Editorial

June 27, 2022 | 7:45

Nga Orjona TRESA / Fytyra e nënës është pasqyra e jetës

Mëmësia nuk është vetëm një mision në jetë, është më shumë se kaq. Nuk mund të jetë depozituesja e farës së vazhdimësisë, por është baza e jetës. Nuk mund të jetë skllavja e interesave thjesht biologjike. Është themeli i vetë jetës.

Nga Orjona TRESA, gazetare

orjona

Nuk kam asgjë me askënd që në gjykimin e tij kërkon të bëjë me veten jetën që do të bëjë. Por nuk mund ta pranoj kurrsesi që, ajo që bie në kundërshti me parime mbi ekzistencializmin, të infektojë brezin e paformuar ende. Një debat i pakëndshëm, i deformuar hera-herazi në pasqyrimet e tryezave mediatike, ngriti një lëmsh të ri. Mesa duket, për të tërhequr vëmendjen për kushedi se çfarë tjetër. Lepuri gjithmonë tjetërkund fle, sepse kështu e ka zanat.Figura e nënës u denigrua sërish. U përdhos. Ideja, të rishikohet thirrja e saj. Nga mami, në prindi 1, dhe kuptohet kush vjen pas, 2-shi. Edhe këtu diskriminim.

Një lojë dashakeqe, e menduar thellë, dhe paturpësisht e zëshme nga e njëjta gjini. Pa u marrë me fenë apo universin, çfarë kuptimi do të kish për secilën gjini, të ardhur në jetë ashtu siç ka ardhur, të bëjë të kundërtën e asaj që i është dhënë? A nuk është ky një orientim i dukshëm për çfarë jemi zgjedhur të vijmë në jetë? Pavarësisht pafundësisë së kombinimit gjenetik të strukturuar brenda nesh, me luhatje dhe diferenca të pashpjegueshme, unë mendoj se është një çmenduri që vjen nga varfëria ndjesore, mungesë përmbushjeje emocionale, përndjekje për shkak të gjykimit shoqëror dhe pamundësisë për të qenë si normalët. Por ka dhe diçka tjetër që shkon përtej këtyre qëllimeve infantile. Një punë mesa duket e pamjaftueshme bërë nga nënat që kanë edukuar këta “fëmijë”, që merren me thirrje të tilla. Nëna që nuk kanë ditur të falin dashurinë e vërtetë dhe të jenë të pranishme me modelin e tyre, për t’i dhënë plotësinë e merituar fëmijës. Sepse, kjo është nëna.

Prindërimi, sepse si mami edhe babi janë të pandashëm në këtë rrugëtim, është i vështirë. Nuk ka prindërim të lehtë, kurrë. Është një detyrë fizike dhe shpirtërore që do shumë, po shumë punë për të ndërtuar siç duhet frytin e dashurisë. Ndaj sot ka shumë probleme me brezin e ri në aspektin emocional-sjellor-njohës, ku ndihet mungesa thelbësore etiko-edukative-zhvillimore që merret si bazë nga familja. Atashimi me nënën (mamin) është A-ja. Evolucioni emocional dhe njohës i fëmijës sipas psikoanalistit Donald Winnicott, varet shumë nga cilësia e kësaj marrëdhënie parësore, e cila është sa mbrojtëse, mikpritëse, konstante, siguruese dhe figurë reference.

Të gjithë këta elementë do të përcaktojnë zhvillimin e shëndetshëm të vetë foshnjes. E njëjta tezë mbështetet edhe nga psikanalisti Heinz Kohut, i cili pohon se “momenti në të cilin nëna e sheh fëmijën për herë të parë dhe bie në kontakt me të, fillon potenciali i një procesi përmes të cilit stabilizohet uni i një personi” dhe rrjedhimisht subjekti vendos një marrëdhënie me pjesën tjetër të botës. Fytyra e nënës është pararendësja e pasqyrës për fëmijën, falë saj i vogli pasqyrohet për herë të parë duke njohur veten si identitet. Vetëm përmes fytyrës së nënës fëmija bën takimin fillestar me veten dhe përjeton vetveten e tij. Fytyra e nënës, një element themelor, mban brenda vetes fytyrën e botës, prandaj fëmija, duke reflektuar veten në të, do të kapë gjithashtu thelbin e botës për herë të parë. Trashëgimia që një nënë mund t’i ofrojë fëmijës së saj është sigurisht dashuria për jetën, dëshira për të jetuar, e drejta për të ekzistuar dhe për të qenë në botë.

Mami nuk mund të thirret Prindi 1. As babi nuk mund të thirrjet Prindi 2. Është përcaktuar në ekzistencializmin tonë. Në belbëzimet e para. Është qartësuar nga ma… dhe ba… Nëse keni vendosur ta zhbëni atë, keni zhbërë të shkuarën, të tashmen, të ardhmen. Ne vërtet na duhet një shoqëri më e lirë, më e hapur, por jo pa norma, të cilat janë pranuar prej mijëra vitesh ekzistencë.

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA  |  Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 169

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top