FB

September 17, 2025 | 16:30

Nga Ilir Çumani: Hajrie Rondo, aktorja që i qëndisi rolet e saj

 

Nga Delvina e lindjes deri në skenat më të mëdha teatrore dhe të kinemasë shqiptare, Hajrie Rondo u shenjua si simbol i gruas së fortë, një qëndrestare e admirueshme dhe aktore që përjetonte çdo rol me shpirt, duke e ndriçuar atë me forcën dramatike dhe elegancën e groteskut.

hajrie-rondo-dhe-ilir-cumani-2

Sot, emri i saj është pjesë e pavdekshme e kulturës sonë kombëtare. Arti i saj nuk do të shuhet kurrë. U mbushën tetë vjet që është ndarë nga jeta një nga figurat më të shquara të artit skenik dhe kinematografik shqiptar, aktorja e paharruar Hajrie Rondo.

Ndarja e saj më 9 shtator 2017 nuk ishte largim përfundimtar për artdashësit dhe adhuruesit e pafund të roleve të saj, por një mënyrë për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive dhe përjetimin e artit që ajo la pas. Sepse ka njerëz që nuk ikin kurrë, edhe pse i largohen fizikisht kësaj bote.

Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e njerëzve, në shpirtin e artit të madh. Hajrie Rondo padyshim është një nga këta emra të pashlyeshëm.

E lindur në Delvinë më 1 mars 1951, Hajria erdhi në jetë në një vend ku guri dhe historia i japin peshë çdo fjale, ku femra është mësuar të mbajë mbi supe barrën e kohëve, dhe pikërisht aty janë rrënjët e saj si grua e fortë.

Studimet në Institutin e Lartë të Arteve (1969-1972) i dhanë krahët për të fluturuar në skenë, por talenti, pasioni dhe përkushtimi i saj ishin burimi i pashtershëm që do ta shndërronin në ikonë të skenës shqiptare.

Menjëherë pas studimeve, ajo u emërua në teatrin “Bylis” të Fierit, ku roli i parë – gruaja e heroit në dramën “Heronjtë e Linasit” të Sulejman Pitarkës – u bë preludi i një jete të tërë të mbushur me art, dhimbje, emocion dhe nder.

hajrie-rondo-dhe-ilir-cumani-3

Qysh herët, Hajria interpretoi karakterin e grave të forta, qëndrestare, krenare, shpesh të heshtura, por me një botë të brendshme të pasur dhe dramatike.

Ajo kuptoi se gruaja shqiptare nuk flet gjithmonë me fjalë, por shpreh gjithçka edhe përmes heshtjes së saj të rëndë, syve që shkreptijnë, duarve të mbledhura dhe dhimbjes që nuk shfaqet, por përjetohet deri në asht.

Roli i Ruzes në dramën “Gjëmimi i atij dimri” të Teodor Laços (1976), që i solli edhe një çmim, është shembull i qartë i aftësisë së saj për t’i dhënë peshë universale një figure të thjeshtë.

Po aq i fuqishëm dhe bukur i realizuar ishte roli i Fatbardhës te “Balada për një grua” e Dritëro Agollit, ku dashuria ndërthurej me dinjitetin moral dhe intelektual të personazhit.

Këto nuk ishin thjesht role artistike – ishin fragmente të shpirtit kolektiv shqiptar, të materializuara mbi skenë me ndjeshmëri dhe mjeshtëri interpretative.

Nëse dramat e saj ishin pasqyrë e shpirtit shqiptar, rolet komike shpërfaqnin talentin e saj të veçantë: aftësinë për të bërë humor me dhimbjen, për ta kthyer jetën e vështirë të grave shqiptare në një lojë groteske, ku qeshja përmes sarkazmës shoqërohej gjithmonë nga një dhembje e heshtur.

Në rolin e Likës te komedia “Sa mirë bëri që vdiq”, ajo solli një grua fshatare të papërpunuar, të vrazhdë, por të mençur në mënyrën e saj intuitive dhe të thellë.

hajrie-rondo-dhe-ilir-cumani-7

Në këto role spikaste plastika e saj, intonacionet dialektale, lojërat me gjuhën e trupit dhe aftësia për t’i dhënë çdo karakteri një jetë të vetën, një identitet të gjallë dhe të ndjeshëm.

Te “Zi e më zi” e Kristo Floqit, me rolin e zonjës Galë, ajo shndërroi pikëllimin në hare, lotin në këngë dhe tragjiken në farsë, duke treguar mjeshtërinë e saj të rrallë për të përthyer ndjenjat njerëzore në art.

Ky ishte arti i saj që na tregonte se jeta nuk është asnjëherë vetëm njëra anë – ajo është gjithmonë një përzierje e dritës dhe errësirës, gëzimit dhe dhimbjes, tragjedisë dhe komedisë.

