Psikofakt

August 23, 2017 | 15:55

Nga Leonard Veizi: Inflacion VIP-ash, me “zogj”, kallashnikovë e kobure në brez

Ma hëngri shpirtin kjo puna e VIP-ave. Dhe në Shqipëri ne kemi jo pak të tillë. Realisht VIP-a a të fabrikuar si të tillë, këtë çështje vështirë ta zgjidhë edhe gjyqi i Hagës.

Nga Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Nga Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Nja 30 vite më parë, a ndoshta 25, kur u ndesha më këtë sentencë hyjnore që m’u duk si kriptogram pa zgjidhje, bëra si bëra dhe pyeta ca me takt që të mos dukesha nul fare. Çfarë do të thotë VIP? Very Important Person. Jo more. Po ore po. Po në shqip si i thuhet, se unë kam bërë rusisht në shkollë. Person Shumë i Rëndësishëm, or plak. Ç’është e vërteta në atë kohë isha djalë i ri, por më pëlqente ky zhargon urban. Më shumë më pëlqente të më thërrisnin “profesor”. Se ishte bërë si modë. Por ja që planet m’u prishën. Kishte hyrë VIP-i në mes. Po cilët na qenkan këta VIP-a? Si me ta shpjegu unë ty: Elvis Presli, ose Majkëll Xhekson për shembull. E çfarë kanë këta për të qenë VIP-a? Shumë para, shumë famë, shumë femra… domethënë të gjitha me “shumë”. Po ndonjë tjetër, se sikur s’po më mbushet mendja? Kenedi… Ëhë… Edhe Merlin Monro, e njeh? Asaj që i ngrihet fustani përpjetë. Fiks. Edhe kjo ka pasur shumë para? Nuk ia kam parë llogarinë bankare, por sa për famë… E kuptova.

Ca vite më vonë ia arrita të dëgjoja se edhe unë isha futur në radhën e VIP-ave. E Nardo, je bo VIP fare, të pash mbrëmë në televizor. Ia hodha, thashë me vete. Po dola dhe nja dy-tre herë të tjera u vulos kjo punë. Sa u mata ta ftoja tjetrin për një birrë, se më bëri goxha nder, u kujtova se nuk kisha marrë rrogën prej dy muajsh. Një çikë ngushtë për të qenë VIP, por si të gjithë, fillimet janë të vështira. Më pas do rregullohesha. U mjaftova me një faleminderit dhe u justifikova se më duhet të shpejtoja për një takim të rëndësishëm. Një ditë tjetër më erdhi një ftesë e papritur nga një tavolinë me fytyra të njohura: Profesor Nardi, eja ta pimë një kafe, apo ju VIP-at nuk uleni me ne Popullin e Thjeshtë. Epo ky e meritonte vërtet një birrë. Edhe “profesor” edhe “VIP”. Etiketim më të plotë nuk kisha ku gjeja. U ula. Pagova dhe tavolinën se për shans, një nga rrogat e vonuara ma kishin likuiduar ata të financës. Në fund të fundit VIP-it i takonte të paguante e t’i linte ndonjë qindarkë bakshish edhe kamerierit.

Ujërat rrjedhin, bashkë me kohën kuptohet. Formacioni i VIP-ave zgjerohet. Ndonjëherë më duket se ngado që hedh sytë ndeshem me VIP-a.

Mizëri VIP-ash.

Këto ditë të nxehta vere, aty në kafen e përditshme, i hedh ndonjë sy gazetave, ku më së shumti gëlojnë faqet me bluetooth…. VIP-i në skenë me mikrofon në gojë. VIP-ja në plazh me bikini. VIP-es i duket “zogu”. VIP-i me kallashnikov në dorë e kobure në brez.

Këta janë VIP-a o të keqen.

Inflacion.

Pse ore kaq shumë VIP-a kemi ne në Shqipëri? Pyetja nuk mbetet asnjëherë pa përgjigje. Vallahi-bilahi, sa të dush kina. Ja ku ke 12 revista, të gjitha me surrate femrash. Të gjitha VIP-e janë. Ça kujton ti?!

Ndalem të shoh portretet e retushuara me kozmetikë e photoshop. Nuk dua të merrem me thashetheme, por nuk duroj dot. Po kjo çne në radhën e VIP-ave? Si ore “çne”, ajo është hata fare, ta shohësh me brekë plazhi të ikën mendja fare. Jarebi ta shohësh pa gjë fare… Ore para ca vitesh, kjo dhe motrat e saj nuk ia dilnin në vishnin as brekë të zakonshme, se ishin nja dhjetë frymë në shtëpi… E o derbardhë mos u bëj trap dhe ti, këtu qëndron sekreti. Po dole një herë pa brekë ia hodhe bythës. Ngjitesh në skenë dhe s’ka nevojë as të flasësh, e as të këndosh. Të kap dhe kamera nga poshtë dhe tak-fak bëhesh VIP. Pastaj thuaj sa të duash ti: s’kishte brekë të vishte.

Ke të drejtë, s’më kishte shkuar në mendje hiç. Pa brekë është dhe moda.

E ja kështu vajti kjo punë.

Hajde VIP hajde, kishe nxjerrë një roman të ri më thanë. Këtë herë nuk më pëlqeu fare etiketimi. Po çne unë VIP, edhe librin ma sponsorizuan se këto kohë jam pa punë, ia kthej.  Mos e vrit mendjen shumë, kush nuk e merr në punë një VIP si ty…

Rrofsh or mik. Më lehtësove.

Ja, mendova me vete, kësaj i thonë ta kapësh veten, e të jesh në një hap me Amerikën.  Për dreq m’u kujtua sërish Kenedi, Elvis Presli e Merilin Monro…

Burimi: http://leonardveizi.blogspot.al/2017/08/inflacion-vip-ash-me-zogj-kallashnikove.html

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top