Mirëqenie

November 3, 2020 | 8:05

Nga Oriola Plaku / Ambicia e të rinjve… mungesë dëshire për të marrë përgjegjësi

Nga qëndrime të ndryshme vihet re një sjellje e adoleshentëve ku ka më pak ambicie, sepse nuk duan të marrin përgjegjësi. Pse ndodh në shekullin e 21-të kjo? Prindërit nuk kuptojnë se përse adoleshentët sillen në mënyrë impulsive, irracionale ose të rrezikshme. Duket sikur adoleshenti nuk mendon për pasojat që sjellin veprimet e tyre. Sigurisht që ka një diferencë të madhe ndërmjet një të rrituri dhe adoleshenti, këtu i referohem mënyrave se si ata zgjidhin problemet, si sillen me të tjerët dhe marrin një vendim. Bazuar në aspektin biologjik është identifikuar se amigdala është përgjegjëse për frikën dhe sjelljen agresive. Kjo zonë zhvillohet herët. Megjithatë korteksti frontal, një zonë e trurit, është përgjegjëse për arsyetimin dhe na ndihmon ne që të mendojmë përpara se të veprojmë.

Oriola Plaku, psikologe këshillimi / terapiste ABA

Oriola Plaku, psikologe këshillimi / terapiste ABA

Të rinjtë sot janë të ekspozuar ndaj fenomeneve të ndryshme sociale, ku rezulton mungesa e dëshirës dhe iniciativës për të marrë përgjegjësi mbi vete. Teknologjia dhe informacioni ka ndikuar dukshëm, duke zbehur interesin e tyre për t’u zhvilluar akoma më shumë. Një komponent tjetër i cili ndikon, është edhe familja, e cila ka influencën më të madhe në zhvillimin e potencialit individual të adoleshentit. Unë mendoj se ka mungesë dëshire se sa kapacitetesh, ku nënkupton se motivimi i tyre ka rënë si shkak i interesit tëm shpeshtuar të lundrimit nëpër rrjete sociale, apo rrethi social ka ndikim të dukshëm në të.

Një adoleshent është i prirur që të rrëmbehet nga emocionet dhe ka disa situata të ndryshme që mund të përfshihet edhe në sjellje të cilat mund të mos jenë adekuate për moshën e tyre biologjike.

Faktorët që ndikojnë negativisht

Mungesa e stimujve faktorialë, duke qenë se mjedisi nuk është stimulues apo zhvillues, paraqet modele të ndryshme, të cilat evidentohen qartazi me një mungesë të theksuar të modeleve pozitive. Teknologjia mbetet problemi kryesor, pasi ofron modele të papërshtatshme, ku tendencat e adoleshentëve për t’i imituar, sa vijnë e rriten. Një faktor që nuk mund të jetë përgjithësues është ndoshta mungesa e kohës, si rrjedhojë e angazhimeve profesionale të prindërve, të cilët i bën të mos zhvillojnë limite apo kufizime të sjelljes. Mungesa e vëmendjes prindërore ndikon dukshëm në psikologjinë e adoleshentit, pasi i bën më pak të përgjegjshëm për detyrimet, angazhimet e tyre.

Familja është bërthama kryesore dhe baza në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës në çdo dimension. Stili i prindërimit luan një rol tepër të rëndësishëm në zhvillimin në tërësi dhe në spektrin e potencialit të fëmijës. Shkolla ka ndikimin e vet në aspektin shoqëror, por rolin kryesor në aspektin edukativ e ka familja. Prindërit janë modelkryesor për fëmijët dhe ata manifestojnë atë çfarë shohin. Por sigurisht që shkolla përfshirë dhe mësuesit, kanë ndikim pozitiv kur sjellja pozitive shpërblehet, pasi gjasat janë më të larta për t’u ripërforcuar.

Ndryshimi kulturor

Niveli social dhe kulturor ndikon dukshëm në psikologjinë e të riut, por ndërhyrja prindërore mbetet rëndësi. Prindërit duhet të reflektojnë vazhdimisht dhe të ofrojnë mbështetje psikologjike dhe emocionale. Rinia është e ardhme! Prindërit duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Duhet treguar se kanë besim të plotë, me qëllim që të nxiten dhe të orientohen drejt përmbushjeve të objektivave. Kur prindërit u japin përgjegjësi fëmijëve, kjo u bën të ndihen mirë emocionalisht dhe të jenë më të përgjegjshëm për veprimet që ndërmarrin në të ardhmen.

Prindërit duhet të flasin hapur për ëndrrat dhe dëshirat që ka fëmija. Të jetë dëgjues aktiv dhe mbështetës i fëmijës me qëllimin që, në një të ardhme të shohë sukseset e fëmijës. Mbetet me rëndësi të bisedohet për avantazhet dhe disavantazhet që ka lundrimi në internet. Ndryshimi nis nga prindi dhe modeli janë pikërisht ata. Prindërimi është sfidë, por nëse prindi investon në kohë, do të shohë se si do të përmbushet emocionalisht nga suksesi i fëmijëve.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 151

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top