Editorial

February 10, 2021 | 8:20

Nga Orjona Tresa / Së bashku do ia dalim!

Nga Orjona Tresa, kryeredaktore, revista “Psikologjia”

 

Jetojmë ditët e vështira të një sprove të madhe. Ditë të mbushura plot ankth dhe plot shpresë njëkohësisht. Pjesë e sfidës njerëzore në këtë jetë. Jetojmë në izolim, bashkë me armikun që e kemi mes nesh, por që nuk e dimë se nga na vjen. Por të gjithë jemi në luftë për të mbrojtur jetët tona.

E megjithatë, së bashku do ia dalim! Kjo është dhe shprehja më e bukur e kësaj periudhe. Janë ditë të mbushura me ngarkesë kundrejt një armiku të egër e të padukshëm. Ndërsa solidariteti i pakufijtë rreth kësaj shprehjeje më ka emocionuar pa masë. Nuk është se e përjetojmë aq shpesh një unitet të tillë. Por e keqja na ka bërë bashkë si gjithmonë. Situata e një virusi mikrometrik dhe të pabesë më kujton vitin e mbrapshtë 1997. Edhe atëherë njerëzit nuk dilnin nga shtëpia, për ditë të tëra, me muaj pse jo. Dhe gjithçka shoqërohej nga krismat e armëve. Dukej një situatë e pashpresë, ku njerëzit e armatosur qëllonin pa kuptim, dhe municioni që nuk kishte të mbaruar, sepse depot e armatimit ishin hapur dhe gjendeshin nën kontrollin e bandave. Por ja që ia dolëm dhe asaj situate të paparë e të panjohur as në botë. Ndërsa tani, ndodhemi përballë armikut më të ri vrastar. Nuk është si plumbi, por të dëmton njëlloj si ai. Por, së bashku do ia dalim!

Jemi optimistë, si në të gjitha herët. Dhe shpresa vdes e fundit, si gjithmonë. Nuk po bëjmë jetë kazerme edhe pse jemi të mbyllur. Jetojmë në shtëpitë tona, me njerëzit tanë të dashur, duke lexuar libra, duke ndjekur filma në televizor, duke gatuar gjithfarë gjërash për menynë e përditshme dhe duke falur shumë dashuri. Më shumë se asnjëherë tjetër. Sepse kemi dhe kohën e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë. Kohën që para kësaj na e kishte marrë ngarkesa në punë, rutina e përditshme apo mjeta e pazakontë në kafene.

Së bashku do ia dalim!

Padyshim. Veç duhet pak durim, dhe lënia mënjanë e zakoneve të vogla që mbushnin jetën tonë të përditshme nuk duhet të na dhembi aspak. Kjo disiplinë përveçse na mbron, na bën më të përgjegjshëm, se një pjesë e rutinës, ajo më pak efiçente, duhet të zhbëhet me këtë rast. Dhe nuk humbasim gjë se nuk kemi pirë kaq ditë duhan, alkool e kafe, në mos kemi fituar, dhe shumë madje.

Së bashku do ia dalim!

Sepse në fund, si të gjitha luftërat edhe kjo do të mbarojë një ditë. Veç në frontin e parë nuk janë përleshur ushtarët me armë në duar, por mjekë dhe ndihmësit e tyre të cilët në vetësakrifikim janë po aq heronj sa dhe ushtarakët me grada, në fundin e një lufte të armatosur.

Së bashku do ia dalim!

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 154

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top