Editorial

March 15, 2019 | 8:10

Nga Orjona TRESA / Fëmijët janë vazhdimësia!

Nëse ka një rregullator a çelës magjik, quajeni si të doni, i cili më bën çdo herë të zbres me këmbë në tokë dhe të përqendrohem aty nga ku gjej ekuilibrat e mi, janë pikërisht fëmijët. Dhe pa asnjë dyshim ata janë kuptimi i jetës, edhe atëherë kur përplasjet e çasteve të padëshiruara, vijnë e të rrëmbejnë kohën.

orjonaKoncepti i të shijuarit të fëmijës në të gjitha dimensionet e me të gjitha ngjyrat, ka ndryshuar edhe mes shqiptarëve. Sot gjithnjë e më shpesh shohim baballarë të përkushtuar, ashtu si nënat dikur të cilat i bënin të gjitha gjërat vetë. Tanimë nuk konsiderohet më problem nëse sheh një baba të ri t’i ndërrojë pelenat bebit, t’i përgatisë qumështin formulë e ta ushqejë, të kujdeset për çlirimin e gogësimës nga goja, duke e goditur nga pas, ta shëtisë e ta përkëdhelë me këngë të moshës, ta mbajë mbi qafë, sepse në fund të fundit kjo dashuri është lumturi që i përket vetëm prindërit. E për të thënë të vërtetën, vite më parë, një gjë e tillë ishte gati-gati një sakrilegj.

Sot, modeli shoqëror të çon drejt idesë standarde se për fëmijën tënd duhet një investim sa serioz aq dhe i sigurt, pa inferioritetin se po bën diçka që mund të gjykohesh apo turpërohesh në sy të të tjerëve. Ndërsa kjo afërsi bashkë me trendin pozitiv është shndërruar në një model fisnik. Një gjë e tillë i ndihmon shumë të gjitha palët, veçanërisht fëmijët, të cilët kanë nevojë të rriten me dashurinë dhe vlerat e shëndetshme. Gjithaq, t’i shërbejë shoqërisë së të nesërmes, duke iu nevojitur rrjedhimisht vetë kohës. Dhe siç mund ta dini, kjo afërsi dhe dashuri e shprehur ndaj fëmijës ju bën shumë mirë edhe vetë prindërve. Kur gjithçka shkon mbarë me ta, edhe dita merr rrjedhën e vet, ka më shumë motivim e pozitivitet edhe në marrëdhënie me të tjerët. Ka optimizëm e vullnet për t’i çuar gjërat përpara, ndërsa kur ata nuk janë në formën e mirë tyren, ndodh e kundërta e një dite të mirë.

Ndaj, sa i keni të vegjël, bëni gjënë më të bukur që mund t’ju rikthejë shpesh në çaste të paharrueshme dhe emocione kur të bëheni të moshuar e t’ua tregoni nipërve dhe mbesave. Flini me fëmijët tuaj dhe përqafojini sa të mundeni nën mbulesa. Mos kini frikë nga veset. Fëmijët janë të vegjël vetëm një herë në jetë, më pas, atëherë kur rriten, ata do të kërkojnë rrugën dhe hapësirat e tyre. Flini pranë e pranë që zemrat të ndjejnë të rrahurat dhe frymëmarrjet e përbashkëta, sepse nuk ka gjë më të bukur në botë!

Përkëdhelini, ofrojini dashuri, përkushtim, kohën më të madhe tuajën në përditshmëri, për t’i mësuar më virtyte që nesër do t’i bëjnë ata më të çlirët, më me vetëbesim, më të sigurt për gjërat që duan të arrijnë në jetë. Një fëmijë i rritur mirë, me dashurinë dhe afërsinë e prindërve, më vëmendjen dhe këshillimin e tyre, janë ata që nuk do të vuajnë shpirtërisht humbjet apo zhgënjimet në jetë, por do të mësojnë që t’ia dalin.

Prindër, bëhuni udhërrëfyesit e fëmijës tuaj, duke e ndarë kohën me ta! Vetëm kështu do të ndërtoni një shoqëri më të mirë të brezit që do të vijë. Kultivojuni dhe nxitjani dëshirën për të ditur, mësuar dhe prekur nga afër gjërat që përbëjnë interesin, thelbin e jetës. Ata nesër do të jenë të aftë për të menaxhuar veten dhe shoqërinë e kohës.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 135

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com