Këshilla & Arsye

November 7, 2017 | 16:38

Nga Iva Katundi: Rinia ka forcë për të ecur para, e jo të mbetet pre e veseve të modernitetit

Iva Katundi, studente në fakultetin e dytë, këtë herë në degën “Marrëdhënie Publike”. Diplomuar më parë në Fakultetin e Mjekësisë, dega “Infermieri”.

Iva Katundi, studente në degën “Marrëdhënie Publike”.

Rinia nuk mund ta ketë botën vetëm për vete, mund ta zbukurojë atë e t’i japë nota pozitive, shembull në mënyrën e të jetuarit. Inteligjenca, vullneti dhe dashamirësia, janë trio perfekte për një jetë produktive, njëherësh model për pasuesit.

… Në këtë botë, në unin e gjithsecilit, gjithçka ka filluar me një ëndërr, ashtu si një vijë shtrohet në tablo, apo disa fjali fliten rrjedhshëm.

Por, në këndvështrimin më të rëndësishëm, rinia duhet të vlerësojë shëndetin, për pasojë edhe jeta vazhdon më e qetë.

Një djalë i ri, forcat e tij i dërgon në Fundjava Ndryshe, duke bërë bamirësi të shpeshta për familjet e varfra. Veçse nëpër kafene dhe klube, sheh ekstremin e këtij modeli. Duhani shëtit përreth tyre. Alkooli derdhet në organizëm. Kush i bën të tymosin e dehen kohë e pakohë?

… Një vajzë e re, e bukur dhe me cilësi pozitive, ka tentuar të vrasë veten pas ndarjes nga i dashuri. Një tjetër, plot gjallëri, i jep fund jetës me një pako tabletash “Valium” sepse ka pasur disa dështime në punë. 

Gjithsecili ka të drejtë të argëtohet. Nuk është një normë, e as një kusht, por një nevojë mbi aktivitetin e ngarkesën e një jete produktive. Quhet argëtim kur djemtë drejtojnë makinën të pirë, del makina nga korsia dhe ikën jeta e djalit të ri?! Si duhet ta kuptojmë këtë?

… I tmerruar nga rreptësia e profesorit, pas gabimit në mësim, studenti u vetëvar në dush. Të jetuarit në vetmi, racizmi, bulizmi, mungesa e miqësisë së vërtetë shuan energjitë e djaloshit.

Rinia e ka jetën përpara. Së bashku, duke e përfshirë dhe veten në këtë mision njerëzor, mund të sjellim një botë më të mirë, sikurse bëjnë ata që mposhtin zakonet arkaike, me përpjekjet e tyre dhe besimin te familja. Të urtë e të zellshëm për të mësuar dhe vepruar duke dhënë ide, ne mund të pikturojmë parajsën dhe t’i ftojmë brenda edhe ata që ndihen të përjashtuar për një sërë arsyesh në shoqëri. Ashtu siç shembulli i një vajzë të re, ekonomiste, propozoi idenë që për filantropi, t’ iu ndërtonin njerëzve në nevojë shtëpiza me materiale të mundura. 

Fisnikëria qëndron te fundjava me familjen, qejfi me shoqërinë, zgjimi i mençurisë. Grupe miqsh vendosin ta kalojnë ditën në një ekskursion në natyrë ose me drejtimin e grupit të alpinistëve nëpër male, vullnetarisht.

Kur puna mungon, nuk është faji i të rinjve. Por, a ekziston në Shqipëri puna me kohë të pjesshme, sepse baret, qendrat tregtare frekuentohen në fundjavë më shumë. Ndaj nevojitet gjithnjë e më shumë thirrja për punësim të moshave të reja, edhe rreth 16 vjeç, sepse e lejon Kodi i Punës.

Mungesa e leksionit të rregullt, çoroditjet nga shkolla, të fituara me kushtëzim, e bëjnë rininë të largohet nga dëshira për triumf. Prandaj dhe koha kalon në bar-kafe. Po biblioteka? Po braktiset! Se nuk lejohet leximi i materialeve mësimore, që nuk ndodhen në raftet e saj.

Adoleshentët e rinj jetën e konsiderojnë lodër. E dinë ç’i pret nga marrëdhëniet seksuale me një “partner” abuziv apo nga duhani, por me besimin se duhen apo se dobësohen, këto vese vazhdojnë.

Në farmaci, kur farmacistët nuk japin medikamente pa recetë, ky veprim pasohet nga goditje me grusht banakut. Disa i japin ilaçet për të ndihmuar largimin e pagjumësisë dhe ankthit, por i riu abuzon dhe bëhet i varur nga to.

Në psikiatri, rastet me depresion të rëndë janë shtuar. Pacientet janë kryesisht vajza të reja, të dëmtuara nga refuzimi i një burri të martuar, ngacmues. Disfata në dashuri rrëzon shumë vajza dhe djem. Kur një njeri ofendon dhe ngacmohet, një djalë i zgjuar përkushtohet te punët më me rëndësi. Ndërsa një i prapët provokon lëndim me mjet të mprehtë, për t’ i treguar karakterin e të fortit. Raste të tilla kanë ndodhur në gjimnaze. Vajza në praninë e mësuesve, vetëm 12 vjeçe vjedh me shokët një shishe Vodka dhe mësuesja e gjen gati të intoksikuar në kohë.

Një person i edukuar nuk duhet tallur se bisedon rregullisht për të marrë mendime nga Psikologu, trajton njerëzit me barazi dhe shmang shamatat.

Nuk ka qenë asnjëherë faji i rinisë për largimin nga vendlindja. Mjekët synojnë specializimet në Gjermani, të tjerë aplikojnë për lotari amerikane, duke kërkuar më të mirën për veten dhe familjet e tyre.

Mungon mirësjellja kur pyetet në rrugë “Sa është ora”?

Rinia do aftësohej dhe do kuptonte sa vlerë ka arsimi, nëse do penalizoheshin kopjet. Po të shfaqej dija si një banket me fruta edhe ushqime me vlerë, edhe mësimdhënësi do dinte si t’i afronte me shijen e tyre, nxënësi do vinte jo thjesht për të ngrënë. Kështu thoshte Psikologu dhe mësuesi Leo Buscaglia. Se i riu nuk duhet të bëhet një kopje e zbehtë e prindit, apo papagall i mësuesit.

Burimi i diturisë gjendet vetëm në mendjen e të rinjve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top