Edhe pak ditë dhe fillon shkolla. Do të doja që mësuesit të dëgjonin lutjen time, por edhe unë ashtu si Migjeni i madh nuk kam fuqi prej Perëndie, që ti bëj mësuesit tanë, të mos i trembin e paragjykojnë nxënësit e tyre. E megjithatë unë, po ja u drejtoj lutjen, mbase dikush do të më lexojë.
Mësues, kur të jeni në klasë me fëmijët përpiquni t’u vini në dukje gjërat, që mbajnë mënd nga mësimet e shkuara apo gjërat e reja, që kanë mësuar gjatë pushimeve. Kështu do të ulin shkallën e ankthit e të frikës dhe fëmijët do të demonstrojnë gjithnjë e më lirshëm dijet e tyre. Ankthi (frika irracionale) dhe frika janë të lidhura me mosbesimin e mosvlerësimin e vetes, të cilat janë të lidhura në mënyrë direkte me harresën, pasi krijohen në të njëjtën zonë trunore.
Mësues, nxitini fëmijët, nxiteni mendjen e tyre të jetë një proces aktiv, ku nëpërmjet energjisë që i jep procesi i rritjes dhe së bashku me informacionin, që do të marrë nga ju të fuqizojnë mendjen e tyre, të fuqizojnë mendimin drejtë shkencës, sporteve dhe arteve. Mësues, frika nga shkolla nuk është një frikë dosido. Frika nga shkolla ka të bëjë me aftësinë, për të patur e thënë fjalën e vet secili dhe për të patur kurajon e aftësinë për t’u përballur me të panjohurën. Përpiquni mësues të bëni më të mirën edhe pse është vërtet shumë e vështirë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.