Në fokus

December 25, 2017 | 8:39

Nga Lediona Braho/ A duhet t’ua tregojmë fëmijëve të vërtetën për Babagjyshin?

“Unë mendoj se fëmijëve të vegjël duhet t’u mësojmë të besojnë te Babagjyshi. Ky besim do t’u sjellë kënaqësi, nuk do t’u bëjë dëm, nëse nuk përdoret për t’i frikësuar ata që të sillen mirë. Duhet t’u japim fëmijëve të vegjël çdo kënaqësi të padëmshme që ata munden të kenë. Lërini të besojnë te përrallat dhe mitet, kjo nuk do t’i dëmtojë. Fëmijët do ta zbulojnë shpejt të vërtetën.” Kjo ishte përgjigjia e një vajze 13-vjeçare në një studim, i cili shënon përpjekjen e parë shkencore për të studiuar mitin e Babagjyshit, në vitin 1896. Po sot, dy shekuj më vonë? A duhet të besojnë fëmijët te Babagjyshi? Nëse po, pse? A ka një moment kur prindërit duhet t’ua thonë të vërtetën? Këto janë ndër pyetjet më të vështira me të cilat përballen prindërit dhe profesionistët, sidomos gjatë sezonit të festave të fundvitit. Për këto pyetje, shumicën e kohës, përgjigjia ka qenë e njëjtë: Lërini fëmijët të besojnë te Babagjyshi (!)

santa-saying-shshsh


Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Babagjyshi, fantazi apo gënjeshtër?

Babagjyshi është një personazh i rëndësishëm i Krishtilindjeve dhe Vitit të Ri për shumë fëmijë. Ata i dërgojnë letra dhe presin dhurata prej tij. Mirëpo, për të rriturit, Babagjyshi është një personazh kontradiktor. Disa mendojnë se besimi te Babagjyshi është një gënjeshtër, të tjerë e quajnë fantazi. Sipas disa autorëve, tri arsye madhore për të mos besuar te Babagjyshi janë: së pari, është një gënjeshtër e pajustifikuar; së dyti, dëmton besimin e fëmijës te prindi; dhe së treti, nxit sjellje të motivuara në mënyrë të gabuar (“Sillu mirë që Babagjyshi të sjellë dhurata”). Mirëpo, ka edhe shumë arsye të tjera për të besuar te Babagjyshi: ai nxit imagjinatën, krijimtarinë, aftësitë sociale dhe arsyetimin logjik. Për shumë prej nesh, Babagjyshi është një njeri i lumtur, që u sjell fëmijëve lodra. Një sondazh në vitin 2015 nga gazeta amerikane “HuffPost” gjeti se rreth 71 për qind e prindërve me fëmijë 10 vjeç e poshtë, janë shprehur se të paktën njëri nga fëmijët e tyre beson tek Babagjyshi.  Sidoqoftë, e vërteta do të zbulohet një ditë…

Kur dhe si duhet thënë e vërteta?  

Momenti më i mirë për ta zbuluar të vërtetën është kur fëmija fillon të bëjë pyetje për ekzistencën e Babagjyshit. Nuk ka një moshë fikse për këtë. Në përgjithësi, kur fëmijët fillojnë të zhvillojnë aftësitë e të menduarit kritik, fillojnë ta zbulojnë vetë misterin. Studimet tregojnë se kjo ndodh rreth moshës 7 ose 8 vjeç. Pyetjes nëse “Babagjyshi ekziston”, prindërit duhet t’i përgjigjen me sinqeritet. Nuk duhet filluar me frazën: “Ne të kemi gënjyer”. As duhet kërkuar falje. Fëmijët nuk duhet ta shohin këtë sekret si gënjeshtër. Përkundrazi, Babagjyshi duhet lidhur me magjinë dhe shpirtin e festave.

