Në fokus

February 7, 2018 | 9:37

Nga Nevzat Shemsedini: ATJE-përjetimet, KËTU–refleksioni, dy forcat e mendjes që orientojnë njeriun

(mendje e fjetur-mendje e zgjuar)

Qenia njerëzore është njëra ndër qeniet më të përsosura në planetin tokësor, andaj duhet që të përgatisim që të reflektoj si e tillë në çdo hap të jetës. Por, a ndodh gjithmonë që të jemi reflektues pozitiv në jetë?- Do të shtjellojmë në vazhdim.

PhD.Mr.sc.Nevzat Shemsedini, Psikolog klinik

PhD.Mr.sc.Nevzat Shemsedini, Psikolog klinik

Pasi e kemi titulluar këtë temë mbi rëndësinë e pavetëdijes dhe vetëdijes, si dhe mbi përjetimit-ATJE dhe refleksionin–KËTU, do të fokusohemi më tepër në këto dy forca, në ndikimin e ndërtimit apo devijimit të gjendjes sonë psiko-emocionale dhe fizike në çdo hap të jetës.

Këto dy forca të mendjes njerëzore në të shumtën e rasteve i quajmë si: mendje objektive dhe subjektive, si vetëdije dhe pavetëdije, si mendje e zgjuar dhe e fjetur, si mendje sipërfaqësore dhe mendje e thellë, mendje me dëshirë dhe mendje e detyruar, si principe mashkullore dhe femërore, si botë e jashtme dhe e brendshme, errësirë apo dritë, si atje dhe këtu etj, etj.

njeriu

Prandaj, këto dy forca në sistemin tonë mendor, do të na bëjnë të mundur funksionimin e vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm, dhe varësisht nga forca e përjetimeve, qofshin gjatë rrugëtimit apo në çast, do të jetë njëra prej tyre që të ndikoj drejtpërsëdrejti në ndryshimin e jetës sonë. Kur themi njëra prej tyre, atëherë nënkupton që tek ne paraprakisht është përgatitur njëra prej strukturave që të ketë ndikim në formimin tonë që reflekton pastaj në veprimtarin e jetës njerëzore, gjegjësisht drejt ngritjes apo uljes së motivit, dëshirave, vullnetit dhe sukseseve gjatë rrugëtimit tonë.

Rrugëtimi i jetës, por edhe i mendimeve tona në të shumtën e kohës është i pa vetëdijshëm se sa i vetëdijshëm, prandaj është shumë me rëndësi trajtimi dhe menaxhimi i këtyre dy forcave vepruese. Për të kuptuar më në detaje dhe për të qenë më i qartë mbi këtë temë, do të fokusohemi së pari në rolin e të pavetëdijshmes e cila merr informacione që nga paralindja dhe vazhdon në faza tjera edhe gjatë zhvillimit pas lindjes.

Këto përjetime të fokusuara në pavetëdijen tonë munden me qenë Pozitive apo Negative, varësisht nga përjetimet gjatë periudhave të zhvillimit, që nga shtatzënësia, që mund të jenë të shumta si; shtatzëni e padëshiruar, mospërkrahje nga bashkëshorti, konfliktet bashkëshortore, konfliktet familjare, gjendja ekonomiko-sociale, divorcet, traumat, shqetësimet e ndryshme psikike, shpirtërore dhe emocionale, etj, etj që është e pa mundur të mos barten drejtpërsëdrejti edhe tek fetusi.

trishtimi-1

Andaj, nëse këto përjetime vazhdojnë edhe pas lindjes gjatë periudhave të rritjes, atëherë do të forcojmë –Tanatosin (shkatërrimin) që nënkupton kuptimin e pavlefshmërisë së jetës, dhe i gjithë ky përjetim do të fokusohet në të pavetëdijshëm e tyre, gjegjësisht do të mbesin si kujtime apo përjetime –ATJE, dhe që mund të reflektojnë në çdo periudhë të jetës- KËTU. Kjo KËTU, na jep mjaft informacione për përjetimet e çdo subjekti që ka akumuluar në të kaluarën e tij si në; shprehjen e sjelljeve, komunikimet ndërpersonale, shprehjet e emocioneve, shprehjen emotive, agresivitetin, ankthiozitetin, interesimet , gjykimet , dëshirat etj, etj, por edhe ndryshimet psiko-emocionale në jetën sociale.