Edhe në kinematografi, Hajrie Rondo mbeti një zë i fuqishëm dhe me peshë domethënëse në lojën e saj të rafinuar dhe brilante.

Ajo ishte një aktore e lakmuar nga disa regjisorë me emër, si Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Vladimir Prifti, Saimir Kumbaro, Muharrem Fejzo, Rikard Ljarja, Albert Minga etj.

hajrie-rondo-dhe-ilir-cumani-5

Tek filmi “Përrallë nga e kaluara”, roli i Tanës i dha asaj çmimin e parë dhe e ktheu në simbol të gruas shqiptare të kohës – një grua që përplaset mes paragjykimeve dhe dëshirës për të jetuar lirisht, mes xhelozisë qesharake dhe dhimbjes tragjike.

Ky rol është një nga visaret më të çmuara të kinematografisë shqiptare, një personazh i skulpturuar me mjeshtëri dhe mençuri nga regjisori Dhimitër Anagnosti.

Ai shfaqet si një arketip që përçon jo vetëm historinë e një individi, por edhe pasqyrën e gjallë të jetës, marrëdhënieve dhe vlerave sociale të epokës.

Fabula regjisoriale, intriguese dhe magjepsëse, i jep këtij personazhi një dimension antropologjik të veçantë, duke e bërë atë të paharrueshëm për publikun.

Përmes tij, secili vëzhgues ndjen thellësinë e përvojave njerëzore, kupton kompleksitetin e shoqërisë së kohës dhe admiron mjeshtërinë me të cilën letërsia, skena dhe filmi bashkohen për të krijuar një portret të gjallë dhe të fuqishëm.

Nga filmi “Agimet e Stinës së Madhe” te “Një emër midis njerëzve”, apo “Nëntori i Dytë” dhe “Kush vdes në këmbë”, Hajria solli figura grash të thjeshta, qëndrestare, të paepura dhe stoike njëkohësisht, por me peshë të madhe shpirtërore, duke i dhënë një vitalitet dhe jetësim të gjallë çdo karakteri që luante.

hajrie-rondo-dhe-ilir-cumani-1

Ajo nuk ishte thjesht një aktore, por një njohëse dhe antropologe e thellë, e mençur dhe e heshtur e jetës rurale, që nëpërmjet rolit dokumentonte jetën e grave shqiptare ndër shekuj.

Personazhet e saj ishin gra që përballeshin me paragjykime, presionin e shoqërisë patriarkale dhe mungesën e lirive, por ruanin gjithmonë dinjitetin dhe krenarinë e brendshme.

Ato ishin nënat që rrisnin fëmijë mes sakrificash, gratë që sfidonin burrat me heshtjen e tyre, të dashurat që mbeteshin besnike deri në fund, fshataret e ashpra por të mençura – të gjitha të skalitura me art të madh.

Psikologjikisht, Hajrie Rondo ishte mjeshtre e detajeve: një pauzë e saj kishte më shumë peshë se një dialog i gjatë; një shikim zhbirues dhe shpotitës hapte një botë të tërë; një gjest i vogël zbulonte dramën e brendshme të personazhit.

Ajo ishte aktore e dimensioneve dhe shpërthimeve tragjikomike që jetonte rolin, jo thjesht e luante atë.

hajrie-rondo-dhe-ilir-cumani-6

E nderuar me Urdhrin e Artë “Naim Frashëri” (1988) dhe me Çmimin e “Karrierës” (2007) për monodramën “Klithma e një nëne”, Hajrie Rondo mbetet një nga figurat që e kanë ngjitur artin shqiptar në lartësi të veçanta.

Ajo nuk është thjesht një kujtim i së shkuarës, por një zë që vazhdon të na flasë edhe sot, tetë vjet pas largimit të saj.

Në skenë dhe në film, ajo ishte gjithmonë një grua që nuk dorëzohej, një figurë që mbartte dhimbjen e kohës, por edhe shpresën e së ardhmes.

hajrie-rondo-dhe-ilir-cumani-4

Në të shohim Shqipërinë e brendshme – atë Shqipëri që qan e qesh, që vuan dhe qëndron, që hesht e flet me dinjitet.

Tashmë ajo nuk është më mes nesh fizikisht, por është në çdo kujtim, në çdo skenë të regjistruar, në çdo kujtim të arkivuar në celuloid apo pelikulë kinematografike, në çdo figurë femërore që ajo i dha jetë.

Ajo është pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe mbetet një monument shpirtëror i gruas shqiptare në art.

Për këtë arsye, sot, tetë vjet pas ndarjes së saj, ne nuk e përkujtojmë vetëm si të ikur, por më së shumti si të pavdekshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top