Të rriturit duhet t’ua thonë fëmijëve se Babagjyshi nuk është i vërtetë, në atë mënyrë që zbulimi të mos jetë traumatik për fëmijën. Mund të bazoheni tek fëmijëria juaj ose tek tradita familjare: “Kur unë isha fëmijë, prindërit besonin se ishte gjë e mirë të më tregonin për Babagjyshin. Mua më pëlqeu aq shumë saqë doja t’jua tregoja edhe juve. Ju mund të vendosni nëse doni ta ruani këtë si traditë apo nëse doni të festoni në mënyrën tuaj”.

Një moment tjetër kur duhet t’u tregojmë të vërtetën është kur ideja e Babagjyshit u sjell probleme fëmijëve. Për shembull, fëmijët sillen shumë mirë, sepse duan që Babagjyshi t’ju sjellë lodra, por ata mund të shqetësohen nëse bëjnë gabime dhe të kenë frikë mos e zhgënjejnë Babagjyshin. Ose mund ta lidhin Babagjyshin me lodra që nuk munden t’i marrin dhe kjo mundet t’u shkaktojë ankth. Kur lodra nuk mbërrin, fëmijët mendojnë se kanë bërë diçka gabim. Në këtë moment, ne duhet t’i ndihmojmë të kuptojnë se Babagjyshi nuk është dikush që i gjykon, por një personazh imagjinar.

Child writing to Santa

A traumatizohen fëmijët kur mësojnë të vërtetën?

Nuk ka të dhëna shkencore që të provojnë se zbulimi i sekretit për Babagjyshin është traumatik për fëmijët dhe që krijon probleme besimi në marrëdhënien mes tyre dhe prindërve. Reagimet e fëmijëve, përgjithësisht, janë të mira. Shumë fëmijë e zbulojnë misterin e Babagjyshit vetë dhe nuk bëjnë shumë zhurmë. Madje, në moshën që e mësojnë të vërtetën, ata dinë ta bëjnë dallimin mes realitetit dhe fantazisë. Nëse fëmijët nuk bëjnë sjellje shqetësuese, as ju nuk duhet të shqetësoheni. Mirëpo, nëse fëmijët mërziten, duhet të uleni dhe të flisni me ta.

parents and child.jpg

Kur e vërteta i mërzit fëmijët

Një vajzë tregon “Kur isha 5 vjeç, babi më tha se Babagjyshi nuk ishte i vërtetë, por që nuk duhet t’ia thoshja këtë vëllait të vogël. Unë mund të qëndroja me të rriturit dhe t’i ndihmoja me dhuratat, por që prej asaj kohe, Krishtlindjet nuk ishin më njësoj”.

Fëmijët mërziten, sepse mendojnë se prindërit i kanë gënjyer. Ose sepse prindërit nuk janë aq të fuqishëm. Mirëpo edhe prindërit ndihen keq. Nga njëra anë, se fëmijët janë zhgënjyer. Nga ana tjetër, ata duan që fëmijët të vazhdojnë të besojnë te Babagjyshi. Ka prindër që thonë se edhe ata e humbasin magjinë e festave kur fëmijët e tyre nuk besojnë më.

Ne mund t’i ndihmojmë fëmijët t’i menaxhojnë ndjenjat e vështira. Nëse fëmija thotë që u mërzit nga gënjeshtra, duhet ta vlerësojmë atë ndjenjë dhe ta pyesim më tej. Pastaj mund t’i shpjegojmë se “Babagjyshi është pjesë e Krishtlindjeve dhe ne besojmë te Krishtlindjet”. Ose ta vëmë theksin tek kuptimi dhe ndjesitë që Babagjyshi u dhuron festave. Qëllimi është që fëmija të kuptojë që Babagjyshi është sekret, jo një gënjeshtër.

Nëse tregohemi të sinqertë dhe të hapur, fëmija nuk do të rrijë i mërzitur. Nëse ai mërzitet apo shqetësohet shumë, mund ta përfshijmë në një lojë imagjinare: “Le të bëjmë sikur Babagjyshi është i vërtetë dhe t’i lëmë ca biskota te dera”.  Kjo do ta ndihmojë të kuptojë se shpirti i vërtetë i festave qëndron në dhënien e dhuratave dhe te ndihma për të tjerët. Mund të dhuroni gjëra ose të gatuani për të varfrit. Fëmija mund t’u shkruajë kartolina njerëzve të dashur. Ose mund të shkoni së bashku në festat që organizon komuniteti. Këto e ndihmojnë fëmijën ta rrokë më mirë kuptimin rreth idesë së Babagjyshit si pjesë e magjisë së festave.

