Editorial

June 4, 2022 | 9:40

Nga Orjona TRESA / Regjimi dinamik, themeli i një edukate të shëndoshë

Teksa kundroja në bibliotekën familjare në sektorin e librave psikologjikë, u ndala në një botim të cilin e kisha shfletuar me kërshëri para se të sillja në jetë fëmijën tim të parë. Pavarësisht modelit që kisha marrë në familjen bazë, por edhe në atë të ofruar me gjerë se kaq jashtë, mësova edhe më shumë për rëndësinë absolute të rolit amësor dhe atësor në rritjen dhe edukimin e drejtë dhe të shëndetshëm të fëmijës.

Orjona Tresa, gazetare

Orjona Tresa, gazetare

Bëhet fjalë për librin “Kë edukojmë, si edukojmë” të profesorit të nderuar të psikologjisë, sociologjisë, pedagogjisë, akademikut dhe Mësuesit të Popullit, Hamit Beqja. U ndala sërish në këtë qasje, kaq të ngjashme dhe aktuale, si për atëherë, si sot, për t’ju sjellë disa qëndrime të vlefshme për këdo zgjedh ende të lexojë, në një raport kohërash, mbi të mirat që i takojnë rritjes në raportin prind-fëmijë. Edhe pse botimi mban vitin e publikimit 1987, mund të them pa asnjë dyshim se është një këndvështrim kontruktivo-edukativ të cilin të gjithë prindërit duhet ta marrin parasysh kur sjellin në jetë fëmijë, por mbi të gjitha të faktojnë edhe rolin që u takon gjysheve dhe gjyshërve, të cilët bashkë me ndihmën e ofruar, pa dashje kapërcejnë kufijtë, duke dëmtuar pedagogjinë dhe edukimin e shëndetshëm të fëmijës.

Nga libri i profesorit citoj: “Populli thotë: fëmija rritet duke qarë. I hapen e i zgjerohen mushkëritë e gjoksi. Aq më tepër kur është në moshën e gjirit. Atëherë ai provon vështirësitë e para të rritjes. Midis tyre, edhe ato që quhen shterzime foshnjore. Mirëpo prindërit shqetësohen dhe ata, herë acarohen, herë bezdisen. Fillojnë edhe pyetjet: ç’është ky fëmijë xhanëm? Pse është kaq i sertë? Kujt i ka ngjarë? Si t’ia bëjmë me të? Ata që preokupohen për këtë fillojnë e i marrin fëmijët nëpër duar. I heqin nga karroca ose shtrati ku flenë, i tundin e i shkundin…

Dhe, ja ku lind problemi. Sa më shumë që fëmija të mbahet nëpër duar, sa më shumë që të tundet e të shkundet, aq më keq për të rriturit dhe për vetë fëmijën. Fillojnë e formohen tek ai reflekse negative. Fillojnë tekat e kapriçot e para, qoftë edhe të pavetëdijshme, kryesisht si impulse biologjike. Më e keqja është kur në këtë punë përzihen shumë duar. Dhe këtu vlen aforizmi i njohur popullor me ngarkesë e domethënie të madhe pedagogjike: “Shumë mami e mbytin një fëmijë”. Në këtë shpjegim të parë, akademiku i nderuar Beqja vë theksin tek rëndësia edukative e refleksit biologjik. Një shembull pasues e jep kur fëmija që i ka kaluar dy vjetët urinon kur t’i vijë e si t’i vijë. E ëma zemërohet dhe e rreh. Dikush ndërhyn. Ajo përgjigjet: Pa shikoni çfarë bën! Prindërit sipas akademikut janë vetë fajtorë. Në një kohë kur njerëzit arrijnë të formojnë reflekse të rregullta jashtëqitjeje te macet e qentë pse nuk mund ta bëjnë këtë edhe me fëmijët brenda shtëpisë? Se si do të shkojë formimi i këtij refleksi, kjo varet shumë nga puna e mëtejshme e prindërve.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dhënien e qumështit e gjirit fëmijës. Në pediatri ka norma për këtë. Por zbatimi i tyre varet nga sasia e qumështit të nënës, nga mënyra se si e sa pi fëmija, kur e kërkon qumështin, etj. P.sh. një çifti të ri intelektual i ka lindur një fëmijë. Kanë vendosur ta rrisin sipas këtyre normave të pediatrisë. Të mos i japin të pijë qumësht natën. Ndodh që nëna e djalit, e cila banon në një qytet tjetër, u ka ardhur për t’i ofruar ndihmë nënës së re. Ajo dëgjon që fëmija natën qan pa pushim. Duron disa net dhe më në fund ia përplas djalit dhe nuses: A jeni në vete? Ç’bëni kështu? Edhe çifti “i vendosur” dorëzohet. Mund të thoni se këto janë çështje të pediatrisë, ç’hyn këtu pedagogjia? Hyn edhe më shumë. A nuk thonë në popull: “edukata merret që me qumështin e nënës?” Kjo nuk është një e vërtetë vetëm empirike, por njëherësh edhe thellësisht shkencore.

