Lifestyle

February 14, 2018 | 14:41

Nga Leonard Veizi: Perceptim mbi një poemë të palexuar

Përsiatje

Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Vargjet janë aty, por varet si ti i lexon.

Se televizori qëllon hapur dhe në ekranin 50 inç trasmetohet një nga ndeshjet e Champion Liga, centrifuga e lavatriçes ka marrë superxhirot dhe procesi i larjes së të brendshmeve nuk ka ndër mend të mbarojë, ndërsa në sobën me korrent uji që vlon pret një dorë oriz apo makaronat e gjata si turjelë. Dhe për çudi, në këtë “magji” kakofonie, ti vazhdon të lexosh poezi.

Djalli e marrtë!

Dashuria në vjeshtë është bimë fatkeqe.

Frutat lind nën dhè, në errësirë.

Dhe lulet nuk i rrojnë gjatë, as gjethet.

Fëmijë të thjeshtë, pa bekim, ardhur ditën, ikur natën.

Pagëzuar me ujë të zi dhe me baltë.

Ç’po ndodh kështu…?

Mund t’i perceptosh tërësisht vargjet edhe pse decibeli i zhurmave ka ardhur në rritje, pasi “filarmonisë” i është shtuar uturima e makinës fshirëse, e cila ka marrë tapetin tej e tej, ashtu siç mund të mos e kuptosh fare çfarë thuhet në to edhe kur në nerva e sipër stakon çelësin e automatin për të krijuar një qetësi absolute dhe krejt boshe.

E mbyll librin dhe e rihap, sepse gjithmonë do gjesh një arsye për ta lexuar apo për ta lënë mbi tavolinë. Dhe gjithmonë do të gjesh një arsye për të justifikuar mospërqendrimin tënd ndaj vargut: sepse, ose dielli i plazhit të ka rënë në kokë dhe kërkon të hidhesh me kokë në pishinë, ose shkreptimat që shoqërojnë shiun rrëzëgjerë të kanë tronditur me krismat e tyre të thata.

Dashuria në vjeshtë ishte bimë fatkeqe.

Që nga lulja, fruti dhe gjethja mbi të cilën

e gjelbra shkon pa i hapur udhë të blertës.

Poezia është aty, por varet kush e reciton.

Mund të jetë gjimnazist i pasionuar më zë ende të papjekur mirë, apo një student i artit dramatik që ka marrë veç pak leksione nga e folura skenike. Dhe ti ende nuk e shijon. Sepse, në fund të fundit po kërkon diçka që mendon se është afër përsosmërisë, diçka që mbase nuk ekziston, por që ti çuditërisht vazhdon ta kërkosh e ta kërkosh.

Dhe ku unë.

Me të vetmen formë që më ka mbetur.

Atë të gjilpërës së madhe, me një sy,

më duhet të futem në trupin tënd të lodhur.

Të qep gjithë sa shqepa vetë

dhe gjithë sa gjeta të shqepur tek ti”.

ariani

“Ndreqje Gabimesh”. Kështu quhet poema. Dhe vjen qetësisht tek ty, për t’u futur pak nga pak në tërësinë tënde, deri në inde. Duhet një recitues të mirë, edhe një tjetër… një skenë e hijshme dhe një koreografi e çartur…

Dhe kaq për të bërë spektaklin, asgjë më shumë s’ka vlerë.

 Ndreqja e gabimit të vjetër

me një gabim të ri

ishte rritje.

Dalje nga vetvetja,

dëfrim.

Sepse, nëse ajo çfarë ke menduar në tërësinë tënde tek deliron në një çast magjiplotë del nga goja e një aktori brilant, gjithçka merr vlerën e duhur.

Poezia është aty, por varet si e lexon. Apo… varet apo kush ta lexon.

Arian Leka ia kishte besuar vargjet e tij Timo Fllokos.

 

http://leonardveizi.blogspot.al/2018/02/perceptim-mbi-nje-poeme-te-palexuar.html

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top