Është normale që procesi i fazave të zhvillimit ka sfida, dinamikë, vështirësi të cilat ne i përjetojmë, i ndjejmë dhe në të shumtën e rasteve nuk i reflektojmë i mbajmë dhe të gjitha këto përjetime nuk kanë tjetër ku të mbesin përveç se -ATJE , në nënvetëdijen tonë.

Andaj është shumë me rëndësi që këtë-ATJE, ta mbushim me përjetime që kanë vlera pozitive si: besim, siguri, qetësi, durim, stabilitet shpirtëror, gjykim të drejtë, humanizimin, lumturi, tolerancë, bamirësi, përgjegjësi, kreativitet, dhe mbi të gjitha dashuri për jetën. E jo me përjetime negative si: trishtim, stres , frikë, zemërim, frustrim, urrejtje, xhelozi, shqetësime, hakmarrje, mëri (inat) etj.

Subjektet që kanë kaluar një rrugë me mbushje përjetimesh -NEGATIVE, kanë më shumë gjasa që në të ardhëm të shfaqin disa prej problemeve në jetën e tyre si: vështirësi socializimi, të jenë më të dhunshëm, konfliktuoz, vështirësi në mësimnxënie, mosbesueshmëri, papërshtatshmëri ndërpersonale dhe kolektive, largim nga institucionet shkollore, mos koordinim në bashkëshortësi, autoritarë në udhëheqje- qoftë familjare apo institucionale, persekutues, kleptomanë, arbitrarë, përdorues të dukurive negative (drogës, alkoolit, duhanit), etj-etj,. Por, nuk mund t’i largojmë edhe gjasat e ndonjë prej çrregullimeve mendore dhe motive tjera vetëshkatërruese.

rinia-shqiptareKurse ana tjetër e përjetimeve–POZITIVE si:  (besimi, siguria, qetësia, durimi, stabilitet shpirtëror, gjykimi i drejtë, humaniteti, lumturia, toleranca, bamirësi, përgjegjësi, kreativitet, dhe mbi të gjitha dashuri për jetën) që i cekem edhe më lartë, ndikojnë mjaft suksesshëm në koordinimin e një jete produktive dhe progresive në çdo sferë të jetës si në: formimin e një familje të shëndoshë dhe të lumtur, dashuri njerëzore, shëndet psiko-emocional dhe fizik të ekuilibruar, do të jenë më human, do të jenë më tolerant ,do të kenë mendje më të ndritur, do të jenë më kreativ, do të formojnë arsimim të shëndosh, do të krijojnë shoqëri të shëndosh dhe mbi të gjitha shtet të shëndoshë.

Atëherë, për të pasur refleksion pozitiv-KËTU, është shumë me rëndësi t’ju përmbaheni këtyre këshillave:

-në vend që të jepni urrejtje – jepni dashuri,

-në vend që të shprehni xhelozi – shprehni adhurim ,

-në vend që të shprehni zemërimin–shpreh tolerancën,

-në vend që të shfaqësh agresivitetin –përdor durimin,

-në vend që të shprehësh inat (mëri)– përdor lumturinë,

-në vend të frustrimit –përdor qetësinë,

-në vend të hakmarrjes –përdor faljen.

Atëherë: Nëse veproni kështu, mirëqenia e juaj psiko-emocionale do të jetë e ekuilibruar dhe do të korrni gjithmonë suksese në jetë.

Andaj, prind të dashur, për të pasur fëmijë të lumtur dhe të suksesshëm-KËTU, mbusheni rrugëtimin e tyre, -ATJE me dashuri, lumturi, besim dhe kuptim për jetën.

Prandaj është shumë me rëndësi përgatitja-ATJE, që të kemi refleksion pozitiv-KËTU.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top