Në fokus

January 8, 2018 | 9:09

Nga Lediona Braho/ T’i shpëtojmë fëmijët nga pajisjet teknologjike

Femijet me telefona

Këta vogëlushë nuk po bëjnë asgjë të pazakontë, apo jo? Kështu mund të mendojnë shumë prej jush. Prindër e joprindër. Por, a nuk ju duket ky një mendim i pazakontë? Ose më mirë të them, një mendim i pamenduar?

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Fëmijë të vegjël, jo më shumë se një vjeç e gjysmë, me telefona në duar, të përqendruar, të mahnitur nga ajo që shohin, të shkëputur nga gjithçka tjetër rretheqark. Dhe të mendosh se kjo foto është vetëm një çast i fiksuar në objektiv nga e gjithë jeta pak-teknologji-nuk-bën-keq e fëmijëve të sotëm.

Dramatike do ta quaja mënyrën sesi teknologjia po i ndryshon fëmijët e vegjël. Kërkimet e fundit tregojnë se pajisjet teknologjike u sjellin dëme fëmijëve, disa prej të cilave i kam listuar shkurt më poshtë:

Së pari, dëmtojnë shëndetin. Sa më shumë kohë para ekraneve, aq më pak kohë për aktivitete fizike dhe aq më i madh risku për obezitet.

Së dyti, dëmtojnë gjumin. Shikimi i televizorit dhe përdorimi i kompjuterit bëjnë që fëmijët t’i zërë gjumi me vështirësi ose të mos flenë të qetë. Ndërsa ekranet e telefonave dhe tabletave emetojnë dritë blu, e cila është e dëmshme, pasi mund t’u shkaktojë dhimbje koke, shtrembërim ose irritim të syve dhe shqetësime në gjumë.

Së treti, dëmtojnë marrëdhëniet. Kur përdorim teknologjinë, ne nuk ndërveprojmë me njëri-tjetrin. Duke marrë parasysh agjendat e ngjeshura të familjeve të sotme, imagjinoni sa e vështirë është gjetja e kohës për të ndenjur bashkë.

Së katërti, dëmtojnë vëmendjen. Sa më tepër kohë të kalojë fëmija para ekranit, aq më shumë probleme do të ketë me të kushtuarit vëmendje dhe me kohëzgjatjen e vëmendjes.

Së pesti, dëmtojnë jetën shkollore të fëmijëve. Kërkimet tregojnë se, kur fëmijët shohin shumë televizor, ata mund të marrin nota më të ulëta dhe të lexojnë më pak libra. Ndërsa pakësimi i kohës para ekranit mund t’i përmirësojë notat.

Së gjashti, dëmtojnë mirëqenien emocionale të fëmijëve. Interneti i ekspozon fëmijët ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme dhe reklamave. Shumë orë para televizionit bëjnë që fëmijët të shohin materiale që mund të paraqesin dhunë, seksualitet dhe ushqime të pashëndetshme.

Së shtati, dëmtojnë sigurinë e fëmijëve. Kur flasim për teknologjinë, nënkuptojmë edhe internetin. Fëmijët janë të pambrojtur përballë ngacmuesve dhe abuzimeve që bëhen online, ndaj prindërit duhet të garantojnë sigurinë e tyre.

Zgjidhja? Epo, meqë askush nuk mundet t’i thotë “Stop” teknologjisë në kohën që po jetojmë, të paktën mund t’i bëjmë “Pause”, në disa mënyra. Ju që keni fëmijë ose kujdeseni për ta, mund të bëni disa “rregullime” në shtëpi:

Së pari, në dhomën e fëmijës nuk duhet të ketë televizor. Kërkimet tregojnë se, fëmijët që kanë televizor në dhomë marrin nota më të ulëta në teste, kanë probleme me gjumin dhe vuajnë nga obeziteti.

Së dyti, kur fëmijët bëjnë detyrat, televizori duhet fikur, sepse ndërhyn te vëmendja dhe përqendrimi.

Së treti, fëmijët duhen mbikqyrur. Nëse ata kanë nevojë të zgjedhin një videolojë apo një program televiziv, ju duhet t’i ndihmoni të bëjnë zgjedhjen dhe të siguroheni për përmbajtjen që do të shohin.

Së katërti, koha para ekranit duhet të jetë shumë e kufizuar. Për fëmijët e vegjël (3-6 vjeç) nuk duhet t’i kalojë dy orë. Për fëmijët më të mëdhenj, ju duhet të caktoni një orar dhe t’i qëndroni besnik atij.

Së pesti, duhen kërkuar mundësi të tjera veç teknologjisë. Ju mund të gjeni mënyra për të kaluar kohë bashkë, PA pajisje teknologjike. Për shembull, mund të luani lojëra tavoline ose të lexoni libra së bashku.

Pra, me rregullime të vogla, mund të shpëtoni fëmijët tuaj nga pajisjet teknologjike – këta “përbindësha” të vegjël që… epo, që duhen lidhur sa nuk është vonë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top