Miqësia… një marrëdhënie që shkon përtej një lidhjeje sociale. Është më e afërt, ndryshe nga sa mund të konsiderohet qasja në të qenit shok apo shoqe. Ka një ndërveprim krejt tjetër, më të shëndoshë, sidomos mes të rriturve. Është një shkallë pjekurie ku ti gjen jo vetëm të përbashkëtat, por ndan shumë mendime, nevoja. Gjen, si të thuash, mbështetjen për pasiguritë apo kërkesat për të përmirësuar vetveten.
Një këndvështrim i tillë, midis të qenit shok apo mik, të ndihmon të bësh zgjedhjet e tua në jetë, por dhe mënyrën se si duhet të funksionojë në raportet se si i ndërton lidhjet me të tjerët, të tretët.
Dua të ndalem te miqësia, një raport i shenjtë në perceptimin tim. Miku i mirë në ditë të vështira. Po, dhe duhet t’i qëndrojë një vullneti të paanshëm ama, ku të dyja palët ta konsiderojnë të tillë. Miqësia nuk është një fjalë goje dhe as një përvojë elementare, duhen shumë vite, në fakt, ta ndërtosh një të tillë. Sprovat janë ato që e tregojnë. Miqësia dhe mund të prishet, sepse janë pikërisht sprovat që e çekuilibrojnë atë. Atëherë duhet të themi se nuk ka pasur asnjëherë miqësi? Koha është aleatja, rregullatori e deri shpëtimtarja. Është si të thuash, shansi i dytë për të rivendosur ato raporte që padashur u zhbënë.
Ka gjithfarë situatash që e lëndojnë një raport miqësor. Mund të jetë një kapriçio e rastit, një hatërmbetje e gjykuar shkurt, deri ndoshta delegim përgjegjësish, që pa dashur këpusin një hallkë të zinxhirit të lidhjes miqësore. Mandej lëshohen në ajër argumente me zë apo fshehurazi, të cilat zënë një kohë aspak të shëndetshme për raportin mes dy të rriturve miq. Dhe këtu, arsyeja e domosdoshme e të parit të gjërave drejtë është vetëm vetja jote. Një reflektim i shpejtë, në një kohë që ndoshta mund të arsyetojë ngjeshur gjithë rrjedhojën e çekuilibrit të lidhjes miqësore.
Peshorja e vlerave në miqësi anon gjithmonë nga pozitivja, ndaj dhe përpjekja duhet t’ia vlejë për t’u siguruar se po bën hapin e duhur. Miqësia është vlerë morale themelore e njeriut. Është virtyt, sepse nuk i lë vend interesit, hipokrizisë, thashethemeve, mashtrimit, imponimit e me radhë. Bazë e qëndrueshmërisë së saj janë sinqeriteti, besueshmëria dhe mbi të gjitha, respektimi i hapësirave. Miqësia i ngjan librave të vjetër, që koha u jep atyre më shumë vlerë.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 149
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.