Në fokus

September 13, 2017 | 10:14

Nga Imo Alikaj: Fëmijë të punësuar me kohë të plotë

Dëgjova një fëmijë, diku te 6 vjeç, teksa i kapur pas fustanit të një gruaje të re, po kërkonte me lutje “mami sot është e martë, a mund të shkoj në fundjavë të nëna?”

Msc. Imo Alikaj, psikologe klinike, Terapiste EMDR (niveli 1), Terapiste ABA.

Msc. Imo Alikaj, psikologe klinike, Terapiste EMDR (niveli 1), Terapiste ABA.

Mbylla sytë dhe imagjinova një fëmijë që pas shkollës vraponte sa në një kurs në tjetrin me shumë pak pushim në mes. I hapa sytë. Çanta e tij e shpinës ishte më e madhe se ai vet, e mbushur plot “me dije” brenda.  Dhe e ëma i përgjigjet “nëse merr vetëm arritje shumë të kënaqshme mund të shkosh”. Një hije zhgënjimi mbuloi fytyrën e tij.

… në fakt nuk di nga t’ia filloj…

A të filloj nga vera e mbushur me “kampe verore” që ngujuan fëmijë brenda 4 mureve në zbrazëtirën e ekraneve shumëngjyrëshe të TV, në fletët e bardha të formatit dhe zhgarravinat e tensionuara me ngjyra dhe bojëra? Apo nga qendrat e kurseve që si kurrë më parë gumëzhinin nga fëmijë që vraponin drejt pianos, kitarës, violinës, baletit, pikturës, anglishtes, frëngjishtes, gjermanishtes, italishtes, futbollit, basketbollit, volejbollit???

“Nuk e dëmtojnë, përkundrazi e pasurojnë” – m’u përgjigj një nënë në autobus kur po i shpjegoja se kjo ngarkesë i frustron fëmijët.

Gjithmonë një luftë e gjatë dhe e ashpër me prindër që futen në garë me njëri-tjetrin për fëmijët e tyre parashkollorë; vajza ime i njeh të gjitha shkronjat, vajza ime lexon rrjedhshëm, djali im reciton bukur anglisht, vajza ime njeh numrat shumë mirë, djali im bën mbledhje dhe zbritje, djali im e mban fletoren shumë të pastër…

femije

Por, kur edhe kurrikulat mbështesin dhe ushqejnë nevojën e prindërve për fëmijë “gjeni” që në kopsht, lufta bëhet e pamundur.  A është kurrikula që është ndërtuar në sajë të kërkesave të prindërve apo janë kërkesat e prindërve që vijnë prej “kërkesave” të kurrikulës; kjo nuk është e qartë!

E megjithatë, në kopshtet ku rriten fëmijët, fëmijëve 3-4 vjeç po u kërkohet të mësojnë dhe të shkruajnë numrat deri në 3, fëmijëve 4-5 vjeç u mësohen numrat 3-6 dhe fëmijëve 5-6 vjeç u mësohen numrat 7-10, të mbledhin dhe të zbresin deri në 10, si edhe të njohin dhe shkruajnë shkronjat e shtypit dhe të dorës.

A ka dhunim më të madh për këta fëmijë? A e di kush që në moshën 3-4 vjeç fëmija e mban lapsin me gjithë dorën e tij dhe ajo çka mund të bëjë janë zhgarravitje rastësore, pika, vija të thjeshta? A e di kush që një fëmijë fillon të manipulojë dhe të ketë më shumë kontroll mbi duart përtej moshës 5 vjeç? Si mund t’i kërkohet një fëmije që është ende në zhvillimin e motorikës fine të vijëzojë, të lakojë dhe të shkruajë përtej kapacitetit të tij? Si mund t’i kërkohen një fëmije deri në 6 vjeç të operojë me mbledhje dhe zbritje kur ai mund të përdor një logjikë të thjeshtë vetëm përtej moshës 7 vjeç?

Ja pra, pse fëmijët sot priren drejt çrregullimeve të ndryshme të sjelljes, emocioneve, konjicionit dhe vëmendjes. Sepse brenda kopshtit, ku duhet të vazhdojnë të jenë fëmijë, përballen me kërkesa përtej mundësive dhe zhvillimit të tyre dhe kur shkojnë në shkollë ndjekin disa kurse njëherësh për të përmirësuar rezultatet etj, etj.

Fëmijët sot nuk kanë nevojë për psikologë, fëmijët sot kanë nevojë të mos dinë anglisht që 3 vjeç, kanë nevojë të mos bëjnë detyra shtëpie dhe klase që në kopsht, kanë nevojë të mos rrinë ulur nga ora 8 deri në 12 kur janë në parashkollor, kanë nevojë të bëjnë lojëra të zhurmshme edhe kur edukatoreve u dhemb koka, kanë nevojë të mos mësojnë të mbledhin dhe të zbresin që në grup të mesëm, kanë nevojë të mos e mësojnë abetaren që në parashkollor. Fëmijët sot kanë nevojë të mjaftohen me atë çka mësuesja jep në klasë, fëmijët sot nuk kanë nevojë për t’u punësuar me kohë të plotë.  Fëmijët sot kanë nevojë të lejohen të jenë fëmijë.

Language Master

Prandaj, ju prindër që keni standarde të larta për fëmijët tuaj, ju edukatorë dhe mësues të konfunduar nga kurrikulat e reja që e kanë humbur konceptin e “lojës në kopsht” dhe “abetares në klasë të parë”, gjatë punës me fëmijët tuaj mos e trysnoni një fëmijë që nuk di ta shkruaj numrin 3, që nuk di të mbledhë a të zbresë, që nuk di të lexojë rrjedhshëm, që nuk di asnjë fjalë anglisht, që nuk di t’i bie një vegle. Kënaquni dhe përgëzojeni për gjithçka ai mundet të bëjë; një fjalë e mirë e juaja shkon përtej çdo vlerësimi për ta.

Dhe mos harroni, një fëmijë që, pavarësisht ndihmës suaj të jashtëzakonshme, nuk i shkruan bukur ato “dreq” shkronja, ka diçka më të rëndësishme që e preokupon. Në përçapjen e dhimbshme për të mësuar më shumë, ndonjëherë fëmija humbet sigurinë dhe besimin te vetja.

Dhe do të jetë pikërisht kjo koha për të rikujtuar, që në fakt, këto janë dy gurë që duhej të ishin vendosur në themel përpara shkronjave apo numrave.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top