Ajo çfarë na mbetet në kujtesën tonë në mbrëmje, janë reflekse, bëhen reflekse nga ndikimet e përvojave. Po, të fituara nga ngjarje të ditës. Aktivitetin tonë të përditshëm, e sjellim nëpër mendjen tonë, duke e përpunuar. Thjeshtë bëjmë çdo ditë ciklin ditor të jetës. Nga mëngjesi, kafja, përkushtimi ndaj detyrimeve dhe përballja me shoqërinë….
-Voila*, në njërin prej institucioneve të arsimit, në atë të nivelit më të lartë, Universitet. Hyn lehtë. Në momentin e parë, nuk e kupton se çfarë po ndodh, nga shkujdesi i ecjeve të pa “faj” të studentëve, që për çudi më shumë femra. Do drejtohesh të marrësh informacionin e parë, nga zyra e informatave, aty, një punonjës të pyet: Çfarë do? Pa e ngritur kokën të të shikoj. Ndërkohë që flet, “dëgjohesh me vëmendje”, në fund merr një përgjigje: oh nuk të kuptova asgjë. Ma thuaj dhe njëherë. Je ajo/ai që do të marrësh përgjigje se të duhet patjetër, do t’i sqarohesh sërish…Dhe merr një udhëzim.
– Për në katin e tretë, tek sekretaria*.
Por sekretari s’kishte aty, apo dhe kishte?! Ah, po ajo e dekanatit. Duke mos marr udhëzimin se çfarë hapash do të ndjekësh pasi ke dalë fituese në një nga aplikimet…dëgjon studentët: Profesori s’ka ardh kush do të na e mbaj provimin?
Orientohem mes asaj rrëmuje, kthehem tek zotëria i zyrës së informimit. – Uuu po prit se ka sekretari tjetër, ajo e aplikimeve, ajo te dera.
Për tek zyra e “sekretarisë tjetër”. – Goca për çfarë je se s’jemi zyrë informimi ne, ja ku i ke atje ik drejtohu!!! – Nga aty po vij zonjë. Aty kthehu, aty!
– Sërish jam unë, dhe sërish më kthyen tek ju…Oh po si nuk m’u kujtua, se për besë nuk e di unë mirë. Po, shiko tek sekretaria tjetër tani, te sekretaria e degëve…(Po ti zotëri, me gjithë respektin për punën tuaj, si zyrë informimi, çfarë di? Më thuaj një informacion që di saktë?)
Sekretaria tjetër, një zyrë e mbushur me dokumente sipër dollapëve dhe sipër tavolinave, punëtoret femra, që hanin drekën sipër atyre dokumenteve vendosur domate, speca të fërguar dhe kos e lëng, ose ujë…Nuk ka asnjë të keqe të konsumosh një vakt ushqimor gjatë orarit te punës në ambientin e punës, por të paktën mbyllja e derës për pak minuta, do të ishte më e “pranueshme”. “Moj ti, ti, ti tek dera, do na lësh rehat të hamë bukë a si e ke hallin? Ik, ik se të themi ne.
Nuk po e kuptoja ende që isha në Universitet, në një shkallë ku studentët një ditë do të bëhen intelektualë, profesionistë të fushave të ndryshme, por, por deri në atë moment nuk je asgjë, je një njeri i trajtuar si çfarë ta quaj, nuk e quaj dot me asnjë emër, sepse më vjen keq. Nuk i kthej përgjigjen zonjës, shikoj një tjetër punonjëse.
Të lutem, më duhet një informacion… Çfarëdo hapash ndjek pas daljes së listës me status fitues të emrit tim?
– Po ti i ke sjellë dokumentet, i ke sjelle këtu, ato. (Që s’dua t’i përmend me emra). Zonjë, ato janë në dosje kur kam aplikuar, juve ju kanë ardhur? – Po prit moj prit se tani po mendohem, ato ah, po ato duhet të presësh të dalë data. A pyete në informacioni? Po. A pyete tek sekretaria? Te cila, se kjo është e treta?! Tek e aplikimeve? Po, pyeta. Atëherë prit datën, se ç’të të them se di mirë as unë. Ne nuk i dimë mirë ato, ati i din. Po kush i di…me një gjysmë përgjigje, e trajtuar si një njeri i parëndësishëm po, (jo patjetër duhet te jesh i rëndësishëm për të gjithë, është pjesë tjetër e diskutimit) kur them i parëndësishëm, e kam fjalën për nivelin edukativo-arsimor dhe kulturor të njerëzve që shkojnë në atë institucion. Sepse do kuptohet se edukata dhe kultura do jenë formuar përderisa ke arritur në atë punë në rastin e saj, dhe studimi nga pjesa tjetër, ata që nxënë aty. Komunikimi do të duhej të ishte i nivelit më të arritur në shoqëri, gjithmonë bazuar në të vërtetën, e cila mbështetet në kulturën dhe edukatën e njerëzve në atë institucion se si duhet të ishte. Përveç komunikimit, i cili nuk është patjetër i nevojshëm sipas një pjese të tyre, të paktën rregulli i ndjekjes së procedurave të ishte normal. Përgjegjshëm dhe udhëzues mirëfillshëm mbi të gjitha.
Në sy të parë, duket sikur të gjithë bëjnë punë, janë të zënë. Por në fakt asnjë nuk punon atë që duhet sjellë rezultat, asnjë nuk bënë punën e saktë dhe atë punë që ndihmon studentin. Të gjithë duken sikur po mbarojnë gjëra të rëndësishme, kur më të rëndësishmit aty, që nxënë mësimin, dijen dhe marrin diplomën më vonë, e cila u përcakton profesionin në të ardhmen, shtyhen, dhe trajtohen si nënshtruesit e tyre dhe jo si ata që nesër do të bëhen dikush në jetë. Qoftë të rëndësishëm edhe për veten e tyre, familjen pse jo dhe shoqërinë.
Ndoshta kjo është thjesht një blic, i ngjarjeve të çdoditshme që ndodhin aty, por sidoqoftë gjerat marrin erë edhe me herën e parë. Një shoqëri që nivelin arsimor e ka të një niveli me gradë nën zero edukative. Nuk besoj se do ketë institucion më të lartë më të arritur se ky!
Dita nuk mund të mbyllet pa trazime të mendimeve, për gjërat që shohim, na pengojnë dhe s’ i ndryshojmë dot, as edhe nuk na lejohet, e gjitha që mund të bëjmë, është t’i flasim, t’i tregojmë, edhe ti shkruajmë siç është në rastin tim.
…Siç duket, do të kem kohë të mjaftueshme, situata të shumta, për të parë, thithur informacione dhe reflektuar (jo) sipas nivelit edukativ dhe mentalitetit të shoqërisë së tillë nëpër institucionet arsimore shtetërore të këtij vendi!
P.s: *Pa kafe të nxehtë, pa kafe fare!!!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.