FB

March 28, 2024 | 7:26

Nga Ilir Çumani: Pelegrinët e munguar të kafe “Evropës….”

 

Atëkohë, (20 vjet më parë), me poetin Xhevahir Spahiu, pikëtakimi ynë i përditshëm ishte vendi i njohur i quajtur Bar Kafe “Europa”.  Aty edhe e konsumonim çdo ditë kafenë e mëngjesit…

ilir-1

Bisedat e gjata e të pafundme me poetin, ishin privilegj dhe kureshtje njëherazi…. Çdo takim me të ishte si të thuash një magji, një univers kaq i panjohur dilemash, impresionesh dhe përfytyrimesh, ku gjithmonë të dukej vetja se udhëtoje në një botë përherë me shumë shtigje të panjohura dhe të pashkelura më parë….

Kafe “Evropa”, (ndër të rrallat asokohe), konsiderohej si klubi i poetëve, i shkrimtarëve dhe artistëve pas viteve ‘90-të. Aty mblidheshin kryesisht mjaft emra të njohur të shkrimtarisë, publicistikës dhe gazetarisë….

Aty edhe takoheshim shpesh me Teodor Kekon, Pano Taçin, Fatos Baxhaku, Vasil Dede, Arshin Xhezo, Agim Cerga, përkthyesin e famshëm Robert Zhvarc, akademikët, Dritëro Agollin, Dhimitër Shuteriqi, Bedri Dedja, Shaban Demiraj, Ylli Popa, Arben Puto, Farudin Hoxha, etj.

Tek “Evropa” preferonin ta pinin kafenë e mëngjesit edhe shumë artistë të Kinematografisë shqiptare, me të cilët kam patur fatin t’i njoh për së afërmi dhe shumë prej tyre tashmë janë miqtë e mi…

Eeeee, çfarë kohësh të pakohë kemi jetuar në atë Bar Kafe të famshme të kryeqytetit të zhurmshëm, që turravrapej drejt një metropoli, për ti ngjarë sado pak simotrave në perëndim…

Kjo ndjehej orë çast jo vetëm prej ecejakeve kilometrike e të pagjumta të qindra mijëra kalimtarëve që e jetonin çdo zhvillim e dinamikë të ndryshimit të Tiranës.

Të gjithë e ndienim se ishim në kërkim të vetvetes, në kërkim të një kohe të humbur që vinte prej një të shkuare të dëshpëruar jo të largët, por shumë të gjatë dhe zhgënjyese….

Kafe “Evropa” ishte kthyer në një pikë pelegrinazhi për shumë shkrimtarë, poetë dhe artistë bohemë, të cilët e përjetonin me shumë dhimbje tranzicionin shqiptar, por gjithsesi, gjenin atje edhe paqen e ngushëllimin për fatet e pafata të tyre….

Aty e gjenin njëkohësisht edhe muzën për të jetësuar në veprat dhe krijimet e tyre të gjitha ato vrundujt, dilemat dhe përjetimet që vetëm ata dinë ti shpalosin dhe ti përcjellin me aq vërtetësi dhe emocion tek të tjerët….

Ja, pas kësaj fotoje, shoh poetin Vasil Dede, mikun tim të paharruar, lirikun përmetar që shkruajti sa e sa vargje për dashurinë, për jetën, për natyrën dhe vendet e bukura të Shqipërisë tonë hal lemadhe, për Njeriun….

Ai, tashmë nuk po na shikon si dikur, me atë kureshtjen prej fëmije si në këtë foto, por na përshëndet nga qielli mes yjesh si një engjëll, sepse engjëll ishte edhe në tokë….! 

Shumë prej tyre, tashmë janë larguar nga bota e të gjallëve, por gjithsesi, në kujtesën time ata ishin dhe mbetën Pelegrinët e dikurshëm të ish Bar – Kafe “Evropa”.

Sa shumë mund të flasësh për racën e këtyre poetëve…!

Ata janë melhemi i Shpirtrave të trazuar Njerëzorë, sepse janë Bekim edhe nga Zoti…!

 

Tiranë, 26 mars, 2024

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top