Editorial

August 2, 2019 | 8:10

Nga Orjona TRESA / Sa vlerë ka mirësia në shekullin e 21-të?

Jam e prirë të fal pozitivitet. Është dobësi apo virtyt, këtë nuk mund t’ia targoj vetes si diçka absolute. Ka në fakt një diferencë në rendin shoqëror që bën ndasitë, ndërsa mua më vlen për qëllimet që i kam vënë në drejtim të jetës.

Orjona Tresa, gazetare

Orjona Tresa, gazetare

Thuaje fjalën e mirë; nëse nuk bën dot mirë, të paktën mos bëj keq; mos thuaj kurrë atë fjalë që vret apo lëndon, e plot mendime e synime që të diktojnë e të ruajnë nga pabesitë e padëshiruara që mund të lëndojnë e “vrasin” shpirtin. Sigurisht, ka dhe nga ato raste kur vetëkontrolli të shpëton nga duart. Kapesh mat…, por janë shumë të rralla tek unë. Konkretisht, autosugjestioni më ndihmon ta kuroj e shpëtoj veten nga këto ngjasi.

2018 e lamë pas me urime nga më të mirat. Po kështu duhet të fillojmë 2019. Se ndodh që urimet e mira i harrojmë sa kalon ora 12.00.

Sa vlerë ka mirësia në shekullin e 21-të? Ka! Askush nuk mund ta shmangë apo përjashtojë veten nga ajo. Në fakt, është një shpërblim moral që i bën pa doreza vetvetes. Pa mendoje, nëse ti do të gjendeshe në kushte ku do ta dëshiroje një gjest të tillë, a nuk do të ndiheshe mirë?

Vetëkontrolli është kryefjala ime. I kam shërbyer gjithmonë atij. Fitoret në një “luftë egërsirash” nuk japin zgjidhje, veç “viktima”. Ndaj thërras me zërin e zemrës: “Shmangu nga tirania, largohu prej asaj grope thithëse të pamëshirshme, ruaje unin tënd, mos e dobëso veten!” Të gjithë e kemi në dorë të masim energjitë pozitive a negative me veten, ndjesitë, durimin, nervozizmin…

Kjo terapi autosugjestive më ka dhënë forcë, kurajë për të ecur përpara. Jo të pakta janë rastet ku njerëz “vjedhës” të energjive, për shkak të pangopësisë, bien në nivele degraduese, të ngacmojnë, të përdorin, të shfrytëzojnë, e në fund, bëhen krerë të një tufe të mjerë, të paqenë a ekzistuar, duke të luftuar me armët e tua të mirësisë në gojë të paudha e aspak fisnike për leksikun e amësisë tonë. Por, të gjitha këto qenie mbijetojnë falë dobësimit të atyre që bien pre. E dashur pa dashur të marrin kohë, të ngarkojnë emocionalisht, e shkojnë deri aty sa paturpësisht veshin maskën mbrojtëse të fesë, të recitojnë vargje nga Bibla e sure nga Kurani, vetëm e vetëm për të mbuluar pabesitë e tyre.

Të fshihesh pas fesë nuk është zotësi, meritë jo e jo. Kush beson nuk ka nevojë ta thotë me mburrje, e mbron me krenari bindjen që ka. Zoti nuk ka nevojë për njerëz të tillë, por për të devotshëm. Ka nevojë për ata njerëz që nuk shtiren, nuk thonë marrëzira e nuk e kërkojnë famën me ngulmimin dhe punën e dikujt tjetër. Zoti e ka dëshmuar me atë që ti je i aftë të bësh me nënën në fillim, të afërmit, njerëzit e gjakut, të cilët janë të parët që mund të kenë nevojë për ndihmën tënde.

E nëse u ka mbetur ca udhë njerëzve që shtiren e përfitojnë nga puna e të tjerëve për të qëndruar mbi ujë, është mirë të përpiqen edhe një herë për Zotin e tyre, para se ta përdorin për të mijtën herë si mburojë për të arritur synimet e tyre.

Hej njerëz, bota e madhe përfaqëson gjithkënd, por përpjekja për të qenë njeriu i zgjedhur që i duhet botës, ju takon juve ta bëni. Kapërcejini pragjet nëse inati ju ka kapluar zemrën, hapeni veten për qëllimet e mira prej nga ku lind nevoja, shpresa, guximi dhe vullneti për të qenë i duhuri për Botën.

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 139

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top