Editorial

July 6, 2021 | 8:05

Nga Orjona Tresa / Harresa, bekim që na ndihmon të jetojmë më mirë!

Nga libri “Tuneli”, i shkrimtarit të rëndësishëm të letërsisë izraelite, Abraham Yehoshua del një mesazh i fortë. “Harresa ju ndihmon të jetoni më mirë”, thotë ai. Këtë e ndeshi gjatë shkrimit të romanit, ku iu desh të përballej me një dhimbje të thellë, shkaktuar nga humbja e bashkëshortes së tij, e cila për 57 vjet e mbështeti shkrimtarin psikologjikisht.

orjona“Ajo u sëmur dhe vdiq dy muaj më pas. Për këtë arsye e shkrova ‘Tunelin’ shumë ngadalë”. Ka shumë humor në libër, por ka edhe shumë vdekje që ka ndikuar në shkrimin e tij. Janë ditë të jetuara, kujtesë e shumtë, të cilën ai e quan një rrezik nëse do të mbetemi peng i saj. Ndaj sipas tij, në raste caktuara është më mirë të harrojmë, që të jetojmë më mirë. Sipas autorit, “kujtesa e madhe” bëhet e rrezikshme, sepse bota shkon shumë shpejt dhe ne kemi nevojë të përqendrohemi në sfidat e reja të së ardhmes sesa të projektojmë vazhdimisht veten në të kaluarën.

Një këndvështrim ndryshe është ai që në mitologjinë greke dhe romake njihet si Lete, dhe është lumi i harresës: Shpirtrat pinë ujin e tij për të harruar jetën e kaluar dhe për t’u përgatitur për gjëra të reja. Këtë e pohon poeti Virgjil tek ‘Eneida’, kur flet për të Bekuarit që pinë nga ai burim për t’u përballur me rimishërimin e lirë në një trup të ri. Njeriu antik e dinte një gjë që ne “modernët” shpesh e injorojmë: nuk është e mundur të përballesh me të ardhmen, pa u çliruar së pari nga mëkatet, ose nga barra e së kaluarës.

Të mos harrosh shpesh do të thotë të mbetesh i ankoruar në jetën e djeshme, të ngatërruar në një marrëdhënie ose në një situatë pengesash, dhe për këtë arsye, të mbetesh i burgosur në një rrjet ndjenjash dhe emocionesh që na pengojnë të hapemi drejt sfidave të rejave dhe në atë që bukuria e jetës do të kishte rezervuar për ne. Siç kujton Virgjili, nëse nuk harroni, nuk mund të filloni të jetoni përsëri…

Të vazhdosh të ndjesh zemërim, keqardhje të përjetshme, dhimbje, dëshirë për hakmarrje, nuk është mirë për shpirtin, i cili detyrohet të shohë gjithmonë në një drejtim tanimë steril. E kaluara, e mirë apo e keqe, ka sjellë fryte, por ka të tjera për të mbledhur. Por si të harroni? Para së gjithash, kujtimet e dashura apo jo, çastet e mira apo të këqija, thjesht janë “e kaluara”. Ju duhet t’i thoni atyre “Faleminderit, nuk kam më nevojë për ju, tani mund të largohem, duhet të bëj gjëra të tjera, mirupafshim!”.

Është pikërisht koha për të ndryshuar rrjedhën e jetës, duke u marrë qoftë me gjëra farë të vogla që kërkojnë vëmendjen tuaj dhe njëherësh ua largojnë nga kujtimet e brishta. Provoni të ndryshoni rutinën, të shëtisni gjatë, të vizitoni të afërm, miq, të shkruani, të lexoni, të shihni një program televiziv, të provoni një pjatë të re, gjëra me fuqi të madhe harrese.

Harresa është tipari themelor i njeriut. Të harruarit na ndihmon për të kapërcyer periudhën kur jemi të trishtuar dhe kur mbajmë zi. A mund ta imagjinoni të jetoni çdo dhimbje me të njëjtën fuqi si ditën e parë? Do të ishte e pamundur për të jetuar. Nietzsche me të drejtë thotë “pa harruar është krejt e pamundur për të jetuar”. Atëherë, harresa mund të jetë një bekim.

Mos e mbyllni veten në mendime të trishtuara dhe negative, kjo do t’ju ndalonte të ecni përpara me planet tuaja dhe do të rrezikonit për rrjedhojë shëndetin tuaj. Mundohuni të përshtatni një qëndrim pozitiv dhe të bindni veten se gjithçka kalon. Emocionet dhe dhimbjet negative janë gjithmonë të pranishme në jetë. Në disa çaste ato mund të na mposhtin dhe të na bllokojnë, por duhet të harrojmë dhimbjen për të filluar. Disa situata emocionale, të tilla si humbja e një të dashuri, një sëmundje, një krizë financiare, i shkaktojnë dhimbje personit që i përjeton ato. Si çdo emocion tjetër, dhimbja duhet të pranohet dhe trajtohet, përndryshe rrezikon të shkaktojë paqëndrueshmëri emocionale ose depresion.

Për të kapërcyer dhimbjen, ekzistojnë burime të tilla si inteligjenca emocionale, e cila është një grup aftësish emocionale që ndihmojnë në kontrollin e funksioneve themelore fiziologjike, siç janë perceptimi dhe vëmendja ndaj gjendjeve fizike ose ekspresive.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 159

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top