Editorial

December 18, 2019 | 8:06

Nga Orjona TRESA / Kur merr një leksion se si të mbrosh martesën

E mbështetur shkencërisht, apo jo e thënë si e tillë, duket se për nga ndërtimi instinktual, njeriu vazhdon të jetë poligam, po aq sa ka qenë dhe mijëra vjet më parë. Vetëm se më i përmbajtur se kaq. Tradhtia apo mungesa e besnikërisë, fizike apo jo e tillë, është një tipar shoqëror i cili na shoqëron në jetë. Asnjë nuk mund të jetë imun prej tij.

Orjona Tresa, Gazetare

Orjona Tresa, Gazetare

Ndoshta tek disa bëhet më i zëshëm e tek disa të tjerë bën rezistencë të fortë për shkak të rrethanave të tjera, por kurrsesi të kalojë pa u vënë re a pa vuajtur peshën që mbart.

Por a është tradhtia pasojë e një martese në dukje “të lumtur”? A është flirti tregues i një bashkëjetese në vështirësi dhe të zvarritur? Kushdo në plan të parë mund të bëjë një rezyme të beftë me veten, të provojë ndjesi aspak racionale pikërisht për kohën kur nga një pakënaqësi bashkëshortore, një zënkë apo grindje më e fortë, të kalojë në urrejtje ndaj partnerit, ta përbuzë dhe fyejë në çast, madje në raste ekstreme të vendosë qëllimisht të reshtë së foluri për njëfarë kohe. Dhe a nuk keni menduar në ato çaste dobësie (të dyja palët), të rendni mendërisht për të gjetur shpëtimin tek diçka tjetër, flirti, për çastet kur ndjeheni i vetmuar plotësisht?

Tradhtia bashkëshortore ka ekzistuar që kur është sanksionuar martesa. Po aq shpejt ka lindur dhe mendimi për të thyer tabunë. Vetë tradhtia është përfshirë në legjislacion, është debatuar, polemizuar dhe demonizuar gjatë gjithë historisë. Dhe, pavarësisht nga dënimi publik, mosbesnikëria ka një lloj këmbënguljeje, që martesa veçse zili mund ta ketë. Është kaq domethënëse sa është i vetmi mëkat të cilit i përkojnë dy urdhëresa në Bibël, njëra kur e bën dhe tjetra vetëm kur mendon ta bësh.

Esther Perel, psikologe, psikoterapeute dhe autore e librave të shumëshitur, njëherësh bashkëshorte prej 30 vitesh me Xhek, ka një mesazh që ia kushton marrëdhënies së gjatë me bashkëshortin dhe linjës se prej nga rrjedh një martesë e lumtur, jetëgjatë, dhe se si duhet ta mbrojmë atë. Mes frazash prekëse dhe ngushëlluese në librin e saj të mbërritur edhe në shqip nga Botimet Pegi, me titullin: “As të parët as të fundit – tradhtia në kohët e transparencës”, Perel ngulmon në rëndësinë e bashkëpunimit, ndërgjegjësimit të veprimeve dhe të fjalëve, si çelësat e një martese të lumtur.

Si mund t’i bëjmë më të qëndrueshme lidhjet moderne? Disa marrëdhënie vdesin, të tjera mbijetojnë dhe ringjallen. Çfarë mund të mësojmë nga përvojat e tyre? Impulsi për të mbrojtur martesën është i natyrshëm, por nëse merrni rrugën e zakonshme “ta provoni aferën”, ka rrezik që ajo t’ju kthejë te shtegu i ngushtë i detyrimeve ndrydhëse.

Ndalimi i miqësive me seksin e kundërt, censurimi i konfidencës intime emocionale tek të tjerët, asgjësimi i bisedave të rastësishme, kufizimi i aktivitetit online, ndalimi i pornos, kontrolli i njëri-tjetrit, bërja e gjithçkaje bashkë, prerja e lidhjeve me ish-ët, të gjitha këto masa sigurie janë dështim i sigurt. Sa më shumë t’i ndrydhim dëshirat tona primitive, aq më me forcë mund të rebelohen ato. Në vend që ta izolojmë veten në nocionin e gënjeshtërt “mua nuk do të më ndodhë kurrë”, duhet të mësojmë të jetojmë me pasiguritë, joshjet, tërheqjet, fantazitë tonat dhe të partnerit tonë.

Çiftet që ndihen të lira të flasin ndershmërisht për dëshirat e tyre, edhe kur ato nuk drejtohen nga njëri-tjetri, për paradoks bëhen edhe më të afërta. Në konkluzionin e saj, Perel thotë se, partnerët tanë nuk na përkasin neve, ata janë vetëm një hua, me opsionin, të rinovojnë ose jo. Sipas saj, të shprehësh vazhdimisht mirënjohjen dhe vlerësimin, të transmetosh ndjenjën e së veçantës, të tregosh vëmendje, të jesh i pranishëm, bujar dhe i gjallë, romantik, të japësh dhembshuri, ngrohtësi dhe kujdes, janë përbërës të natyrshëm që gjenden në recetat e adulterisë, por edhe përbërës të martesave të suksesshme.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 143

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top