Fëmijët i mbron aftësia për të dalluar fantazinë nga realiteti

Në moshë shumë të vogël, fjalët e prindërve (për Babagjyshin) dhe provat (dhuratat nën pemë), bëjnë që fëmijët të besojnë te ekzistenca e Babagjyshit. Me kalimin e kohës, fëmijët fillojnë të dëgjojnë fjalë të reja dhe t’i shohin ndryshe provat. Ata ngrejnë pikëpyetje për ato që dinin dhe do të kërkojnë prova të reja. P.sh., ata fillojnë të kuptojnë se Babagjyshi është shumë i shëndoshë dhe nuk mund të futet te oxhaku. Ose shohin se letra e pakos së Babagjyshit është e njëjtë me atë që kanë blerë prindërit.

Fëmijët e moshës katër deri në shtatë vjeç jetojnë atë që quhet “vitet magjike”. Ata besojnë te superheronjtë, përbindëshat, kafshët dhe sigurisht… te Babagjyshi. Ata shohin në televizor se kafshët mund të flasin, njerëzit mund të fluturojnë dhe që objektet duken dhe zhduken në ajër. Ç’të keqe ka nëse besojnë te një turmë drerësh fluturues dhe një Babagjysh që këndon? Këto personazhe kanë shumë kuptim për ta.

Fantazia është normale dhe e shëndetshme për zhvillimin e fëmijëve. Ka studime që thonë se fëmijët me fantazi të zhvilluar, mundet që ta dallojnë më mirë kufirin mes fantastikes dhe reales. Shumë fëmijë me zhvillim normal krijojnë shokë imagjinarë dhe rriten me ta. Studimet tregojnë se aftësia për të dalluar fantazinë nga realiteti fillon në fëmijëri dhe rritet me moshën. Të menduarit magjik fillon të zbehet në moshën 7 deri në 9 vjeç dhe në këtë periudhë, shumica e fëmijëve heqin dorë nga miti i Babagjyshit.

Child and Santa.jpg

Si mundet t’i dëmtojë fëmijët besimi te Babagjyshi?

Argumenti kryesor i atyre që besojnë se ideja e Babagjyshit i dëmton fëmijët është se kjo ide është një gënjeshtër. Edhe pse për qëllim të mirë, prapëseprapë, është një gënjeshtër, e cila do të zbulohet në një moment të caktuar, përgjatë zhvillimit të fëmijës. Disa prindër e përdorin idenë e Babagjyshit si mënyrë për të kontrolluar fëmijën, por kjo nuk është mënyra më e mirë e prindërimit. Sepse ne të rriturit e dimë që ai nuk është i vërtetë. I bie që po lëmë në dorë të një miti të vendosë nëse fëmija do të marrë dhurata apo jo.

Një tjetër arsye është përdorimi i Babagjyshit si strategji për të ndryshuar sjelljen e fëmijës. Prindërit i përdorin “dhuratat e Babagjyshit” si shpërblim për sjelljen dhe si mënyrë për të frenuar sjelljet e këqija. Premtimi “Babagjyshi do të sjellë dhurata po u solle mirë” dhe kërcënimi “Babagjyshi nuk vjen po u solle keq”, mund të jenë efektive në periudha të shkurtra, por shkaktojnë ankth në periudha afatgjata. Disa kërkime sugjerojnë se shpërblimet për sjelljen e mirë e ulin motivimin e fëmijës për të bërë gjërat e duhura. Përdorimi i Babagjyshit nuk është as strategjia më e mirë nëse duam t’ua rregullojmë sjelljen gjatë gjithë vitit.

