Në fokus

August 17, 2018 | 11:41

Nga Lediona Braho / Modeli i nënave moderne

E shtunë, mesditë. Ana, 31 vjeç, po punon nga shtëpia, ndërsa dy fëmijët e saj, pesë dhe shtatë vjeç, po shohin një program edukativ në televizion. Shikimin e televizorit ua ka kufizuar në jo më shumë se dy orë në ditë. Ajo punon nga shtëpia, sepse ka vendosur të kalojë më shumë kohë me fëmijët. Të jetë me ta çdo çast, edhe pse ua jep autonominë që beson se iu nevojitet për të menduar si njerëz të lirë, jo si robotë të vegjël. Pas mbarimit të programit ditor në shtëpi, të tre bëhen gati dhe dalin për të luajtur bouling. Pas lojës, Ana i shoqëron fëmijët me makinë deri tek “laboratori i shkencës”, i hapur kohët e fundit në kryeqytet. Ana beson se fëmijët e saj (si gjithë fëmijët e sotëm), kanë nevojë për shumë aktivitete stimuluese dhe se u duhet të marrin mësimet e duhura, për t’ia dalë mbanë në shkollë dhe në jetë. Ana, e divorcuar prej dy vitesh, mendon se po ia del më së miri me këtë sfidë.

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

“Nënat moderne janë shumë të zëna me punë, udhëtojnë shpesh dhe lexojnë shumë në internet”. Një besim i zakonshëm për shumë prej nesh rreth nënave të sotme. Vërtet nënat sot (duhet të) bëjnë kaq shumë gjëra? “Në kohën tonë ishte shumë më e lehtë”, thonë nënat ose gjyshet tona. “Pse?”, pyesim natyrshëm. “Po sepse ne nuk mendonim kaq shumë. Nuk shqetësoheshim mos i bënim gjërat keq, si ju sot. Ne i bënim ashtu siç dinim ose siç na thoshin.” Ndryshe nga sot, nënat e dy-tri brezave më parë, nuk kanë pasur shumë alternativa. Shumica e tyre qëndronin në shtëpi dhe kujdeseshin për fëmijët. Ndërsa ato që punonin, ishin aq të zëna me punë, saqë nuk kishin kohë të mendonin shumë, për shembull, për edukimin “e duhur” të fëmijëve. Nuk kishte “shkolla të ndryshme mendimi” sesi duhet të rriteshin fëmijët apo sesi të jetohej jeta.

Po nënat “moderne” si i bëjnë gjërat?

Nënat sot kanë shumë zgjedhje dhe mundësi. Kanë më shumë kohë të lirë për shkak të teknologjisë. Teknologjia e ka bërë prindërimin më të thjeshtë në ditët e sotme, pasi informacioni ndodhet një “klik” larg. Mirëpo, kjo ka efekte negative te shumë nëna, pasi, pavarësisht lirisë dhe alternativave që gëzojnë, nënat e sotme kanë shumë kërkesa, përgjegjësi dhe sfida. Një grua duhet të luajë shumë role (dhe t’i bëjë mirë!): të jetë një bashkëshorte e përkushtuar, një nënë shembullore dhe një profesioniste e zonja. Të gjithë presin që nënat moderne të jenë nëna “të shkëlqyera” ose “model”. Të gjithë kanë pritshmëri sesi duhet të jenë nënat. Prandaj, ndoshta një nga sfidat kryesore me të cilat përballen ato janë pritshmëritë që ka shoqëria për gratë.

Sidoqoftë, nënat e ditëve të sotme janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Ka nëna “me kohë të plotë”, ka edhe nga ato që e ndajnë kohën mes punës dhe familjes. Ka nëna që jetojnë në familje konvencionale, ka edhe nga ato që nuk kanë një partner ose bashkëshort. Pavarësisht dallimeve, të gjitha nënat ndajnë tipare të ngjashme. Cilësitë parësore të nënave janë dashuria dhe përkujdesja. Prej natyre, gratë janë pajisur me aftësinë për të mbartur dhe krijuar jetë. “Dora që përkund djepin është dora që sundon botën”, ka shkruar William Wallace. Një thënie e fuqishme, e cila ilustron rolin e jashtëzakonshëm që luajnë nënat në jetën tonë. Nënat janë dashuri, përkujdesje, mbrojtje, siguri. Nënat janë edukatoret e para e më të rëndësishmet në jetën e një fëmije.

Nënat na mësojnë fuqinë e fjalës, sepse fjalët e nënës “gdhendin” karakterin tonë siç gdhend një skulptor me fuqinë e dorës dhe mendjes skulpturën e jetës së tij. Mëmësia kërkon aftësi, zotësi dhe përgjegjësi. Vetëm kur nënat i arrijnë këto, atëherë e kanë përmbushur misionin: fëmijët bëhen të zotë dhe shoqëria njerëzore bëhet më e mirë. 

Këto cilësi përbëjnë arketipin e nënës, një perceptim shoqëror, i trashëguar në pandërgjegjien kolektive për atë sesi duhet të jetë një nënë. Prandaj, nënat e sotme, duke u përpjekur të bëjnë zgjedhje nga të gjitha mundësitë që kanë përpara, kujtojnë thënien e nënave ose gjysheve të tyre: “Në kohën tonë ishte shumë më e lehtë”.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top