FB

January 30, 2024 | 13:49

Nga Orjona Tresa: Papunësia, hendeku më i madh që po shkatërron familje, shkaktar për shtimin e personave me probleme të shëndetit mendor

 

Pa mbaruar buja e ngjarjes ku një 35-vjeçar, pak ditë më parë, i martuar dhe me dy fëmijë mbante të izoluar, nën kontroll dhe dhunonte gruan e tij, një tjetër rast, i të njëjtës moshë pothuajse, u regjistrua në paralele të ngjashme në Amerikë. Autor ishte sërish një shqiptar, por që për fat të keq, ai ishte dhunuesi, ndërsa ish-partnerja e tij, viktima. Ngjarja ndodhi në Florida, ku 34-vjeçari vrau me armë zjarri ish-partneren e tij dhe më pas rrëmbeu vajzën e tyre 8 vjeçe, e cila për fatin e mirë u gjet më vonë nga policia ndërsa vrasësi u arrestua.

orjonaKujtesa na sjell në vëmendje dhe një tjetër ngjarje të dhimbshme, ku në fillim të muajit Gusht 2023, një aktor shqiptar bashkë me gruan e tij u hodhën nga kati i gjashtë në Bronks të Nju Jorkut. Aktori 35-vjeçar u raportua se vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe se ndiqej në një klinikë për të mbajtur nën kontroll gjendjen e tij. Dhe ka plot e plot raste në mos një, ndodh edhe në dy në ditë ku në Shqipëri i merret jeta dikujt me armë të ftohtë apo të nxehtë. Për fat të keq, ndoshta pa e mbyllur ende këtë shkrim, një tjetër ngjarje mund të mbivendoset, duke hapur plagë të reja dhe duke shkaktuar makth mes asaj që na duhet të përjetojmë sot.

florida

Studiuesit evropianë dhe perëndimorë, në një zinxhir hulumtimesh paralele, po përpiqen të zbërthejnë shkaktarët që po prodhojnë ngjarje të tilla, ku nuk ka vetëm dhunues, por edhe viktima. Dhe viktima nuk konsiderohen vetëm individët që u merret jeta, por edhe ata që vuajnë nga një presion i brendshëm që i bëjnë të ndihen të tillë. Dhe këto janë çrregullime të shëndetit mendor që njihen në gjuhë shkencore, për të cilat të gjithë flasim, por askush nuk e pranon.

Një kronikë e televizionit Top Channel dha një statistikë të frikshme sa i takon numrit të shqiptarëve që vuajnë nga shëndeti mendor. Dhe ky numër e kalonte shifrën e 400 personave të burgosur. Është për t’u shqetësuar dhe për të luajtur vendit pasi në raport me numrin e popullsisë, që zyrtarisht sipas INSTAT rezulton në 2022 me 2.79 milionë banorë, të kemi një shoqëri që zë gati ¼ e popullsisë me probleme të shëndetit mendor. Dhe këta persona, nëse nuk marrin trajtimin/kurën e duhur, nëse nuk pranojnë të izolohen në raste më ekstreme, janë një rrezik i madh social.

Ndërsa dje mund të themi se ishte Depresioni i Madh ai që na sillej rreth vetes si lak, sëmundjet e shëndetit mendor janë tumori i shekullit 21, të cilat po bëhen gjithnjë e më prezente.

Studimet si shkaktarë kryesorë rendisin të parën aspektet ekonomike, mandej ato personale dhe ndërkombëtare. Përballë kësaj liste ndikim të mundshëm negativ në jetën e njerëzve ato shohin papunësinë, mungesën e të ardhurave të mjaftueshme për të mbajtur familjen, qëndrueshmërinë për të mbajtur një vend pune, madje edhe konfliktet e vazhdueshme politike (për shembull, situata në Ukrainë) dhe pandemitë, shqetësime të cilat janë fokusuar mbi të gjitha në aspektet financiare.

Padyshim lista vazhdon me ndryshimet klimatike apo ndotjen e mjedisit.

kamera

Papunësia dhe psikopatologjia

Aktualisht, shumë njerëz në Evropë po përjetojnë humbje pune, e ndjekur nga një periudhë pak a shumë e gjatë papunësie. Sipas studimeve në disa vende të Bashkimit Evropian, papunësia qëndron në vlera mjaft të larta në përqindje, kryesisht tek moshat e reja, grupmosha nën 25 vjeç. Studimet epidemiologjike të kryera në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara kanë treguar se një nivel i ulët socio-ekonomik, si rezultat i situatës së papunësisë, përfaqëson një çështje kritike që rrit shfaqjen e patologjive dhe rrit shkallën e vdekshmërisë (Harvey Brenner, 2016). Në mënyrë të veçantë, papunësia afatgjatë është e ndërlidhur me një rrezik në rritje të sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, sëmundjeve mendore dhe gjithashtu rrit probabilitetin e vetëvrasjes (Vågerö dhe Garcy, 2016; Myles et al., 2017; Garcia dhe al., 2016). Një gjendje e të ardhurave më të ulëta ekonomike, që rrjedhin nga mungesa e punës, në fakt përcakton përdorimin më të vogël të programeve të trajtimit, pra të papunët afatgjatë e dinë se nuk kanë burime për t’u kujdesur për veten. Ky ndërgjegjësim ka efekte negative në shëndetin mendor, duke çuar në simptoma depresive, çrregullime psikosomatike dhe abuzim me alkoolin dhe drogën (Stuckler et al., 2009).