Kur janë shumë të vegjël, fëmijët mund të tremben nga Babagjyshi. Kostumi, maska, mjekra, zëri i trashë, trupi i madh – të gjitha këto bëjnë që fëmijët të qajnë kur prindërit i lënë në krahët e “Babagjyshit” për t’i fotografuar. Fëmijët shumë të vegjël, të cilët ende nuk e kanë zhvilluar “qëndrueshmërinë e objektit” (aftësia për të kuptuar se diçka ekziston edhe kur nuk e sheh më), nuk arrijnë të kuptojnë se ai që e ka veshur kostumin është njeri. Është e vështirë që ata të imagjinojnë se një njeri që vesh një kostum vazhdon të mbetet njeri. Pra, fëmijët e shohin Babagjyshin me kostum dhe besojnë se ai është i tillë.

Besimi te Babagjyshi dhe ekspozimi ndaj “dhuratave” që ai u sjell fëmijëve nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, mundet që t’i bëjë fëmijët të ndiejnë diferencat social-ekonomike. Si ndihen fëmijët nga familje të varfra kur shohin se fëmijët nga familje të pasura marrin gjithçka që duan nga Babagjyshi, ndërsa ata marrin pak? Në mënyrë indirekte, ne mund t’u japim atyre mesazhin se fëmijët e të pasurve janë më të mirë sesa fëmijët e të varfërve.

Santa Claus and Child

“Gënjeshtra kolektive” dhe “gënjeshtra e bardhë”

Ka dy arsye kryesore shkencore pse njerëzit gënjejnë. Së pari, kanë prirje të fortë për t’u konformuar, edhe nëse sjellja nuk shpjegohet me logjikë. Së dyti, edhe të rriturit duan t’i largohen ndonjëherë realitetit dhe të ushqejnë mendime imagjinare. Ndërsa prindërit i gënjejnë fëmijët për arsye se duan t’i bindin ata që të bëjnë disa gjëra që nuk duan t’i bëjnë dhe që t’i bëjnë ata të lumtur. Besimi te Babagjyshi i plotëson të dyja këto kushte. I motivon fëmijët të sillen mirë dhe i bën ata më të lumtur.

Mirëpo, nga një perspektivë psikologjike, prindërit nuk duhet t’i gënjejnë asnjëherë fëmijët. Nëse i gënjejnë fëmijët, dëmtojnë besimin dhe i zhgënjejnë. Fëmija mund të mendojë: “Nëse prindërit më kanë gënjyer për diçka për një kohë kaq të gjatë, kush më thotë që nuk mund të më gënjejnë më?” Gënjeshtrat e prindërve kanë efekte te sjellja e fëmijëve. Një studim me fëmijë gjashtë dhe shtatë vjeç gjeti se kur një figurë autoritare gënjen, kjo e zbeh besimin e fëmijëve ose bën që ata të jenë dyshues për gjithçka që do të thotë figura autoritare në të ardhmen. Ndërsa një eksperiment me fëmijë në Universitetin e Kalifornisë gjeti se kur fëmijët pesë deri në shtatë vjeç gënjehen, ata janë më të prirur të gënjejnë.

Mirëpo, kur vjen puna për mitin e Babagjyshit, shumë prindër janë tradicionalë dhe e ushqejnë besimin e fëmijëve tek ky mit. Shumë njerëz bien dakord se kultivimi i besimit te Babagjyshi nuk është një gënjeshtër në vetvete, pasi prindërit, edhe pse e bëjnë në mënyrë të qëllimshme, nuk e kanë me të keq. Besimi te Babagjyshi cilësohet si një “gënjeshtër e bardhë” dhe kjo mund t’i bëjë prindërit të ndihen më pak fajtorë nga zbulimi i sekretit.

Të dhëna nga studimet

Babagjyshi është një nga figurat mitike më popullore në kulturën Perëndimore, megjithatë ka pak literaturë shkencore për këtë temë. Sereno (1951) ka hulumtuar mitin e Babagjyshit brenda marrëdhënieve prind-fëmijë. Nga vëzhgimet dhe intervistat me prindër, ai ka arritur në përfundimin se, Babagjyshi është një mit i padëshiruar, i nxitur nga nevojat e prindërve për të plotësuar nevojat e tyre foshnjore të parealizuara.