Është provuar tashmë jetësisht e shkencërisht se mjaft produkte të edukatës, që do të lulëzojnë e do të japin frute më vonë, hidhen që në moshën e gjirit. Ashtu si edhe mjaft trille e kapriço që mund të jenë bërthama e tipareve të mëpastajme negative. Në të dyja rastet është fjala për reflekse, për fillesa stereotipesh, zakonesh, huqesh, vesesh. Për dukuri fillestare që, shkallë-shkallë, mund të nguliten për gjithë jetën. Ndaj, nëse fëmija nuk është i sëmurë, lëre të qajë. Do të qajë e do të qajë e do të pushojë. Merre në dorë, tunde aq sa duhet, por jo medoemos kur qan. Merre edhe kur nuk qan. Madje, më tepër. Nxirre edhe jashtë! Shëtite, gëzoje, gëzohu me të! Një regjim i rreptë, sigurisht dinamik që në moshën e gjirit është themeli i një edukate të shëndoshë për gjithë jetën.

Sot thonë që edukata jepet jo më me gjirin e nënës, por që në bark të saj. Trajtimi në shtatzëni ka rëndësi kolosale jo vetëm për shëndetin e ardhshëm të fëmijës, për zhvillimin fizik të tij, por edhe për zhvillimin mendor e intelektual, për gjithë zhvillimin psikik, për tërë potencën e personalitetit. Mirëpo në vështrimin pedagogjik ka rëndësi si i shikojmë këto çështje, duke u nisur nga qëndrimet e të rriturve, të prindërve, të gjysheve e gjyshërve. Do të na thonë: a nuk duhet të kemi dhembshuri për fëmijët e vegjël? Sigurisht që po! A nuk është dhembshuria një shfaqje e humanizmit? Patjetër që po! Të mos harrojmë se njeriu, edhe kur është nënë a baba, gjyshe a gjysh, është gjithmonë një qenie e arsyeshme, e vullnetshme, këmbëngulëse. Ai i harmonizon ndjenjat, qoftë edhe sentimentet e veta me logjikën e rreptë jetësore e, kur është i zhvilluar, i ditur, edhe me njohuritë përkatëse shkencore. Ajo që duhet veçuar në gjithë këtë përvojë është të mos kaluarit në ekstrem me normat pedagogjike, sidomos kur hyn në lojë ndihma e gjyshërve. Sipas akademikut Hamit Beqja, ndihma e gjysheve dhe e gjyshërve është e nevojshme dhe e mirë. Në mjaft raste, edhe shumë edukative.

Mirëpo, më e dobishme është ta rritësh fëmijën e vogël vetë, në shtëpinë tënde. Qoftë edhe me ca lodhje më shumë. Edhe me njëfarë vetësakrifikimi. Kurse ndihma, le të jetë ndihmë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 167

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top