Me nevojën për një kohë cilësore, ku gjithkush dëshiron të argëtohet, por edhe të ndryshojë “ngjyrat” nga përditshmëria, zhgënjehemi sërish dhe pendohemi pse e çuam dëm edhe këtë kohë. Më konkretisht se kaq, media po e humbet shkëlqimin e saj në një epokë ku çdo gjë varet nga të ardhurat, nga leku, fitimet dhe kursimet e shpenzimeve, personazheve ku “brumi” i servirur tërheq masën dhe jo kërkesë-nevojën… dhe ndodh që ky, publiku për të cilin “po shpenzohesh”, të “të godasë” dhe të të gjykojë për produktin e nxjerrë. Pra, rezultati final të jetë po ai, në vendnumëro, akoma në start.
Çfarë prodhohet?
Në vendin tonë, dy media private, njëra “e certifikuar” prej vitesh në ekskluzivitetin e spektakleve të patentuara, dhe tjetra me më pak përvojë, kanë treguar se edhe në Shqipëri është e mundur të zhvillohen formate të tilla. Si shikuese e thjeshtë, kam konstatuar se vite më herët, kur këto spektakle reality iu ofruan publikut shqiptar, ishin më emocionuese, argëtuese dhe për rrjedhojë të pastra nga “ndotja” për arsye fitimesh apo të ardhurash. Jo se nuk mund të kishte, por se përveç tyre vërtetësia nuk prekej, emocionet nuk gënjeheshin dhe për rrjedhojë ishin shumë më të besueshëm se sa sot.
Kjo gjë në reality-it sot, më shumë se e gënjeshtërt duket e sforcuar, duke na zhgënjyer për llojin e argëtimit që duan të na ofrojnë. Dhe nëse deri dje shoqëria i besonte skemës, “votoni të preferuarin me televotim”, sot bën mù që është e pabesueshme, për aq kohë sa “lufta” në rrjetet sociale është edhe më e fortë dhe treguese. Dhe nuk ka nevojë për lupë zmadhimi apo syze, se të shfaqen aq shpesh në platformat e mediumet sociale, sa nuk i shpëton dot kur edhe në hapësirën tënde të bëjnë reklamë “të preferuarin” e formateve reality.
Ky është një qëndrim personal, me dashamirësinë për të shpenzuar pak më tepër kohë për rezultate të pranuara, pse jo të shkëlqyera nga organizatorët apo ata që merren me media.
Sot ka ende personalitete që janë të aftë të bëjnë punë cilësore mediatike, për ta bërë të shikueshëm një spektakël televiziv, për rrjedhojë dhe në fitime të ardhurash. Sepse një punë e mirë i fton dhe i mbledh të gjithë para ekranit, për të cilin kemi shumë nevojë.
Sot ka emra që janë të shkëlqyer për të ngritur në këmbë një spektakël, ta menaxhojnë dhe ta drejtojnë edhe vetë atë sepse e kanë shpërfaqur dhuntinë e tyre tanimë. Dhe, nuk ka nevojë t’i mbash apo trajtosh si opinionistë ulur në karrige.
Punën e mirë dinë ta bëjnë vetëm profesionistët, dhe jo ata që janë në karrigen e dashamirësit që ka mundësi financiare. Mund të kesh shumë dëshira, pasione rreth botës së spektaklit konkretisht, por kjo nuk të bën të kesh prodhim të suksesshëm nëse nuk punon me profesionistët e vërtetë.
Kam shumë arsye të them se që nga punonjësi i skenës, operatori i zërit, kameramani, tekniku i transmetimit apo inxhinierat e rrjetit transmetues e deri tek skenaristi dhe producenti, duhet të ketë shumë pasion për ta bërë të shkëlqejë një spektakël. Njëri mos të jetë në vendin e vet, prishet zinxhiri i shpëtimit.
Ajo që unë shoh si arsye e dështimit të spektakleve reality show në vendin tonë, por që duhen thënë, janë:
Mungesa e origjinalitetit, ku shumë reality janë të ngjashëm me njëri-tjetrin, dhe kur mungon freskia dhe risia, publiku humbet interesin.
Manipulimi i realitetit, gjë që publikun e bën të ndjeshëm. Ai e ndjen kur situatat janë të manipuluara ose me skenar, e për rrjedhojë besueshmëria e spektaklit bie. Kjo i bën shikuesit të ndihen të zhgënjyer.
Cilësia e dobët e produksionit. Gjëja që “të vret” më shumë janë problemet teknike, zëri dhe figura (imazhi) me shkëputje, montazhi i dobët (përsëritje ose stërzgjajtje), dhe mungesa e profesionalizmit në produksion, skenari, të cilët ndikojnë negativisht në përvojën e ne shikuesve.
Përtej këtyre, por jo të fundit për nga rëndësia, janë etika dhe morali, të cilat shpërfaqen në Tv me sjellje që i shkelin normat ose promovojnë sjellje të papërshtatshme, të cilat shpesh ngjallin kritika dhe bojkot nga publiku.
Për mendimin tim ajo që nuk duhet t’i mungojë një spektakli të mirë nis nga këto arsye:
Vërtetësia, sepse publiku e vlerëson dhe e do sinqeritetin. Situatat dhe personazhet duhet të jenë autentike dhe të mos duken të fabrikuara apo kopje e shëmtuar e njëra-tjetrës.
Një spektakël i mirë duhet të ofrojë një kombinim të mirë të argëtimit dhe informimit, duke mbajtur interesin e shikuesve.
Spektaklet duhet të mbajnë një standard të lartë etik, duke shmangur shfaqjen e sjelljeve negative ose të dëmshme, (fjalori dhe sjellja keqdashëse, bullizuese dhe fyese).
Patjetër nevojitet dhe cilësia e lartë e produksionit. Duhet të ketë një standard të lartë teknik dhe estetik që nga kamera deri te montazhi dhe zëri.
Natyrisht që kur bëhet fjalë për patenta serioze televizive, e mira është të punoni mbi formatin e njëjtë, duke respektuar zë më zë produktin. Dhe për një spektakël të mirëfilltë nuk është e zorshme të kuptosh që nevojitet:
Studim dhe planifikim për tregun dhe interesat e publikut tuaj për të krijuar një koncept që të rezonojë. Pra përgatitja është kyçe.
Zgjidhni pjesëmarrës që janë të vërtetë dhe të aftë për të tërhequr vëmendjen me personalitetin e tyre natyral. Këtu psikologu dhe spciologu luajnë një rol evidentues dhe saktësues.
Një produksion i kualifikuar, me një ekip të aftë teknik dhe krijues, jo vetëm ta bën punën më të lehtë, por për të siguruar cilësi të lartë të produksionit.
Kam dhe diçka që do të dëshiroja ta ndaja, duke e vënë theksin dhe roli i drejtuesit kryesor, primarit.
Drejtimi i një spektakli reality varet nga suksesi që do të ketë. Një vizion i qartë, aftësi menaxheriale dhe koordinuese të të gjitha aspekteve sjellin suksesin e dëshiruar. Ai duhet të mbajë një balancë midis argëtimit dhe etikës, të inkurajojë autenticitetin dhe të sigurojë që çdo aspekt i spektaklit të përmbushë standardet më të larta të cilësisë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.