Mirëqenie

December 26, 2016 | 14:40

Nga Klaudia Stajka / Për të gjithë ata që (s) ndihen të ditur

“Problemi i kësaj bote është se njerëzit e ditur janë plot dyshime ndërsa kokëboshët plot siguri”; “Kurrë nuk duhet nënvlerësuar fuqia e të paaftëve të vetëkënaqur në grupe të mëdha, ata të ulin në nivelin e tyre e më pas të mposhtin me eksperiencë”; “Armiku më i madh i diturisë nuk është padija, por iluzioni se je i ditur!”. Këto janë thënie të filozofëve të mëdhenj, të cilat kanë mbijetuar ndër vite, të vjetra sa vetë njerëzimi.

klaudia-fotoPseudointelektualët kanë qenë dhe janë një problem i madh i shoqërisë, të cilët, për shkak të një superioriteti të brendshëm iluzionar, i shohim sot të ngrefosur, nën petkun e kostumit dhe kollareve, e që mundohen të drejtojnë fusha ku nuk janë aspak kompetentë, duke na udhëhequr drejt së ashtuquajturës “fuqizimi i injorancës”. Ky realitet i trishtë që daton me Sokratin dhe Shekspirin, është vërtetuar dhe finalizuar vetëm 17 vitet e fundit si Efekti Dunning Kruger.

Pjesa më e rrezikshme e gjithë kësaj është se të vetëquajturit intelektualë brohorasin fort kotësinë e tyre dhe ata me vlera të vërteta po fillojnë t’i duartrokasin masivisht. Efekti Dunning Kruger u shpjegua shkencërisht në 1999 si rezultat i tendencës së personave jokompetentë të një fushe të caktuar për të mbivlerësuar aftësitë e tyre dhe për të klasifikuar veten mbi nivelin mesatar, ndërsa specialistët e po së njëjtës fushë për t’u vetërenditur në një nivel të barabartë me të tjerët, duke e konsideruar veten më se të zakonshëm.

Mendjemadh, pompoz, arrogant, kokëfortë, i vetëkënaqur, i bindur se ka informacione të pjesshme apo të pasakta. Në të njëjtën rrjedhë me këtë, psikologët e shohin si një manifestim të pastër të asaj që quhet Ego, askush nuk pëlqen ta konsiderojë intelektin e vetes nën nivelin mesatar dhe kjo i pengon për të gjykuar objektivisht këtë të fundit. Për më tepër, njerëzit e kanë më të lehtë të shohin paditurinë e tjetrit sesa të vetes dhe krijojnë iluzione se peshojnë më shumë sesa “peshorja” e tyre tregon.

E thënë ndryshe, ekziston një ligj i pashkruar, sipas të cilit personat jokompetentë tentojnë të mbivlerësojnë aftësitë e veta për shkak se nuk kanë mjaftueshëm njohuri për të kuptuar limitin e pafundmë të zotësisë, si një koncept i përgjithshëm, ndërsa kompetentët e njohin zotësinë e tyre dhe janë të ndërgjegjshëm se ka një hapësirë të pafundme për të shtuar në të. Nga sa duket, në këtë rreth vicioz askush nuk del pa mëkatuar! Pra, Efekti Dunning Kruger nuk ka të bëjë vetëm me të paaftët që nuk arrijnë të kuptojnë paaftësinë e tyre, efekti është vetë psikika njerëzore në themel të saj. Qenia njerëzore dyzohet sistematikisht për kompetencat e veta dhe jeton me rrezikun për të mos i shuar kurrë këto dyshime.

Terapia më efektive për këtë fenomen abstrakt është skepticizmi shkencor: aplikimi i një procesi logjik, empirik dhe, mbi të gjitha, modest. Përveç aspekteve të ndryshme të të menduarit kritik, e rëndësishme është që shkalla e vlerësimit të vetes të fillojë nga niveli zero. Nëse supozojmë se ju jeni më pak të zotë nga ajo që pretendoni se dini të bëni dhe se ka më shumë njohuri përqark nga sa ju jeni të vetëdijshëm, rrjedhimisht do të rezultoni më kritik dhe më të saktë në vlerësimin e vetes.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top