-it. Një prej tyre gatuante (sot është bërë një ‘master chef’ i vërtetë). Unë dija atë procesin misterioz dhe tepër intrigues të hekurosjes. Jo se ata nuk dinin (këmishë kishin më pak se unë, në fakt), por ishin larg asaj vizës sime mbresëlënëse të mëngës deri mbi shpatull. (Nuk po tregoj këtu, që kur çoja rrobat në lavanderi, i laja të gjitha ngjyrat bashkë).
***
Sot jetoj me një femër. Këmishët i gjej të hekurosura. Është qejf i madh, s’e fsheh dot. Kur dal pas saj nga shtëpia dhe rroba e dëshiruar është në tel, e kap vetë hekurin. Kam humbur ca aftësi, po thelbi mbetet. Bëj dhe ndonjë punë shtëpie kur mundem, kur nuk përtoj, apo kur mendoj se duhet të ndihmoj. Falenderohem shpesh. Kritikohem po aq (jam në përpjekje të dëshpëruar për të mësuar si hapet perdja e sallonit në mënyrë simetrike).
***
I jam pafund falenderues prindërve të mi, që më mësuan, se të kapësh ndonjë gjë në shtëpi nuk është turp. Madje, turpin e ha me bukë kur bashkëndarësja e hapësirës familjare më thotë gjëra të tipit: “Mirë që i bleve frutat, po aty mbi kolltuk do i lësh?! Të porosita të blesh domate, jo patate!”. Fundja edhe babi im ha kritika të tipit “Na fëlliqe more burrë, lëre gjilpërën”, kur ime më e kap në flagrancë duke qepur një kopsë.
***
Problemin e dhunës në familje, sidomos atë ndaj grave, nuk e kam parë ndonjëherë si pasojë e një idioti që shfryn nerv. Jo.
Dua ta shoh si një problem që ka kapluar shumë familje, sa nga varfëria, sa nga injoranca dhe sa nga traditat idiote të dominimit të njërit prej partnerëve. Burrat dhunues (i përfytyroj të gjithë koqetredhur dhe impotentë) nuk lindën aq. Lindën foshnja. Më tej u rritën e brumësuan. Ca nuk u burrëruan kurrë. Thjeshtë shtuan numrin e qirinjve në tortë.
Për mua, thelbi i përmirësimit të fenomenit është familja. Forcimi i saj, si institucioni më i rëndësishëm jetësor. Një person, mashkull a femër qoftë, i mëkuar me dashuri familjare dhe respekt për njerëzit e dashur, ka pak gjasa të mendojë përdorimin e dhunës e jo më të ngrejë dorë. Shembulli i parë është aty. Nuk ka model më të fortë se ai i marrë në pavetëdije, brenda shtëpisë. Varfëria përmendet rëndom si shkak, por unë njoh të varfër që u ndrisin sytë nga dashuria e mirësia.
Sa për ata të tredhurit, kur s’di të hekurosësh, kur s’di të skuqësh një vezë, kur s’di të psonisësh, kur s’di të ndërrosh pelenat e birit tënd, kur s’di të pastrosh e të lyesh këpucët e tua, nuk ka ç’të duhet gruaja.
Të duhet një shërbëtore, o zotëri. Shërbëtori konsiderohet fare lehtë si pronë.
Kur s’di asgjë, kur s’tenton të mësosh asgjë, apo më keq, kur ke bindur veten që nuk ka ç’të duhet të mësosh, veç shërbëtorja të bën punë. Kjo është e sigurtë. Gruas i ka caktuar natyra misione të tjera në jetë, më madhore se kaq. Sakrificën e te qenit nënë, dhuruese e jetës, bekim i gjithkujt…
P.S
Miqtë e mi që përmenda më lart, janë bërë sot familjarë të shkëlqyer. Unë ndërkohë lus Zotin që të jem aq i mirë me time shoqe, sa ç’kam parë dhe shoh tim atë të sillet me time më.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top