Një studim me 72 fëmijë nga mosha 4.9 vjeç deri në 9 vjeç hulumtoi mendimet e tyre për Babagjyshim, arsyetimin shkak-pasojë dhe prirjen drejt fantazisë. Studimi gjeti se besimi te Babagjyshi ulej me rritjen në moshë, edhe arsyetimi shkak-pasojë ulej me moshën. Dy faktorët ishin të lidhur me njëri tjetrin. Ndërsa besimi te Babagjyshi nuk lidhej me prirjen drejt fantazisë. Ulja e besimit te Babagjyshi lidhet me maturimin mendor të fëmijës: me aftësinë për të dalluar lidhjen shkak-pasojë dhe fantazinë nga realiteti. Fëmijët që besonin te Babagjyshi kishin forma arsyetimi më pak të zhvilluara, ndërsa ata që nuk besonin më tek ai, e shihnin realitetin në mënyrë më logjike, sipas parimeve të fizikës. Mosha 7 vjeç ishte “periudha e tranzicionit”, në të cilën fëmijët përparonin në të menduarit kritik. Në moshën 9 vjeç, shumica e fëmijëve nuk besonin më te Babagjyshi. Mirëpo, kishte edhe fëmijë që, pavarësisht maturimit të tyre mendor, ende besonin te Babagjyshi. Kjo për faktin se ata kishin shumë stimuj që i nxisin për të besuar. Për shembull, fëmijët nxiteshin nga prindërit për ta ruajtur besimin te Babagjyshi.

Megjithatë, studiuesit nuk e kanë kuptuar ende plotësisht se çfarë efektesh kanë gënjeshtrat e prindërve tek fëmijët. Aq më tepër, ideja e Babagjyshit. Pra, nuk ka të dhëna që të tregojnë se besimi te Babagjyshi apo zbulimi i mitit të Babagjyshit do t’i dëmtojë fëmijët. Mirëpo ka ende shumë pyetje pa përgjigje: Çfarë ndikimi ka besimi te Babagjyshi më vonë në adoleshencë dhe në moshë të rritur? A shpie ky besim në ushqyerjen e fantazive në moshë të rritur? A e nxit besimi te Babagjyshi prirjen për të mos besuar apo për të gënjyer më vonë në jetë? Këto pyetje duhet të marrin përgjigje në studime të mëtejshme.

“E mesmja e artë”

Babagjyshi është një zgjatim i lojës imagjinare tek fëmijët. Ka familje në të cilat vlerat fetare, por edhe vlera të tjera si bujaria, zemërgjerësia dhe altruizmi janë besime themelore. Babagjyshi është një nga mënyrat që këto familje kanë zgjedhur për t’ua mësuar fëmijëve të tyre këto vlera. Ne mund t’i lejojmë fëmijët të besojnë te Babagjyshi, por dhe të gjejnë rrugën e tyre për zbulimin e këtij miti, në mënyrë logjike. Fëmijët mund të zgjedhin të besojnë çfarë të duan dhe nuk kanë përse të ndikojnë te fëmijët e tjerë. Pyetjet e fëmijëve duhet të rroken si çaste për të mësuar, që fëmijëve t’u mësohen aftësi për të menduar në mënyrë kritike. Këto aftësi, fëmijëve do t’u duhen kur të përballen në të ardhmen, në momentet kur duhet të marrin vendime. Nëse doni të inkurajoni imagjinatën, mund t’u thoni fëmijëve që Babagjyshi ekziston apo nuk ekziston (si të dëshironi), por nëse iu thoni se nuk ekziston, duhet të luani sikur ekziston dhe mund të bëni atë që bën ai në mëngjesin e Krishtlindjeve. Mirëpo, derisa fëmijët të pyesin ose derisa ju të lexoni sinjalet e dyshimit tek ata, shijojeni së bashku magjinë e festave, duke iu gëzuar besimit të fëmijëve se Babagjyshi është i vërtetë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top