Kur fëmija tregon diçka, të rritur, prindër, dëgjojeni me kujdes, pasi më shumë po pyet sesa po tregon. Fëmija 5 vjeç nuk di ende të bëjë pyetje, për këtë arsye ai përdor të vetmen mënyrë që di, të tregojë.
Fëmija përdor të njëjtat mënyra që përdorin prindërit me të. Prindërit i tregojnë edhe ai u tregon atyre, prindërve, gjërat e reja që ka mësuar. Në moshën 4-11vjeç, mosha e “pse-ve” pafund dhe e “vlerave”, është faza që fëmija mëson të ndërtojë strukturat që lidhin fjalën me kuptimin, veprimin, vlerat dhe shkakun. Pra po ndërton skemat shkak pasojë dhe të vlerave. Prindër kur dëgjoni fëmijën, mos ngecni te fjalët e tyre, por mendoni se çfarë do të thoni dhe kujtohuni se fëmija po bën pyetje. Në rastet kur nuk dini të përgjigjeni, prindër, i thoni fëmijës me qetësi se nuk e dini dhe vazhdoni:- por mund ta lexojmë te libri apo mund të pyesim një njeri që di të japë një përgjigje të saktë.
Kjo mënyrë, që i tregoni se nuk dini, ka një efekt pozitiv te fëmija, ai kupton që edhe të rriturit vazhdojnë të mësojnë. Në mendjen e fëmijës i rrituri është njeriu që i di të gjitha, por kjo nuk është e vërtetë. Kjo mënyrë të përgjigjuri me kurajo është shumë e rëndësishme, se i mësoni fëmijës që njeriu mëson gjatë gjithë jetës. Kur dini të përgjigjeni, tregojani në mënyrë të personalizuar “unë e di kështu” dhe thoni variantin tuaj. Prindër asnjëherë mos u nxehni, apo të përdorni fjalën “turp” kur fëmija bën pyetje të sikletshme. Fëmija çdo gjë të re që mëson, vendi i parë ku do ta demonstrojë, është familja e tij.
Fëmija dëgjon në mjedise jashtë shtëpisë lloj-lloj fjalësh që të rritur të ndryshëm i përdorin me lehtësi, por fëmija do të dijë dhe të dëgjojë mendimin dhe sqarimin e prindërve dhe meqenëse nuk di të pyes, e tregon duke e përdorur. Reagimi juaj duhet të jetë edukues dhe jo kërcënues e frikësues. Ju duhet ta dëgjoni me qetësi dhe duhet ti përgjigjeni me qetësi, se kjo fjalë apo ky veprim nuk është i mirë për t’u përdorur pasi nuk të le të bëhesh i zoti. Ashtu siç i zgjedhim ushqimet, po ashtu i zgjedhim edhe fjalët, pasi jo çdo fjalë e re është e mirë për t’u përdorur dhe na ndihmon për të menduar sa më mirë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.