Mirëqenie

April 22, 2017 | 13:49

Nga Mimoza Prengzaj / A jemi të vetëdijshëm se çfarë do të thotë vetëvlerësim?

Të gjithë kemi dëgjuar të flitet për vetëvlerësimin, madje në bisedat e përditshme edhe ne e përdorim shpeshherë fjalën vetëvlerësim. A jemi të vetëdijshëm nëse çfarë do të thotë vetëvlerësim?!

Mimoza Prengzaj, MSc, Psikologe këshillimi

Mimoza Prengzaj, MSc, Psikologe këshillimi

Vetja është pikë përqendrimi e rëndësishme për të organizuar mendimet dhe për të drejtuar sjelljen shoqërore. Vlerësimi që kemi për veten është akoma më tepër i rëndësishëm për të realizuar objektivat dhe qëllimet tona. Arritjet tona personale dhe profesionale shtyjnë përpara konceptin tonë mbi veten, sidomos kur ne shohim atë të pasqyruar në vlerësimet e të tjerëve. Kur të tjerët mendojnë mirë për ne, na ndihmon që të mendojmë mirë për veten. Të ndjerit mirë me veten na jep një ndjenjë kontrolli mbi jetën, të ndihmon të ndihesh i kënaqur në marrëdhënie me të tjerët, të lejon të caktosh pritshmëri realiste ndaj vetes. Pra, vetëvlerësimi apo vlerësimi i vetes do të thotë se si ne i referohemi vetes, se si mendojmë dhe ndihemi për vete. 

boy-reaching-for-stars

Vetëvlerësimi ndahet në tre grupe: Vetëvlerësimi pozitiv, pra individi ka një vlerësim të lartë të vetes ose mund ta vlerësojë drejt atë, vetëvlerësimi i ulët, kur individi nuk ka besim në aftësitë e tij dhe i zhvlerëson totalisht ato, vetëvlerësim konfuz, kur kemi luhatje të vazhdueshme të vlerësimit, kjo në varësi të situatave në të cilat ndodhemi. 

Të ndjerit mirë me veten është i rëndësishëm, pasi të jep një ndjenjë kontrolli mbi jetën, të ndihmon të ndihesh i vetëkënaqur në marrëdhënie me të tjerët, të jep siguri dhe forcë mbi veprimet dhe sjelljet e kryera. Të marrësh iniciativa, të komunikosh lirshëm, të zgjidhësh probleme, pra e shprehur në një formë më konçize, të kesh vetëvlerësim të lartë do të thotë: 

Të mbash qëndrim pozitiv ndaj vetes, të vlerësosh veten maksimalisht, të jesh i ndërgjegjshëm për aftësitë e tua, të shohësh veten si kompetent dhe të jesh i aftë të bësh çfarë dëshiron. 

Në anën tjetër qëndron të ndjerit keq me veten, ç’ka do të thotë  mungesë e theksuar e vetëvlerësimit ndaj performancës së ulët, mungesë lumturie, mungesë dëshire, mungesë komunikimi e besimi. Një pikë e rëndësishme për të pasur vetëvlerësim të lartë është edhe imazhi që kemi për veten. Imazhi për veten ka të bëjë me mënyrën se si e shohim veten në lidhje me të tjerët ku përfshihen:  Si e shohim veten fizikisht, çfarë njeriu mendon se je? Çfarë mendon se të tjerët mendojnë për ty? Sa e pëlqen veten apo sa mendon se të tjerët të pëlqejnë ty? Një imazh negativ për veten çon në një vetëvlerësim të ulët, ku fokusohet në atë sesi ndihesh ndërkohë që ka të bëjë me atë sesi e sheh veten. 

Gjatë periudhës së adoleshencës koncepti për veten formohet nga reagimet, përgjigjet që ata marrin nga prindërit e tyre, të cilët i ndihmojnë ata të rrisin vetëvlerësimin kur ofrojnë kujdes të pakushtëzuar dhe i shërbejnë  pavarësisht nga sjellja që ata shfaqin. Tek adoleshentët, vlerësimi ndaj vetes rritet kur ata kanë dashurinë, mbështetjen dhe aprovimin e prindërve të tyre. Kur pjesëtarët e familjes janë kërkues, ndërveprues, bashkëpunues me ta stimulojnë vetëvlerësimin e tyre etj. Të  gjithë individët formojnë përshtypjet e tyre rreth asaj se kush dhe çfarë mendojnë ata se janë. Kjo është afërsisht e njëjta gjë sikur gjithësecili të zhvillonte një teori të tijën rreth asaj se çfarë ndjen ai se është. Kësaj përshtypjeje personale i  referohem si koncept për veten. Një koncept i lidhur me të është edhe vetëvlersimi. Vetëvlersimi i referohet gjykimit të vet personit për vlerat etij. Megjithëse koncepti për vete mund të përfshijë më shumë aspekte për veten sesa vetëm vlerat, shpesh të dyja këto tema përdoren për të zëvendësuar njëri-tjetrin. Koncepti për veten që secili prej nesh ndërton për vetëveten, është i rëndësishëm gjatë gjithë jetës. Për të vazhduar punën, jetën, përpjekjet dhe për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, është e rëndësishme që gjithësecili nga ne të ketë një koncept pozitiv për veten.

Me fjalë të tjera, që njeriu të jetojë jetën dhe të jetë produktiv, në radhë të parë ai duhet të ndihet mirë me veten. Ky fakt është i rëndësishem si për fëmijët, ashtu edhe për të moshuarit.  Koncepti për veten është një ide abstrakte. Është e vështirë të shpjegosh se çfarë përfshin ky koncept. Megjithatë, ai mbetet një faktor i rëndësishëm në aftësinë e personit për të funksionuar normalisht. Njerëzit e çdo moshe kanë nevojë të ndihen mirë me vetveten dhe ta gëzojnë jetën e tyre. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top