Në fokus

March 1, 2018 | 10:55

Nga Nardjana Dalanaj: Nevoja e psikologut në shërbimin onkologjik, kanceri përbën problemin madhor

Sot kanceri përbën një nga problemet më madhore mjekësore, shoqëruar me probleme të karakterit social, ekonomik dhe psikologjik.

Nardjana Dalanaj, psikologe klinike

Nardjana Dalanaj, psikologe klinike

Incidenca e kancerit në botë do të jetë më shumë se dyfishi, dhe vlerësohet se do të arrijë në 24 milion të diagnostikuar çdo vit deri në 2050. Të dhëna statistikore në nivel botëror, tregojnë se një përqindje e lartë e pacientëve me kancer paraqiten pranë strukturave shëndetësore në fazë të avancuar të sëmundjes.

Terapitë për të kontrolluar sëmundjen, shpesh nuk japin rezultat. Ato shoqërohen nga efekte anësore të shumta dhe janë të kushtueshme. Për këta pacientë ofrimi i shërbimit të kujdesit paliativ është i domosdoshëm, pasi rrit ndjeshëm cilësinë e jetës dhe ka një kosto të arsyeshme. Pacienti terminal, si pasojë e sëmundjes afatgjatë, vuan nga dhimbja totale, ku përfshihet: dhimbja fizike, problemet psikosociale dhe ekonomia, të cilat shpesh janë të pashmangshme.

Vdekjet nga kanceri sipas grupmoshave: Një përqindje të konsiderueshme (61%) e zë mosha e tretë. Shpeshtësia e kancerit rritet në mënyrë progresive, me kalimin e kohës kjo rritje është më e ndjeshme në moshën e tretë. Në përgjithësi, diagnostikimi i tumoreve malinje te kjo moshë bëhet në fazë të avancuar të sëmundjes. Kjo ndodh edhe për shkak se të moshuarit e pranojnë sëmundjen dhe gabimisht supozojnë si të vërtetë që ajo është pjesë e moshës dhe nuk mund të bëhet asgjë për ta ndaluar.

2

Gjithashtu, mosha e tretë përbën edhe kategorinë më të varfër të shoqërisë, duke e shndërruar sëmundjen terminale në një problem tejet kompleks dhe të nevojshëm për t’u trajtuar nga një sërë dimensionesh. Sipas statistikave, në vendin tonë vërehet një rritje e numrit të tumoreve malinje te moshat më të reja, të cilat zënë 35%vdekjeve. Ky është një tregues i konsiderueshëm në raport me vendet në zhvillim, të cilat kanë karakteristike incidencën në rritje të kësaj grupmoshe dhe vdekshmërinë.

Mbështetja psikosociale për pacientët terminalë dhe familjarët e tyre Ndonëse një pjesë e konsiderueshme e pacientëve dhe familjarëve në studim shfaqin nevojën për një asistencë psikosociale, një pjesë shumë e vogël e tyre kishin marrë një mbështetje të tillë, për një pjesë tjetër kjo formë ndihme apo mbështetje ishte ende e pakonceptueshme.

kancer

Ndërkohë që disa pacientë dhe familjarë pohuan se u ndjenë më mirë pasi patën mundësinë të tregonin dhe diskutonin gjatë intervistave ose fokus-grupeve lidhur për problemet e tyre. Një pjesë e madhe e mjekëve të familjes dhe mjekëve onkologë në studim, i konsideruan problemet psikologjike të pacientëve dhe familjarëve si një nga problemet kryesore, ndaj të cilave, atyre nuk u ofrohet asnjë formë mbështetjeje.

Një sërë mjekësh gjithashtu pohuan se, ata u ofronin vetë mbështetje psikologjike ose psikoterapi këtyre pacientëve dhe familjarëve, duke e perceptuar këtë si pjesë të detyrave të tyre, ndonëse mjekët nuk kanë marrë në trajtimin e tyre profesional asnjë njohuri apo aftësi lidhur me zhvillimin e këshillimit psikologjik dhe aq më pak psikoterapisë.

Përveç spitalit onkologjik, aktualisht mungojnë psikologët në qendrat e tjera shëndetësore, ku marrin kujdes këta pacientë. Gjithashtu, psikologët dhe punonjësit socialë mungojnë ose janë në numër të kufizuar edhe në qendra të tjera publike dhe jo publike të shërbimit onkologjik në banesë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top