Cenueshmëria ekonomike është e lidhur fort me cenueshmërinë sociale, d.m.th. ndikimi i mundshëm i ngjarjeve te njerëzit e varfër ose te familjet e tëra, gratë shtatzëna ose gjidhënëse, personat me aftësi të kufizuara, fëmijët, të moshuarit. Sipas Planit të Veprimit Mendor të OBSH-së 2013-2030, citohet se: Përcaktuesit e shëndetit mendor dhe çrregullimeve mendore përfshijnë jo vetëm atributet individuale të tilla si aftësia për të menaxhuar mendimet, emocionet, sjelljet dhe marrëdhëniet e dikujt me të tjerët, por edhe faktorë socialë, kulturorë, ekonomikë, politikë dhe mjedisorë, duke përfshirë politikat e miratuara në nivel kombëtar, mbrojtja sociale, standardi i jetesës, kushtet e punës dhe mbështetja sociale e ofruar nga komuniteti. Ekspozimi ndaj fatkeqësive që në fazat e hershme të jetës përfaqëson një faktor rreziku tashmë të njohur për çrregullimet mendore.

Për t’i qëndruar në thelb studimeve të ndryshme, shtatorin e 2022 Emma-The Sleep Company me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor raportoi se: Duke analizuar ndikimin e këtyre shqetësimeve në shëndetin mendor, nga 93% e evropianëve që thonë se janë të shqetësuar për të ardhmen, një e treta (35%) vendosin koston e jetesës në vendin e tyre së pari së bashku me pasigurinë financiare dhe borxhin (35%). Shqetësimet shëndetësore mendore (27%) dhe fizike (24%) janë të ngutshme për rreth një të katërtën e të anketuarve dhe një në pesë evropianë besojnë se klima ekonomike globale po ndikon negativisht në mirëqenien e tyre mendore. “Stresi financiar mund të gjenerojë ankth, lodhje dhe tension me partnerin tuaj dhe mund të ndikojë negativisht në produktivitetin e punës, si dhe shumë efekte të tjera në shëndetin mendor. Kërkimi i ndihmës është çelësi, por zbatimi i strategjive të duhura për të siguruar një jetë më të mirë është një hap i parë i shkëlqyeshëm dhe mund të ndikojë në mënyrën se si i përballoni këto sfida, “thotë Theresa Schnorbach, psikologe e specializuar në terapinë konjitive të sjelljes për fëmijët.

bronx

Papunësia dhe ndikimi psikologjik

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se kur themi punë, mendojmë jo vetëm një mundësi të ardhurash, por shumë më tepër. Puna, apo zhvillimi profesional është një nevojë për të jetuar, për të plotësuar atë çfarë përkufizon nevojat bazike të një individi që nga ndërtimi i një shtëpie, mbështetja e familjes, e deri tek plotësimi i kënaqësive siç mund të jenë shpenzimet për veshje apo udhëtimet. Falë punës dhe të ardhurave të fituara, është gjithashtu e mundur të drejtosh më mirë të ardhmen e dikujt, për shembull duke qenë në gjendje të paguash studime të caktuara ose të kesh më shumë lëvizshmëri.

Për më tepër, për shoqërinë ku jetojmë, puna është pjesë përbërëse e identitetit të dikujt. Ne shpesh karakterizohemi nga ana shoqërore nga profesioni ynë dhe ua prezantojmë veten të tjerëve duke u identifikuar në këtë mënyrë. Prandaj është normale që një individ të ndërtojë përfaqësimin e vetes edhe në bazë të roleve të tij socio-profesionale, dhe për këtë arsye kur atyre u mungon imazhi që ai ka për personin e tij, rrjedhimisht shembet.

Ka shumë fusha të tjera ku puna ka ndikim. Për shembull, bazuar në kontaktet ndërpersonale, si e strukturojmë kohën tonë të lirë bazuar në angazhimet e punës, për të mos përmendur rritjen personale në aspektin e aftësive, karakterit dhe qëndrimit që mund të prodhojë puna. Nga kjo mund të kuptojmë se si papunësia mund të ndikojë thellësisht në psikologjinë dhe të gjithë realitetin e një individi.

Ndaj studimet nxjerrin në pah përmirësimin e politikave për angazhimin dhe gjithëpërfshirjen për çdo kategori shoqërore, për ofrimin e mundësive dhe nxjerrjen nga rrjeta e zezë e mendimeve se ‘nuk mund t’ia dal dot më’, ‘po çmendem’, ‘morëm fund’ e me radhë. Nevojitet afërsia, reagimi, përfshirja e palëve të prekura, zhvillimi i një rrjeti solidar dhe human të shërbimeve të shëndetit mendor me efekte dhe burime adekuate si edhe kompetente, e integruar në sistemet sociale dhe të mirëqenies.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top