Editorial

April 21, 2021 | 8:20

Nga Orjona Tresa / Nevoja për përulësi, urtësi!

Pse zhurmon kaq shumë globi sot? Ka arritur pika kritike? Çfarë po ndodh me njerëzimin? Cila është forca që po shtyp polet? Vërtet ka ardhur… mos qoftë e thënë. Jeta…, po jeta, paska armët e saj të joshjes, tërheqjes, por po aq dhe të shtytjes, fundit. Nuk ia dimë ende mesa duket.

Le t’i lëmë të gjitha këto. Sa vlen ta mërzisim veten e t’i ngarkojmë asaj më shumë se sa vetë koha po na i sjell?! A nuk duhet të mësohemi të pranojmë fatet? Nuk ka plane njerëzore që i zhbën ato! Të parët thoshin “sado t’i përvidhesh fatit, ai e gjen shtegun e do ta kryejë misionin e vet”. Për sa nuk kemi në dorë, duhet të përshtatemi e të mësohemi.

Ditë-netët që falen të na ndriçojnë çdo 24 orë, janë një mësim përtëritjeje. Duhen jetuar, ndonëse të këtilla si sot. Frenimi është kufizim i lirisë, nuk është i lehtë. Por liria nuk është vetëm fizike. Çfarë mbetet t’i falemi atëherë? Lirisë mendore, shpirtërores, të cilën e kemi ende në dorë. Sado të përpiqen të na pengojnë me manipulimet e ditë pas dite, duhet të përpiqemi ta ruajmë lirinë shpirtërore për të mirën tonë. Ajo është më e ngushta që kemi. E gjejmë mes të dashurve tanë, familjarëve, fëmijëve, bashkëshortit.

Këto ditë, të një karantine të detyruar, kanë shërbyer për ta përcjellë këtë energji me rëndësinë që i takon. Kemi rigjetur veten. Kemi rilindur. E vërtetë është po aq, se jo në të gjitha familjet funksionon kështu. Ka shumë problematika e tjetërsime të sjelljeve për shkak të kufizimit, po aq të tjerë sa nuk arrijnë të marrin shkallën e informacionit dhe se qëllimi i tyre i vetëm është sigurimi i vakteve të ushqimit. Disa të tjerë për më keq, kanë probleme edhe më të rënda.

Përtej varfërisë, rrethanat çojnë në gjymtim të çiftit, deri aty sa njëri prej të dyve t’i marrë jetën tjetrit. Ka kaq dhimbje përtej kufizimit të lirisë. Është liria për jetën. Kam lexuar këto kohë pandemie për sigurinë e vakteve apo shportën bazike ushqimore të njerëzve në nevojë. Një sipërmarrje reale më shumë me sfond politik. Jam shumë dakord. Por në vazhdën e një nisme të tillë, do të më pëlqente që një mision kaq human të shoqërohej edhe nga grupe punonjësish socialë.

Këta njerëz me probleme mbijetese kanë nevojë të ushqehen edhe shpirtërisht, të ngushëllohen, të mbështeten emocionalisht, t’u thuhen gjëra të bukura që i bëjnë të reflektojnë sadopak. Jo të gjithë e kanë mundësinë e vetëaftësimit të tillë. Mungesa e informimit, komunikimit, i bën ata sa të ndrydhur, po aq dhe të vrazhdë. Me gjithë vlerësimin për psikologët, dua të them se kjo shtresë e shoqërisë që përmenda më sipër, nuk e ka luksin e internetit falas, dhe as të një aparati inteligjent telefonik për të bërë biseda online me ekspertët e fushës.

Ndaj, ashtu si mjekët në frontin e parë të betejës ndaj Covid19 që iu vunë në ballë punës, edhe ata “mjekët” e shëndetit social, duhej të mendoheshin e të gjendeshin në sakrificën e një lufte të fshehtë e me pasoja. Mendoj se sa nuk është vonë të krijohet një strategji e tillë, jo vetëm për kohën që kalojmë, por të përjetësohet në një strukturë mirëfilli, për ta ndihmuar shoqërinë në uljen e rasteve të vetëflijimit, dhunës, shtimit të depresionit e me radhë.

Është koha të përulemi e të ofrojmë ndihmë. Ky vend ka nevojë për shembuj të mirë. Shëndeti mendor vlen. Është si sahati që na menaxhon kohën tonë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 156

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top