Editorial

June 2, 2022 | 7:45

Nga Orjona TRESA / Kohë për reflektim!

Është një kohë e mirë për të reflektuar. Për t’i hapur sytë vetes. Për t’u zgjuar! Jo nga zgjimi letargjik, se këto kohë na është marrë shpirti nga virusi, e trurit i është shtuar mbingarkesa, por nga ndrydhja e vetes. Që për t’i shpëtuar Covidit, kemi lejuar qenien si individë, të mbingarkohet edhe nga gjëra që nuk na përkasin. Se për t’i hapur udhë durimit, i kemi hapur udhë të keqes.

Orjona Tresa, gazetare

Orjona Tresa, gazetare

Papunësia gjatë vitit pandemik ka sjellë një çoroditje fatale. Ekonomia është bërë pengesë kryesore. Njerëz që nuk ia dalin të sfidojnë pamundësinë për të jetuar, për të siguruar vazhdimësinë. Disa që nuk e përballuan, i dhanë fund jetës. Janë jo pak raste që këtë peng e morën dhe me vete. Të tjerët janë me shpresën kapërcimit të kësaj peshe, e cila sa vjen dhe rëndohet.

“Deri kur më?” dëgjojmë shpesh të thuhet. Por ka dhe nga ata që po përjetojnë metamorfozën e ekzistencës. Asaj psikike. E kjo duket haptazi në sjelljet e tyre. Një paralelizëm kafkian që na sjell ngjyra të qarta të transformimit të njerëzve. Në fakt janë dy ngjyra: bardhë e zi. Një ushqim, lëndë kimike, që e thithin nga veprimet e fshehura e meskine të shpirtit të tyre të vrarë, të frustuar. E bërtasin shtypjen për ta vrarë njëkohësisht. Këta njerëz që i ulërasin fshehtazi vetes së tyre, duhet patjetër të gjejnë lëmoshën e dhimbjes, një kundërhelm që do t’u shpëtojë qenien. Nuk janë vetëm shoqëria, mjekët apo familjarët që mund të të ndihmojnë ta bësh këtë. Është vetja e para.

Nis nga autoreflektimi, distanca, riorganizimi i gjërave. Është autokontrolli, klasifikimi dhe pastrimi i detyrave që të janë dhënë. Vlerëso aq sa mban, aq sa di të bësh, në familje, marrëdhënie, punë! Mos u bë grykëse e pamjaftueshmërisë. Lërja mantrës të vlerësojë shpërblimin. Mos dëmto, ngarko, përçudno, ndiko, fyej… ata që nuk janë pjesë e jotja, por që fatkeqësisht nuk kanë mundur për shumë kohë të ta mësojnë mirësinë! Kopjoji ata! Merr kthesën! Provoje lëkurën e tyre. Inati dhe zemërimi sjellin rebelim tek ty, keqdashje, brenga, vuajtje, urrejtje… Ta shëmtojnë njeriun që je, edhe si portret. Të bëjnë lehtë të dallueshëm. Zgjidh të bukurën! Universi ta jep çdoherë mundësinë. Rastet janë para teje. Të dukshme.

Vetëm nëse nuk do t’ia dalësh dot, atëherë kërko ndihmë, sepse realisht ke nevojë për ndihmë! Sepse jo të gjithë janë si ty, e kjo do të të ndihmojë të ndryshosh. Barazia nuk mund të jetë e njëjtë për të gjithë, e për sa kohë nuk arrin ta gjesh, ta kuptosh, ke humbur kohë nga jeta jote! Merru me të, përditësoje, mos ço më asnjë çast dëm! Të tjerët janë të tjerët, kanë veten e tyre, Ti kujdesu për tënden! Vitet ikin shpejt. Na duhet mantra, jo karma!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 166

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top