Mësimi i gjuhës angleze në ditët e sotme është bërë domosdoshmëri . Tregu i punës kërkon njerëz të kualifikuar, të aftë të zotërojnë gjuhë të huaja. Bota akademike gjithashtu kërkon zotërimin e gjuhëve të huaja sidomos atë të gjuhës angleze në mënyrë që të jetë sa më i thjeshtë aksesi ndaj botimeve në gjuhë të huaja, shkëmbimi i ideve dhe eksperiencave si dhe kërkimi shkencor në gjuhë të huaj. Të mësuarit e gjuhës angleze kërkon kohë, vullnet, por edhe prirje. Gjuha kanalizon mendimet e një individi. Dhe nga pikëpamja psikologjike ‘të jep një palë syze të tjera për të parë botën’.
Dikur të mësuarit e gjuhës së huaj lidhej me muzikën. N.q.s ti mund të kesh një vesh të mirë muzikor, të mbash ritmin mund të mësosh lehtësisht një gjuhë të huaj. Të mësuarit e një gjuhe të huaj ndikon shumë edhe në personalitetin e njeriut, ndikon në mënyrën se si ai mendon, në qëndrimin që ai mban ndaj diçkaje dhe si ai i koncepton gjërat, sepse të mësosh një gjuhë të huaj do të thotë të mësosh një kulturë. Nuk mund të konceptohet gjuha angleze pa ditur ekuivalentët e saj kulturorë sepse do të ishte i vështirë perceptimi i saj. Të mësuarit e një gjuhe të huaj ndikon në mënyrën se si ne e shohim botën. Dëshira e qenieve njerëzore ka qenë gjithmonë të komunikojnë me anë të një gjuhe të ndërmjetme që në termin gjuhësor quhet Lingua Franca. Me anën e një gjuhe të huaj një individ mund të njohë, të dallojë, të kujtojë, të komunikojë, të mësojë gjëra të ndryshme etj. Individi që mëson një gjuhë të huaj tjetër, nga pikëpamja psikologjike mund të kryejë më shumë detyra njëkohësisht (multi-tasker). Le të marrim në konsideratë fazat e para që një individ mëson gjuhën angleze.
Sipas disa eksperimenteve psikologjike të zhvilluara, të mësuarit e një gjuhe të huaj merret me shumë dëshirë. Në fazat e para studenti mezi pret të mësojë një gjuhë të huaj, më pas ky pasion fillon të bjerë derisa studenti arrin në një fazë konstante dhe më pas ai/ajo ose e vazhdon studimin e gjuhës së huaj thjesht i/e detyruar ose e lë studimin e gjuhës së huaj. Çfarë duhet të bëjnë këta individë që të jenë të motivuar ose më saktë çfarë duhet të bëjnë mësuesit, pedagogët që ti mbajnë ata të motivuar nga pikëpamja psikologjike?
Në vitin 1948, në Universitetin Yale në Shtetet e Bashkuara është zhvilluar një eksperiment psikologjik me dy kavje eksperimentale. Njëra prej tyre ishte e uritur ndërsa tjetra nuk ishte. Kavja që ishte e uritur lëvizte dhe ishte me aktive se sa ajo që nuk ishte e uritur. Gjatë këtij procesi u pa sesi motivimi me ushqim ndikonte te minjtë dhe i bënte ato më aktivë. Duke i motivuar dhe shpërblyer studentët kur ata e meritojnë mbahet zgjuar interesi i tyre për të studiuar
Librat gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm tek ata që mësojnë një gjuhë të huaj, gjuhën angleze në këtë rast. Ato duhet të kenë sa më shumë ilustrime që të tërheqin vëmendjen e lexuesit në fazat e para dhe ngarkesa të vijë gradualisht në rritje (pavarësisht nga grupmoshat që e studiojnë gjuhën angleze) për rrjedhojë dëshira për të studiuar gjuhën angleze të rritet dhe të jetë më e lehtë për ta përthithur atë.
Në mënyrë që një gjuhë e huaj mos të bëhet e mërzitshme dhe lodhshme për atë që e studion, duhet pasuruar mësimi me aspekte të kulturës së shtetit që i përket gjuha. Kur mëson një gjuhë të huaj, individi përfshihet në kulturën e komunitetit që e flet këtë gjuhë. Në rastin e gjuhës angleze , shembujt nga kultura e Mbretërisë së Bashkuar dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë të panumërt. Në një orë të gjuhës angleze, n.q.s një mësues, pedagog është duke shpjeguar për ‘Lojërat sportive popullore të Skocisë’ atëherë do të ishte mirë që të fliste për kostumet tradicionale të tyre, të shoqëronte mësimin me muzikë tipike skoceze dhe në të njëjtën kohë të shfrytëzonte imazhe të ndryshme të kulturës skoceze.
Është shumë i rëndësishëm zhvillimi i lojërave psikologjike brenda një ore mësimore të gjuhës angleze. Studentët mund të viheshin përballë zbulimit dhe njohjes së njëri-tjetrit më shumë, me anë të pyetjeve ose aktiviteteve mund të shkëmbenin opinione në gjuhën angleze por edhe të zgjidhin probleme të ndryshme. Ditari i studentit është një metodë që praktikohet nga shumë shkolla amerikane. Nëpërmjet këtij ditari studentët shprehin çfarë mësojnë gjatë asaj dite si nga pikëpamja akademike ashtu edhe nga ajo jetësore. Ata shprehin emocionet e tyre me të thella atë çfarë ata perceptojnë dhe duan të përmirësojnë, japin rekomandime dhe shprehin ndjesi dhe për ta ky është një çlirim nga pikëpamja psikologjike. Në ditët e sotme, mësimdhënia ka studentin në qendër të procesit mësimor dhe ata mund të kontribuojnë me mendimet e tyre. Klasat e mësimit të gjuhës angleze përfshijnë studentë të etnive dhe botëkuptimeve të ndryshme. Në të tilla klasa përzgjedhja e termave që përdoren është e domosdoshme sepse një term paragjykues ndikon tek studenti që është pjesë e këtij grupi. Mësuesit dhe pedagogët që japin mësim në këto klasa janë neutralë në atë njohuri që përcjellin.
Në ditët e sotme, mësimi i gjuhës angleze zhvillohet me metoda bashkëkohore. Teknologjia ka avancuar aq shumë sa që edhe me anë të një Smartphone mund të shkarkohet aplikacioni për të mësuar gjuhën angleze. Mësimi i gjuhës angleze tashmë zhvillohet me anë të webinar-ëve dhe E-twinning, terma që së fundmi kanë hyrë në fjalorin profesional të gjuhës angleze. Të gjitha këto janë krijuar për ta bërë mësimin e gjuhës së huaj sa më efektiv ,më të shpejt dhe për të shmangur lodhjen psikologjike të individit që e mëson. Gjuha e huaj dhe psikologjia gjithmonë ecin paralelisht dhe gradualisht përmirësojnë njëra-tjetrën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.