Marrëdhënie

April 22, 2017 | 14:32

Nga Marsi Simo/ ​Çfarë po ndodh me vajzat tona?

 2751729

Kudo nëpër botë fëmijët kanë pothuaj dëshira të njëjta. Dikujt i pëlqen të vrapojë, të luajë me top, të shkarravisi nëpër mure apo të hidhet në litar. Dikush tjetër mund të  preferojë të lexojë dhe të pikturojë, apo dhe shumë dëshira të tjera. Rëndësi për fazat e rritjes, ka që të gjitha hapat të kalohen sipas zhvillimit fizik dhe aspektit socio-psikologjik të fëmijës.

Nga Marsida Simo Sociologe

Nga Marsida Simo
Sociologe

Për këtë gjë është përgjegjësi e prindërve t’u sigurojnë të vegjëlve të tyre jo vetëm kushtet bazë, por edhe një mjedis të qetë dhe të lumtur. Megjithatë vështirësitë ekonomike, mentaliteti, zakonet e trashëguara nga të parët, shpesh bëhen nxitës të krijimit të disa situatave ku fëmijëve direkt ose indirekt i ndalohet fëmijëria. Një fenomen edhe pse në zhdukje, por jo plotësisht, është martesa e hershme.  Kjo praktikë prek të dy gjinitë, por më tepër vajzat. Madje kjo mund të ndodhë jo vetëm tek familjet rome, por edhe më gjerë. Kjo gjë është e pritshme në vende si i joni ,  ku familjet pavarësisht dëshirës për zhvillim dhe emancipim mbartin në thelb patriarkatin. Roli i vajzave është i përcatuar që në vogëli ku pritshëmritë e prindit për ata është martesa. Këtyre vogëlusheve u duhet të largohen nga lojrat dhe të kthehen në gra. Nëse fundjavave dikur i kalonin me shoqet, tashmë u duhet të kujdesen për vjehrrin dhe vjehrrën. Nëse më parë mendonin për shkollën dhe librat, tashmë detyrohen të fokusohen në krijimin e një familje të re. Ashtu si të rriturit edhe ata duhet të zbatojnë zakonet dhe t’i trashëgojnë duke mos e zhdukur këtë dukuri negative.

Legjislacioni Shqiptar, shprehet qartë se martesa e dy individëve është e lejuar pas moshës maxhorene, e cila është 18 vjeç.  Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe. Gjatë procedurave për legjitimimin e këtyre rasteve dalin shkaqet e martesës së hershme e cila mund të jetë, emigrimi, shtatzëni e paplanifikuar, dashuria midis palëve, interesi ekonomik etj. Sigurisht që pavarësisht shumë arsyeve, në thelb qëndron varfëria e cila shkakton pasojat njëra pas tjetrës. Jo pak raste prindërit nga pamundësia për t’i rritur fëmijët, gjejnë rrugën më të sigurt sipas tyre, duke i martuar sa më parë. Edhe nëse nuk kanë mbështetjen ligjore mjafton fejesa si proces i parë i “dërgimit” të vajzës në derën tjetër. Këta prindër mendojnë se i shpëtojnë vajzat e tyre nga skamja, por nuk e kuptojnë që më shumë e thellojnë. Madje disa pretendime të tyre lidhen edhe me shmangien e gabimeve që mund të bëjnë vajzat duke ruajtur nderin. Tek këto familje ende sot morali ka kuptim fizik që i përket gruas duke e ndrydhur atë, dhe ndër të tjera duke e bërë që ajo ta lëri veten gjithmomë në dorë të babait dhe më pas të burrit.

Fatkeqësisht, këto raste nuk i gjejmë vetëm në zona rurale, por edhe në qytete, kryesisht tek ato familje me mungesë arsimimi. Sipas organizatës që merret me hulumtimin e të drejtave të fëmijëve “Save the children”, fëmijët shqiptar vuajnë nga shumë probleme ku ndër të tjerat evidentohet edhe martesa në moshë të re ku 8% e totalit të fëmijëve janë martuar para moshës 18 vjeç. Po të mendojmë më tej mund të pretendojmë që kjo shifër mund të jetë më e lartë nëse marrim në konsideratë ato martesa pa celebrim.

Një tjetër çështje që duhet cekur është dhe figura e bazhkëshortit që përfshihet në këtë martesë. Ka raste ku ai mund të jetë emigrant dhe preferon një nuse nga vendi i tij. Madje jo pak herë mund të jetë shumë më i madh nga bashkëshortja e re. (Organizata Observatori). Edhe sikur ndryshimi i moshës të jetë i parëndësishëm, përsëri, djali dhe vajza në shoqëri patriarkale  janë rritur në mënyra të ndryshme, duke sjellë konflikte në martese. (Simone de Beauvoir) Mbështetur në këto praktika, ende do kemi median të mbushur me lajme të krimit në familje. Jo vetëm kaq, por pasojat e këtyre martesave janë të shumta duke filluar që nga ato psikologjike, sociale dhe ekonomike. Së pari, këto vajza nuk jetojnë fëmijërinë e tyre duke iu shkelur drejtpërdrejtë të drejtat bazë të njeriut. (Deklarata Universale e të Drejtave të Neriut 1948) Gjithashtu ata detyrohen të ndërpresin shkollimin, duke mos u arsimuar dhe duke kufizuar njohuritë e tyre. Rrjedhimisht ata do edukojnë një brez me të njëjtat probleme. Lidhur ngusht me arsimin shihet dhe papunësia, e cila do i kufizojë këta vajza në shtëpi duke e patur të pamundur të zhvillohen dhe të jenë të pavarura.

Realiteti i sotëm ende po na tregon vështirësitë drejt zhvillimit të shoqërisë. Pavarësisht se rastet e martesave të tilla mund të jenë të pakta në numër, nuk mund të mos mendojmë sa shumë raste të tjera të do ketë të pa identifikuara, të cilat ndodhin në zona më të thella.

Nëse i rikthehemi sërish legjislacionit ka ende vend për përmirësime përsa i përket legjitimimit aktiv të të miturës dhe përcaktimit të një moshe minimum nën të cilën nuk mund të lejohet për asnjë arsye martesa nën moshë. Këto vajza ashtu si çdo fëmijë tjetër dëshirojnë të jetojë fëmijërinë, të gabojnë, të rrëzohen e të ngrihen sërisht. Nga vogëlushe duhet të rriten dhe më pas të bëhen zonjusha ku mund të dashurojnë, të urrejnë ose asnjërën prej këtyre.

Ky fenomen gjendet sa larg dhe aq pranë nesh, ku ne si prind, kushurinj, komshinj, mësues, politikbërës duhet t’i japim më shumë rëndesi asaj që po ndodh me vajzat tona.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top