Në fokus

May 14, 2018 | 8:02

Nga Kalinë Zaka: Integrimi i fëmijëve me autizëm në shkollë

 

Edhe pse fëmijët me autizëm janë të ndryshëm në shumë mënyra nga fëmijët e zhvillimit tipik, kjo s’do të thotë se këto ndryshime janë të gabuara dhe se këta fëmijë duhet të përjashtohen nga sistemet e përgjithshme të edukimit.

Kalinë Zaka Psikologe klinike Terapiste ABA

Kalinë Zaka
Psikologe klinike
Terapiste ABA

Shkolla është sistemi më esencial dhe më i rëndësishëm i zhvillimit të një fëmije dhe për fëmijët me autizëm është e njëjta gjë. Dhe pse këta fëmijë janë ndryshe, shkolla edukon fëmijët se duhet ta respektojmë ndryshimin dhe ta pranojmë atë duke e integruar mes nesh.

Integrimi i fëmijëve me autizëm në shkollë është i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin akademik dhe social të tyre, por edhe për ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe fëmijëve për ekzistencën e fëmijëve ndryshe. Ndihmon në pranimin e tyre dhe jo e të parit të fëmijëve me autizëm si të paaftë apo të papërshtatshëm për tu integruar në shoqërinë tonë. Në thelbin e arsimit ndërkulturor janë dy element shumë të rëndësishëm: i pari thekson se edukimi ndërkulturor është respektimi i diversitetit të jetës njerëzore dhe rrit ndërgjegjësimin dhe vetëdijen se qenia njerëzore është e ndryshme në çdo aspekt në varësi të kulturës dhe jetës sociale dhe familjare dhe se e gjithë kjo gamë pasuron jetën tonë.

1

Aspekti i dytë thekson se edukimi ndërkulturor është arsimi që promovon barazinë dhe të drejtat e njeriut, lufton diskriminimin dhe promovimin e padrejtë. Asnjë nga këto dy elementë të arsimit ndërkulturor nuk e përjashton pjesëmarrjen e fëmijëve me autizëm ose me probleme të tjera të zhvillimit në mjediset e shkollave ku shkojnë fëmijët e zhvillimit tipik.

Integrimi i fëmijëve me autizëm në shkolla me fëmijë me zhvillim normal është parë me skepticizëm. Disa mendojnë se është më mirë që fëmijët me autizëm të integrohen në shkolla speciale që ofrojnë shërbim për këta fëmijë dhe disa të tjerë mbështesin idenë e përfshirjes në shoqëri dhe ndjekjes së një shkolle normale. Qëllimi i trajtimit të fëmijëve me autizëm është përshtatja e sjelljeve të tyre dhe nxitja e zhvillimit konjitiv e social për tu përfshirë në shoqëri. Teknika e parë e të mësuarit që përdorim ne si qenie njerëzore është imitimi. Nëse këta fëmijë do të shkonin në shkolla speciale ku shkojnë fëmijë të tjerë të të njëjtit targetgrup çfarë sjelljesh do modelojnë ata? Dhe këto sjellje që ata do kenë mundësi të modelojnë a janë të përshtatshme për shoqërinë në të cilën ne jetojmë?

Nëse kauza e të gjithë atyre që jetojnë me autizmin dhe pranë tij është të pranojmë dhe përfshijmë këta fëmijë në shoqërinë tonë atëherë mënyra më e mirë për të filluar është integrimi i tyre në shkolla, atje ku fillon edukimi i të gjithëve.

Edukimi dhe arsimimi është një e drejtë e të gjithë fëmijëve pavarësisht minoriteteve apo vështirësive dhe vonesave në zhvillim. Fëmijët me autizëm kanë të drejtë të jenë pjesë e grupeve dhe klasave tona akademike dhe sociale.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top